Lëvizja historike palestineze në krizë legjimiteti pas gjenocidit në Gaza
Lëvizja kryesore në politikën palestineze për më shumë se gjysmë shekulli, Fatah, po kalon një nga periudhat më të vështira të historisë së saj.
Kongresi i Tetë i Përgjithshëm, i mbajtur në Ramallah ditët e fundit, tregoi një lëvizje të zhytur në “lodhje organizative”, dhe luftëra të brendshme për pushtet, ndërkohë që populli palestinez përballet me sfida ekzistenciale në fronte të shumta, raporton portali Mondoweiss.
Në vend që të ishte një platformë për reforma rrënjësore, kongresi u perceptua nga kritikët si një proces i kontrolluar rreptësisht për të ruajtur status-quonë. Figura të larta si Nasser al-Qudweh e akuzojnë udhëheqjen aktuale se ka shpërfillur rregulloret e brendshme dhe ka zgjedhur me kujdes delegatët për të garantuar rizgjedhjen e të njëjtës elitë drejtuese.
Sipas analistëve si Ibrahim Abrash dhe Ali al-Jarbawi, Fatah-u vuan nga një “kalbëzim strukturor”. Debati brenda lëvizjes është zhvendosur nga strategjitë e çlirimit kombëtar drejt pragmatizmit burokratik dhe shpërndarjes së posteve në Komitetin Qendror.
Ky fragmentim institucional sipas Mondoweiss, po ndodh në një moment kritik kur Bregu Perëndimor po aneksohet de facto dhe Gaza mbetet në një gjendje të pasigurt të pas-luftës.
Një nga pikat më të dobëta të Kongresit është pamundësia për të integruar rrymat e ndryshme të lëvizjes. Përjashtimi i figurave si Muhammad Dahlan dhe bojkotimi nga ana e Al-Qudweh tregojnë se lidershipi i Mahmoud Abbas preferon përjashtimin përballë pluralizmit.
Megjithatë, sfida më e madhe mbetet Marwan Barghouti. Edhe pse ndodhet në burgjet izraelite prej dy dekadash, ai gëzon popullaritetin më të lartë ndër palestinezët.
Refuzimi i familjes së tij për të marrë pjesë në kongres, flet për një çarje të thellë midis “bazës së terrenit” dhe “elitës së Ramallahut”. Një lëvizje që nuk mund të përfshijë simbolin e saj më të fuqishëm të rezistencës, thekson më tej në analizën e saj Mondoweiss, rrezikon të kthehet në një entitet administrativ pa mbështetje popullore.
Sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes, Jibril Rajoub, e ka pranuar dobësinë e organizatës, por këmbëngul se Fatah-u mbetet e vetmja forcë e aftë për të udhëhequr projektin kombëtar drejt “legjitimitetit ndërkombëtar”.
Ai e sheh kongresin si një hap drejt pajtimit me Hamasin, por kjo duket e vështirë pa një reformim të brendshëm të besueshëm. Në këto kushte, Kongresi i Tetë mund të jetë ose fillimi i një rindërtimi të dhimbshëm, ose konfirmimi i një krize që po e çon Fatahun drejt humbjes së rolit të tij udhëheqës.
Analistët vendas thonë se pa një “vetë-reflektim të vërtetë” dhe pa hapjen e rrugës për një lidership të ri që përfaqëson pluralizmin palestinez, lëvizja rrezikon të mbetet vetëm një emër historik, ndërsa pesha politike e Palestinës kalon në duart e aktorëve të tjerë. \tesheshi.com\
