Edukimi i fëmijëve ka një rol të pazëvendësueshëm në edukimin e një shoqërie, sepse ata janë ardhmëria e saj dhe ardhmëria e një vendi. Shkolla e parë në të cilën edukohet fëmija, është shtëpia e tij, ose më konkretisht, prindërit e tij, prandaj në mendjen e tij të pastër nguliten fotografitë e para të edukatës konkrete, të cilat i sheh dhe i përjeton në familjen e tij.
Imam Gazaliu thotë: “Fëmija është emanet tek prindërit e tij, zemra e tij është e dëlirë dhe e ndritur, e pastër nga çdo gërvishtje, e cila i nënshtrohet çdo mësimi. Nëse edukohet në mirësi, do të jetojë me të, dhe prindërit e tij do t’i bëjë të lumtur në këtë botë dhe në Botën e ardhme, sepse çdo i mësuar ka mësuesin dhe pedagogun e tij. Ndërsa, nëse mësohet në mëkate dhe nuk përkujdesemi për të, ashtu siç nuk përkujdesen kafshët për të vegjlit e tyre, do të jetë mëkatar dhe i dëmshëm, madje mëkati i tij do të
vihet mbi supet e kujdestarit të tij”.1
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër të Islamit, mirëpo prindërit e bëjnë hebre, zjarrputist ose të krishterë”.
Çështja e parë që duhet t’i mësojmë fëmijës, është besimi në Allahun e Lartësuar, se Ai është Zot, Krijues Suprem i gjithësisë dhe i njerëzimit. Pastaj duhet t’i mësojmë Kur’anin nga fëmijëria e hershme, duke i rikujtuar se Kur’ani është Fjala e Allahut xh.sh. drejtuar njerëzimit, është kushtetutë dhe legjislacion për besimtarët, ashtu që të edukohet sipas frymëzimit dhe dritës së tij, dhe të mbërthehet në mendimet dhe shqisat e tij. Me një fjalë, fëmija duhet të zhvillohet dhe të rritet me dashurinë ndaj Kur’anit, të lidhet me të, të zbatojë urdhrat e tij dhe të largohet nga ndalesat e tij, si dhe të edukohet në edukimin dhe moralin e tij.
Ndërsa Sujutiu thotë: ”Mësimi i Kur’anit për fëmijët është prej bazave të Islamit, në të cilin edukohen fëmijët me dëlirësi dhe natyrë të pastër, e urtësia të futet në zemrat e tyre, para se ajo të udhëhiqet nga epshet e mëkateve dhe devijimeve”.2
Pejgamberi a.s. nxiste besimtarët që të edukonin fëmijët e tyre në leximin e Kur’anit, për se u thoshte: “Edukoni fëmijët në tri veti: të duan Pejgamberin a.s., familjen e tij dhe leximin e Kur’anit, sepse me të vërtetë bartësit e Kur’anit (hafëzët) do të jenë nën hijen e arshit të Allahut, atë ditë kur nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij, ku do të qëndrojnë me pejgamberët dhe të dashurit e Allahut xh.sh.”.
Këtë porosi të Pejgamberit e ndoqën myslimanët që nga gjeneratat e para, prandaj ishin të kujdesshëm në udhëzimin e fëmijëve të tyre për të mësuar Kur’anin, si dhe praktikimin e urdhrave dhe ndalesave të tij.
Transmetohet se ibn Abasi një personi i kishte thënë: “A të tregoj një hadith, i cili do të të gëzojë? Tha: Po. Ibn Abasi tha: Lexo “tebareke ledhi bijedihil mulk” (suretul Mulk), ua mëso bashkëshortes dhe të gjithë fëmijëve të tu, si dhe fëmijëve të shtëpisë (nipave e mbesave), dhe fëmijëve të fqinjit tënd, sepse kjo sure është shpëtimtare dhe mbrojtëse, e cila do ta mbrojë lexuesin e saj Ditën e Gjykimit tek Allahu, dhe do të kërkojë që ta shpëtojë atë nga ndëshkimi i zjarrit.
Ndërsa Pejgamberi ka thënë: “Do të kisha dashur që kjo sure të jetë në zemrën e çdo personi të Ymetit tim”3.
Ibn Abasi r.a. krenohej se e kishte lexuar Kur’anin si fëmijë në kohën e Pejgamberit alejhi selam, për se thotë: Pejgamberi alejhi selam vdiq kur unë
isha 10 vjeç, ndërsa unë vetëm sa e kisha lexuar tërë Kur’anin. Prandaj, leximi i Kur’anit nga fëmijët është shkak i ngritjes së sprovave dhe ndëshkimeve nga familja, si dhe nga shoqëria në tërësi.
Transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu nuk dëshiron të dërgojë ndëshkim të caktuar mbi një popull, përderisa dëgjon ndonjë fëmijë duke lexuar “Elhamdulilahi rabil alemin” (Falënderimi I takon Allahut, Zotit të botëve). Allahu subhanehu ve teala, gjersa e dëgjon këtë, nga ai popull ngre ndëshkimin për 40 vjet, për shkak të këtij fëmije.
Shpërblimi i prindërve nëse u mësojnë Kur’anin fëmijëve të tyre
Nga sa u cek më lart, shohim se prindërit do të shpërblehen dhe do të gradohen në pozita të larta, nëse ua mësojnë Kur’anin fëmijëve të tyre. Transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që lexon Kur’an, mëson
dhe punon me të, Allahu –xh.sh. në Ditën e Gjykimit do t’u vërë prindërve të tij një kurorë nga drita (nuri), e cila do të shndrisë sikurse Dielli, dhe do t’u veshë dy rroba të bukura që vlejnë më shumë se kjo botë, ndërsa ata do të pyesin: Përse e merituam këtë? Do t’u thuhet: Për shkak se fëmija juaj përfitoi nga Kur’ani”.
Lusim Allahun xh.sh. që të arrijmë këtë kurorë dhe veshjen e saj Ditën e Gjykimit. Prindërit duhet të mundohen patjetër që fëmijës, gjatë leximit të Kur’anit, t’i shpjegojnë dhe komentojnë sipërfaqësisht e thjesht atë që lexon ai në Kur’an, në mënyrë që kuptimet kur’anore të thellohen dalëngadalë në zemrën dhe mendjen e tij. Disa mendojnë se fëmija është i vogël dhe nuk kupton, ose nuk ka nevojë t’i jepet rëndësi e madhe kësaj kohe për shkak të moshës që ka, mirëpo ajo që shohim nga praktika e myslimanëve të parë, dhe kjo është vërtetuar në psikologjinë bashkëkohore, – është se fëmija, çuditërisht, ka mundësi të përmbledhë njohuri dhe informacione, ashtu siç ka
mundësi të përmbledhë një kompjuter i kohës së sotme.
Kjo vërtetohet nga ajo që transmetohet se Ibn Abasi ka thënë:” Më pyetni për suren Nisa, sepse e kam lexuar (mësuar) kur isha i vogël”.
Ndikimi i Kur’anit tek fëmija
Kur’ani ka një ndikim të mahnitshëm në shpirtin e njeriut në përgjithësi, por ndikimi i tij është më i madh kur zemra dhe brendësia e tij është më e pastër. Ndërsa fëmija është njeriu më i pastër në brendësinë e tij, prandaj edhe ndikimi i Kur’anit tek ai është shumë më i madh. Nëse shikojmë ajetet dhe suret mekase, shohim se ato janë të shkurtra e përmbledhëse, trajtojnë tema me pak fjalë, janë më të lehta për t’i mbajtur në mend dhe ndikimi i tyre është jashtëzakonisht i lartë, e të gjitha këto përshtaten me shpirtin e vogël të fëmijës, prandaj edhe këshillohet që fëmijëve në fillim t’u lexojmë dhe t’ua shpjegojmë më shumë këto sure.
Disa këshilla për mësimin përmendsh të Kur’anit
Mësimi përmendsh i Kur’anit duhet të fillojë qysh në moshën e vogël, duke filluar nga suret e shkurtra për të kaluar tek ato që janë më të gjata.
Imam Shafiu thotë: “Kur’anin e kam mësuar përmendsh kur isha 7 vjeç”. Madje është shumë e arsyeshme që fëmija të fillojë të mësoj pjesë nga Kur’ani qysh në moshën 3 vjeç.
Ebu Asim, njëri prej kolosëve të Islamit, thotë: “Rekomandohet që fëmija të fillojë të mësojë Kur’anin dhe hadithin nga mosha 3 vjeç”.4
Prindërit në fillim fëmijës duhet t’ia mësojnë suret e shkurtra të Kur’anit,sepse kjo është më inkurajuese për të. Dhe, nëse nuk kanë mundësi, atëherë duhet të gjejnë një mësues të përshtatshëm, i cili ka urtësi dhe përvojë në edukimin dhe mësimin përmendsh të Kur’anit për fëmijët.
Fëmija duhet të nxitet dhe të përgatitet moralisht për të mësuar Kur’anin përmendsh, madje rekomandohet edhe inkurajimi material, në mënyrë që fëmija të ketë vullnet sa më të madh për ta mësuar Kur’anin përmendsh. Mësuesi i fëmijës duhet të shpërblehet për punën e madhe që bën. Kështu kishte vepruar Ebu Hanife kur Hamadi, djali i tij, kishte mësuar suren Fatiha, dhe ai kishte shpërblyer mësuesin e fëmijës së tij me 500 dërhemë kur një dash blihej me një dërhem,e mësuesi ishte prekur nga ajo shumë e madhe, dhe i paska thënë se nuk i kishte mësuar fëmijës veçse suren Fatiha. Ndërsa Ebu Hanifja i paska thënë: ”Mos nënvlerëso atë që i mësove fëmijës tim, sepse, sikur të kisha më shumë, do të të kisha dhënë ende”.5
Rekomandohet që fëmija të shpërblehet gjatë leximit ose mësimi përmendsh të Kur’anit. Këtë e vërteton ngjarja e Salahudin Ejubit, i cili, para një beteje, kishte dalë të shëtiste në mesin e ushtarëve të tij, kur papritmas kishte parë një fëmijë duke lexuar Kur’an bukur e rrjedhshëm para babait të tij. Për këtë arsye ai atyre u caktoi ushqim të veçantë nga ushqimi i tij, dhe gjithashtu fëmijës dhe babait të tij u dhuroi një pjesë të kopshtit të tij.6
Prindër të dashur, fëmija në kohën tonë ballafaqohet me sprova të ndryshme bashkëkohore, si në shtëpi, në rrugë, në shkollë e gjetiu, shumica e të cilëve janë në kundërshtim me parimet kur’anore dhe metodologjinë e tij. Prandaj, fëmija duhet të mësohet të sakrifikojë në rrugën e Allahut dhe të qëndrojë pa u lëkundur në programin dhe metodologjinë islame. Dhe mu në këtë gjendje, do të arrijë të shijojë ëmbëlsinë e imanit dhe do të ngrihet lart me devotshmëri. Kështu, përveç kujdesit që duhet të kemi ndaj fëmijëve, gjithashtu duhet t’i nxisim ata në rrugë të mirësisë, duke u sjellë shembuj praktikë nga jeta e fëmijëve që kanë jetuar në kohën e Pejgamberit a.s. dhe të gjeneratave të arta, në mënyrë që të ketë model se si duhet të sakrifikojnë, dhe si duhet t’i përkushtohen rrugës së drejtë islame, duke mos iu frikësuar askujt përveç Allahut xh.sh..
___________________
1. Muhamed Nur Suvejd, Menhexh terbije nebevije litifl , f 25.
2. Abdullah Seraxhudin, Tilavetul kur’anil mexhid,f. 64.
3. Nasirudin Albani, Silsiletul ehadith sahihah, nr.1140.
4. Kifaje fi ilmi rivajeh, Hatib Bagdadi, faqe 116.
5. Feth babul inajeh , Abdulfetah Ebu Gude,f. 19.
6. Nevadir sulltanije,Tevamudin Ebu Feth f. 9.
Nermine Kopriva – Jonuzi
Dituria Islame 237