Në një fjalim të mbajtur në prill të vitit 1213, Papa Inoçenti III shfaqi një përfytyrim dëshiror lidhur me fundin e Islamit. Ai deklaroi me besim të thellë:
“Ne besojmë te Zoti, i cili tashmë na ka dhënë një ogur të favorshëm se fundi i kësaj përbindësha [duke iu referuar Islamit] është i afërt. Numri i tij, sipas Zbulesës së Gjonit, është 666, dhe nga ky numër tashmë kanë kaluar afërsisht gjashtëqind vjet.”
Në të njëjtën linjë mendimi, por disa dekada më vonë, filozofi i mirënjohur perëndimor Roger Bacon (vd. 1292) shpreh entuziazëm të ngjashëm. Ai, me gëzim të theksuar, citon astrologun musliman Abu Ma‘shar al-Balkhi (vd. 271 hixhri), i cili sipas tij kishte parashikuar se feja islame – të cilën Bacon e përkufizon si “kjo sektë” – nuk do të zgjaste më shumë se 693 vjet.
Roger Bacon, duke përllogaritur kohën e vet, thekson se kishin kaluar tashmë 665 vjet, dhe se ai po priste me padurim asgjësimin përfundimtar të Islamit dhe ndjekësve të tij. Si dëshmi për afrimin e këtij përfundimi, ai sjell si shembull invatimin mongol, i cili solli rrënimin e shumë qyteteve dhe mbretërive muslimane nga Lindja e Largët deri në kufijtë perëndimorë të botës islame.
Ai gjithashtu përforcon këtë bindje duke përmendur vdekjen e Kalifit Abbasid, të cilin e përshkruan, me një analogji të krishterë, si “papën e muslimanëve”. Sipas tij, mongolët jo vetëm që pushtuan Bagdadin, selinë e kalifatit abbasid, por edhe masakruan një numër të madh të banorëve të saj muslimanë.
Mirëpo, realiteti historik dëshmon të kundërtën: viti 693 hixhri nuk shënoi fundin e Islamit, por për ironi të fatit, ishte viti në të cilin ndërroi jetë vetë Roger Bacon.
Sa i përket parashikimeve që ai ia atribuon Abu Ma‘shar al-Balkhi-t, ato janë të njëjta me pohimet e mëhershme të filozofit Abu Jusuf Jakub al-Kindi (vd. 256 hixhri). Të dy këta mendimtarë janë dakord se “përhapja dhe fuqia e arabëve erdhi për shkak të fesë së tyre”.
Për më tepër, al-Kindi dhe al-Balkhi nuk parashikuan fundin e Islamit si fe, por fundin e dominimit politik të arabëve, duke e kufizuar këtë periudhë në 693 vjet.
Al-Kindi shkon edhe më tej, duke pretenduar se kjo kohëzgjatje gjendet e koduar në Kur’anin Famëlartë, dhe se ajo përfaqëson shumën e shkronjave të ndara (huruf al-muqatta‘a) që ndodhen në disa prej ajeteve të tij.
