11.5 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Fiku, në Kuran dhe në Shkencë

Më të lexuarat

SHKRUAN: PRIM. DR. MED. SC. ALI ILJAZI

 
Allahu i Madhërishëm në Kuranin Fisnik betohet e thotë: “Pasha fikun…” (Tin, 1). Fiku është një pemë e këndshme dhe e ushqyeshme. Përmban shumë karbohidrate, që në fiqtë e thatë arrijnë mbi 60% (glukozë dhe fruktozë), si dhe albumina e yndyrna. Në krahasim me pemët e tjera, përmban më shumë kalcium, bakër, magnez, kalium dhe sulfur. Fiku përmban më shumë kalcium se qumështi. Vlen të përmendim se 100 gr. fiq përmbajnë 126-280 mg kalcium, kurse 100 ml qumësht 120 gr. Përveç kësaj fiku përmban mjaft vitamina A, B1, B2, niacinë, B6, C etj. Fiku përmban sasi të konsiderueshme hekuri, si element i rëndësishëm i organizmit tek anemitë. Në 100 gr. fiq ka 250 kalori.

 

Bakri, si mikroelement te fiku gjendet në një sasi prej 0,3 mg. në 100 gr. Fiku përdoret i freskët, i tharë dhe i përpunuar në produkte të ndryshme, si marmelatë, reçel, pekmez etj. Fiqtë rekomandohen të përdoren nga persona të dobësuar, nga anemikët dhe nga ata që ndjejnë shumë të ftohtë, ngase i japin organizmit forcë dhe nxehtësi. Fiku nuk këshillohet të përdoret nga persona që vuajnë prej sëmundjes së sheqerit, kurse duhet ta përdorin ata që vuajnë nga hemorroidet, dhembjet reumatike, nga ata që kanë sasi të shtuar të kolesterolit në gjak. Fiku gjithashtu parandalon rënien e flokëve, mënjanon erën e rëndë të gojës (fetor ex ore), pastron mushkëritë nga këlbaza.

 

Kohët e fundit thuhet se ka edhe veti antikancerogjene. Në rastet e acarimit të faringut, të mishrave të dhëmbëve dhe të rrugëve të frymëmarrjes, lëngu i përgatitur nga zierja e fiqve jep rezultate shumë të mira. Fiqtë përdoren me sukses në mjekësinë popullore kundër kapsllëkut. Për këtë çdo mëngjes pasi të kemi pirë më parë një gotë ujë të freskët hahen esëll disa kokrra fiq. Kjo nuk rekomandohet për ata që vuajnë nga diarreja. Qumështi i fikut përdoret me sukses për heqjen e kallove, si dhe kundër reumatizmit e dhembjeve të tjera artritike. Qumështi i fikut të egër përdoret me efekt për zhdukjen e lythave nga sipërfaqja e duarve ose e këmbëve. Përgatitet në këtë mënyrë: Lythat lahen me qumësht fiku të egër 3-4 herë në ditë. Kjo kurë zgjat 4-5 ditë radhazi, derisa të bien vetë.

 

Gjethet e njoma të fikut kanë veti terapeutike shumë të mira kundër sëmundjes së astmës. Për këtë preferohet të merren 1-2 gjethe të freskëta dhe të zihen në ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Lëngu i fituar pihet në mbrëmje para se të flemë, ose esëll në mëngjes. Edhe për këtë pemë Allahu i Madhërishëm betohet në kaptinën e fikut (Suren Tin). Këtë pemë e preferonte mjaft edhe Muhammedi sal-lallahu alejhi ue selem.

 

Tregojnë se një herë Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem, i ofruan një pjatë me fiq. Duke ngrënë ai ua ofroi edhe shokëve të vet dhe u tha: “Se po të kisha thënë për ndonjë pemë se ka zbritur nga Xheneti, ajo pemë do të ishte fiku, ngaqë pemët e xhenetit janë pa bërthama.” Ne na mbetet t’ua këshillojmë njerëzve këtë pemë të rëndësishme, e cila është përmendur në Kuranin Famëmadh dhe të cilën jo vetëm që e ka preferuar Muhamedi, por edhe e ka krahasuar me pemët e Xhenetit. Duke përkujtuar këtu, se Allahu i Madhërishëm fjalën e mirë “La ilahe il-lallah Muhammedu Resulullah” e tha me pemën e mirë të fikut. Këtë e vërtetojnë shumica e komentuesve.

 

Fjala “e mirë” në të vërtetë është autori i fjalës së mirë, besimtari, i cili është si pema që prodhon fryte vazhdimisht, që është i qëndrueshëm, i fortë, me rrënjët e ngulura thellë në tokë e me degët lart, siç bën aluzion verseti kuranor në vijim: “A nuk e ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë, që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, e që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet në çdo kohë. Allahu, pra u parashtron njerëzve shembuj, ashtu që ata të mendojnë.” (Ibrahim, 24-25).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit