Erdogan: BE-ja jo domosdoshmëri, Turqia më se e aftë të qëndrojë mbi këmbët e veta

Më të lexuarat

I ftuar i gazetares Zeinab Badawi në emisionin “HARDtalk” të “BBC”, Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia është më se e aftë të qëndrojë mbi këmbët e veta dhe se BE-ja nuk është një domosdoshmëri për vendin e tij…

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se gjatë aktiviteteve me rastin e përvjetorit të parë të tentativës për grusht shteti, ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste gyleniste (FETO), do të shihet qartë se sa e bashkuar dhe e solidarizuar është Turqia.

Kreu i shtetit turk ishte i ftuar i gazetares Zeinab Badawi në emisionin “HARDtalk” të rrjetit transmetues britanik “BBC”.

Teksa u dha përgjigje pyetjeve të shumta në lidhje me përpjekjen tradhtare për grusht shteti të 15 korrikut 2016, luftën kundër FETO-s, krizën e Katarit dhe marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian, Presidenti Erdogan tërhoqi vëmendjen sidomos mbi aktivitetet përkujtimore të 15 korrikut gjatë ditës së premte, të shtunë dhe të diel.

“Me këto aktivitete bota do të shohë përsëri se në çfarë pike është uniteti ynë”, tha ai.

Në vijim, lideri turk reagoi ndaj kritikave në lidhje me arrestimet në kuadër të luftës kundër FETO-s.

“Gjatë bashkimit të Gjermanisë Lindore me Gjermaninë Perëndimore u pezulluar mbi 500 mijë njerëz. Askush nuk e ngre zërin. Por kërkohet që të mos ketë ndërhyrje kundër atyre, që u përpoqën të bëjnë grusht shteti në Turqi. Një diçka e tillë nuk ekziston”, u shpreh Presidenti Erdogan.

Sa për marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian, ai vuri në pah se Brukseli nuk i ka mbajtur premtimet.

“Ne u qëndruam besnikë premtimeve tona. Nëse BE-ja na thotë haptazi dhe qartë se ‘nuk mund ta pranojmë Turqinë në Bashkimin Evropian’, ky do të jetë lehtësim për ne; sepse atëherë do të vëmë në zbatim planet tona B dhe C. BE-ja nuk është një domosdoshmëri për ne”, nënvizoi kreu i shtetit turk.

Ai siguroi se Turqia është më se e aftë të qëndrojë mbi këmbët e veta dhe shtoi: “Aktualisht shumica e popullit tim nuk e do BE-në dhe nuk e vlerëson qëndrimin e saj ndaj nesh si të sinqertë. Megjithatë ne do të jemi të sinqertë kundrejt Bashkimit Evropian edhe një kohë të caktuar; të shohim deri ku do të shkojë.”

Presidenti Erdogan reagoi gjithashtu ndaj fushatave shpifëse të mediave perëndimore kundër Turqisë duke paralajmëruar me fjalët: “Mos e mashtroni botën me gënjeshtra!”

Më tej, Erdogan tha se vendi i tij po punon fuqishëm për paqe dhe stabilitet në Gjirin Persik.

“Turqia nuk dëshiron kurrë dhe në asnjë mënyrë që myslimani të bëhet armik i myslimanit në këtë rajon. Turqia është shtet që paguan çmim në këto ngjarje. Këto nuk i duam dhe një diçka të tillë nuk e pranojmë kurrsesi as në Katar”, vlerësoi ai.

Në mbyllje të intervistës, presidenti turk potencoi se vendi i tij do të luftojë deri në fund kundër terrorizmit.

“Problemi ynë i vetëm ka të bëjë me organizatën terroriste PKK dhe fraksionin sirian të saj, PYD/YPG; por edhe me organizata terroriste si DHKP-C, DAESH dhe FETO. Ne bëjmë përkufizimin e terrorit dhe cilado që është organizatë terroriste, ajo është armikja jonë. Lufta jonë kundër tyre do të vazhdojë deri në fund”, tha Erdogan.

Emisioni “HARDtalk”, ku i ftuar special ishte Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Angli do të transmetohet të premten.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit