Bllokimi i sistemit Starlink paralizon komunikimet dhe koordinimin e forcave të Kremlinit në vijën e frontit
Në një kthesë strategjike që po ndryshon dinamikën e fushëbetejës, ushtria ruse ka humbur aksesin në sistemin satelitor Starlink, duke mbetur e “verbuar” në aspektin e komunikimit. Ky vendim erdhi pas ndërhyrjes së qeverisë ukrainase dhe bashkëpunimit me kompaninë SpaceX të Elon Musk, për të bllokuar terminalet që rusët kishin siguruar në mënyrë të paligjshme përmes kontrabandës.
Starlink është bërë shtylla kurrizore e operacioneve moderne në Ukrainë, duke ofruar një rrjet prej rreth shtatë mijë satelitësh që mundësojnë internet të shpejtë dhe të sigurt. Për rusët, ky sistem ishte bërë jetik.
Madje ata kishin nisur t’i montonin terminalet në dronë, duke u dhënë atyre rreze më të gjatë veprimi dhe imunitet ndaj mbrojtjeve elektronike. Megjithatë, kjo epërsi teknologjike u shua brenda natës.
Blogerët ushtarakë rusë dhe analistët në Telegram kanë konfirmuar ndërprerjen masive të lidhjes, duke pranuar se aktualisht nuk ekziston asnjë alternativë e barasvlershme. Pa Starlink, shumë njësi ruse janë izoluar tërësisht, duke humbur aftësinë për t’u koordinuar me pjesën tjetër të ushtrisë.
Por problem mbetet edhe siguria. Sistemet tradicionale si radioja janë lehtësisht të kapshme, çka do të thotë se çdo lëvizje e trupave ruse tani rrezikon të dekonspirohet nga inteligjenca ukrainase.
Procesi i bllokimit, i udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, është sa i thjeshtë aq edhe efikas. Ukraina ka krijuar një “listë të bardhë” me terminale të autorizuara; çdo pajisje tjetër që tenton të lidhet nga zonat e frontit çaktivizohet automatikisht.
Për më tepër, SpaceX ka vendosur një kufizim shpejtësie: terminalet që lëvizin me më shumë se 75 km/h fiken, duke e bërë të pamundur përdorimin e tyre në dronë sulmues. Ky izolim teknologjik vjen në një moment kritik gjeopolitik, ku marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë po kalojnë midis tensioneve bërthamore – me skadimin e traktatit New START – dhe përpjekjeve simbolike për të hapur kanale komunikimi ushtarak.
Ndërsa Rusia premton të ndërtojë rrjetin e saj satelitor, ky projekt kërkon vite për t’u realizuar. Deri atëherë, ushtria ruse mbetet në një kaos komunikimi, ndërsa Ukraina konsolidon avantazhin e saj teknologjik në fushëbetejë. /tesheshi.com/
