13.4 C
Pristina
Thursday, May 30, 2024

Feja e tolerancës dhe feja e indiferencës – Justinian Topulli

Më të lexuarat

𝐅𝐞𝐣𝐚 𝐞 𝐭𝐨𝐥𝐞𝐫𝐚𝐧𝐜ë𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐟𝐞𝐣𝐚 𝐞 𝐢𝐧𝐝𝐢𝐟𝐞𝐫𝐞𝐧𝐜ë𝐬

Islami është fe e tolerancës dhe e mëshirës, që do të thotë se ai e fal mëkatarin dhe i jep mundësi atij të pendohet, të ndreqet dhe të përmirësohet dhe nuk ia mbyll kurrë portën e mëshirës, sa të jetë gjallë.

Islami është fe e tolerancës dhe e mëshirës, sepse nuk beson që njeriu lind duke mbartur gjynahun e paraardhësve të tij, por janë jeta dhe sjellja e tij, ato që e bëjnë përgjegjës para Zotit.

Islami është tolerancë dhe mëshirë, sepse pranon bashkëjetesën paqësore, edhe me ata që nuk besojnë në të vërtetën e tij në këtë botë.

Islami është tolerancë dhe mëshirë, sepse nuk i ngarkon besimtarët e tij me obligime që nuk i mbajnë dot, dhe ua lehtëson detyrimet e tij, kur ata gjenden në vështirësi.

Por Islami nuk toleron përhapjen e ligësisë, krimit, korrupsionit, amoralitetit dhe imoralitetit, të pavërtetës, besëtytnive dhe idhujtarisë, ai nuk hesht dhe nuk miraton asnjërin prej tyre, përkundrazi, është në betejë të përhershme me to.

Ndërkohë, shumë prej atyre që dërdëllisin për tolerancë fetare, kërkojnë nga muslimanët të jenë tolerantë, pikërisht ndaj shumë prej këtyre ligësive, pra të jenë indiferentë ndaj çështjeve sociale të njerëzve dhe të merren vetëm me veten e tyre.

Feja e indiferencës sociale është feja dhe besimi i epokës së sotme të idhujtarisë moderne dhe postmoderne, dhe kjo farë feje ka depërtuar edhe në mendësinë e shumë muslimanëve, që fenë e tolerancës e kuptojnë në praktikë pikërisht si fe të indiferencës, sipas keqpërdorimit të sloganit të shenjtë të laicizmit: besimi është çështje private dhe zgjedhje individuale!

Besimi, praktikat, urdhëresat dhe parimet e fesë nuk janë kurrsesi vetëm çështje individuale dhe private të individit. Kushdo që thotë diçka të tillë, ose nuk e njeh fenë siç duhet, ose kërkon t’iu hedhë hi syve të tjerëve dhe t’i shkojë mbas fijes mendësisë së indiferencës sociale, duke pranuar në fakt, se feja është çështje e dorës së dytë, e ngjashme me shijet e njerëzve, duke i mohuar kështu asaj, të drejtën e Zotit për t’u përfshirë në jetën sociale dhe publike të njerëzve.

———————
P.S. Kur ke drejtues fetarë që kanë këto mend dhe që përdorin të njëjtin ligjërim publik laicist në media, vaj hallit me të tjerët. 🤦‍♂️

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit