Nga sot e deri më 18 shkurt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të zhvillohet procesi përmbyllës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.