6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Eurodeputeti holandez i reagon zëdhënësit të BE-së: Ndaloni zbutjen e destabilizuesve [Serbisë]

Më të lexuarat

Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili tha se BE do të presë përfundimin e hetimeve për sulmin terrorist në veri të Kosovës para se të ndërmarrë ndonjë masë ndaj Serbisë.

Reuten tha se kjo është e pajustifkueshme dhe u kërkoi shteteve të BE-së të ndalojnë zbutjen katastrofike të autokratëve dhe destabilizuesve [Serbisë].

“Kjo është e pajustifikueshme! Ndaloni këtë zbutje krejtësisht katastrofike të autokratëve dhe destabilizuesve. Ju lutem shtetet anëtare të Këshillit të BE-së; korrigjoni këtë kurs tani! Stop zbutjes!”, ka shkruar Reuten në X, transmeton Telegrafi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë shtypi sot i është përgjigjur pyetjeve rreth kërkesave të disa shteteve anëtare për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Tash kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës, pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohen dhe përmbyllen hetimet. Dhe kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, pasi kjo të jetë e qartë do të marrim vendimet e duhura”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së përsëriti se masat ndëshkuese ndaj Kosovës – të vendosura në korrik për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për tensionet në veri – janë specifike, fleksibile dhe janë vendosur me pajtimin e shteteve anëtare.

Po ashtu masat, sipas tij, mund të vendosen edhe ndaj Serbisë nëse kështu vlerësojnë shtetet anëtare.

Stano tha se BE-ja nuk do të nxitohet me konkluzione pas u përfunduar hetimet.

Ai përsëriti disa herë se hetimet janë duke u kryer nga autoritetet e Kosovës dhe aty ku kërkohet po asiston edhe misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë.

Stano nuk deshi të komentojë akuzat nga Prishtina për përfshirjen e mundshme të nënkryetari të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit