EKUACIONI “I PAZGJIDHSHËM” FE – KOMB – Sokol Ademi

Më të lexuarat

Agresioni mediatik që turbullon realitetin e kohës dhe lë hapësirë për furtunën e hipotezave nuk duhet të bëhet pengesë në analizimin e fakteve për të kuptuar aktualitetin në Ballkan. Ekziston një trysni e fortë e nacionalizmit në këto anë, ushqyer më së shumti nga urrejtja patologjike, e cila ndikon në karakterin e marrëdhënieve diferencuese midis shqiptarëve dhe popujve fqinj e pikërisht kjo diferencë mes kombeve lidhet drejtpërsëdrejti me faktorin etniko-fetar, që përbën boshtin e historisë moderne të popujve tanë dhe shtratin e diplomacisë së rajonit.

Shtetet e para ballkanike që u formuan gjatë shek.XIX si satelitë të gjeopolitikës evropiane e mbështetën ekzistencën e tyre në entitetin e përbashkët fetar ortodoks, duke e kthyer atë në bazë për strukturat demografike përkatëse. Zyrtarizimi i këtij kriteri rezultoi në politizimin dhe shfrytëzimin e fesë në funksion të qëllimit të ulët të luftës kundër ekzistencës së popujve. Në çështjen e dallimeve etno-religjioze, klerikalizmi si serë e ekstremitetit fetar, në një linjë paralele me iniciativat shovene të shteteve të caktuara, ka arritur të mbjellë tek gjeneratat e reja ndjenjën e inferioritetit dhe utopinë “supremaciste”, gjë që ka çuar në përgënjeshtrimin e realitetit dhe indoktrinimin masiv afatgjatë të shoqërisë. Përpunimi ideologjik i popullit, proces ky që në zhargon quhet “lavazh i trurit”, përgatiti arealin e ardhshëm historik mbi të cilin politika krijoi derivatet e saj. Frytet e kësaj veprimtarie shumëvjeçare u panë tek konfliktet e njëpasnjëshme në gadishullin ballkanik ku nuk munguan episodet e dhunshme të deportimit të popullatave dhe tjetërsimit etnik.

Në këndvështrimin shqiptar, parimet e etnosit natyral si tradita, kultura dhe gjuha kanë zhvilluar tiparet e kompaktësisë së komunitetit ose thënë ndryshe, strukturën reale të nacionit, brenda së cilës feja ka ndikuar si një faktor i bashkëjetesës dhe harmonisë për t’u kthyer më pas në një vlerë kombëtare dhe shembull të lartë për atë pjesë të civilizimit botëror ku luftërat ndërfetare kanë dhënë efekte shkatërruese. Shqiptarët gëzojnë një pozitë të ndryshme nga popujt fqinj si një komb që arrin të bëjë dallimin e saktë midis fesë dhe etnisë dhe t’i japë secilës vendin që i takon. Kombi dhe religjioni janë dy gjëra të ndryshme të cilat bashkërendojnë vlerat qytetare në shoqërinë njerëzore, ndërkohë që opozitarizmi i tyre është thjesht një sinonim i marrëzisë fashiste, një paranojë e historisë. Në fokus të doktrinave supremaciste të disa shteteve ballkanike është legjenda e përgjithshme e “qëndresës ndaj pushtimit turk” e cila shërben si fasadë propagandistike e luftës kundër ekzistencës së Islamit në tërësi dhe popullatave me përkatësi fetare islame tepër të lartë në veçanti, të tillë si shqiptarët dhe boshnjakët. Zgjerimi territorial i fuqive shoviniste, karakterizuar nga vazhda e falsifikimeve kulturore e historike bëhet nën tharmin kristian, pa të cilin këta “grumbuj etnish” zhbëhen plotësisht. Investimi 200-vjeçar në pamundësimin e ndarjes së termit “komb” nga termi “fe” në fushën ideologjike anti-myslimane ka ndikuar në formësimin e antishqiptarizmës, si një pjellë e islamofobisë në rajon. Ky holokaust sllavo-helen mbi shqiptarët, nxitur nga Rusia në procesin e realizimit të projektit të saj për daljen e gjerë në ujërat e Mesdheut dhe “miratuar” nga diplomacia perëndimore në qasjet e saj të ndryshme ndaj Turqisë dhe shteteve me shumicë myslimane që gjenerojnë mbështetjen e Ankarasë zyrtare si Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Kosova e Shqipëria, e ktheu faktorin shqiptar në një gur shahu të interesave të përgjithshme të të huajve. Copëtimi i qëllimshëm i territoreve ku shqiptarët gëzonin një autoktoni historike të padiskutueshme ishte një nga etapat e goditjes monstruoze që do t’i jepej kombit tonë nëpërmjet shovinizmit ballkanik, ku përveç përpjekjeve serioze për zhdukjen e myslimanizmit, u synua shfarosja totale e elementit shqiptar si një proces gjithëpërfshirës. Ngjarjet e rënda në mbarë vendin tonë përgjatë viteve 1878, 1912, 1913, 1914, 1923, 1944 dhe 1999 hedhin dritë mbi tragjedinë shqiptare.

Gjeneza e ekuacionit të pazgjidhshëm fe-komb gjendet tek politikat klerikaliste që çekuilibrojnë Ballkanin. Në të kundërt, një ripërtëritje e elementeve të goditura nga sëmundja kronike nacionalshovene dhe fanatizmi fetar, e konkretisht ripërtëritja e shqiptarëve si një komponent i rëndësishëm për zhvillimet në rajon e më gjerë do ta çojë fiktivitetin politiko-shoqëror të fqinjëve drejt vetëasgjësimit, për parandalimin e së cilës (e pamundur por e lejueshme të ëndërrohet) shovinistët janë detyruar të konkretizojnë aspiratat hegjemoniste të tyre në manifestet e para të kombëtarizmit përkatës si Naçertania dhe Megali Idea. Në vitin 1844, politikani ultranacionalist serb Ilija Garashanini, i frymëzuar nga e ashtuquajtura “doktrina e shenjtë serbe” dhe i prirur nga ideja e “superioritetit” racor dhe fetar të popullit të tij, hartoi programin politik “Naçertania”, në të cilin parashtronte synimet aneksioniste për ringjalljen e mbretërisë së Car Dushanit nën justifikimin e “të drejtave të shenjta të historisë serbe”. Garashanini skicoi “Lebensraumin e ardhshëm jugosllav” si pikë orientimi për politikën që duhej të ndiqte shteti serb në të ardhmen me objektiv kryesor spastrimin e plotë të popullatave të huaja e kryesisht asaj shqiptare. Prof.Dr.Hakif Bajrami në studimin e tij rreth planeve serbe për zhdukjen e shqiptarëve shprehet se: “Naçertania nuk është kreaturë intelektuale, por rezultat i një politike të “religjionit ortodoks” pansllavist në kuptimin ekstrem, në mënyrë që diplomacia e Petërburgut të arrijë në një shkallë të denjë për të hedhur “spirancat e veta në Ballkan.”* Pjesëmarrja aktive e kishës ortodokse serbe në konfliktet e rënda që përfshinë gadishullin ballkanik gjatë shekullit të kaluar dhe përkrahja e hapur ndaj vrasësve e përdhunuesve serbë “në emër të fesë” vërteton katërcipërisht karakterin religjioz të përplasjes rajonale.

Në të njëjtin vit, 1844, në Greqi do të shënohej lindja e djathtizmit ekstrem, e manifestuar nga vepra e titulluar Megali Idea ose Ideja e Madhe e kryeministrit helen të kohës, Jani Koleti. Si një koncept nacionalist që do të hynte në baza shkencore për krijimin e ideve neo-heleniste dhe planifikimin e politikës së jashtme greke, Megali Idea shpallte aspiratën kombëtare për zgjerimin e Greqisë në kufinjtë e ish-Perandorisë Bizantine, si një shtet homogjen ortodoks. Ashtu si në rastin serb, Ideja e Madhe ishte një platformë ideologjike e mbështetur në ekspansion, asimilimin e detyruar dhe klerikalizëm, një nga piketat kryesore të së cilës mbetet aneksimi i Shqipërisë së jugut si një hapësirë territoriale që përmbush interesat e makutërisë shovene dhe që ka përbërë një nga prioritetet e diplomacisë greke të dy shekujve të fundit.

Progresi shoqëror dhe politik shqiptar nuk duhet të ketë si pikënisje nacionalizmin e tejskajshëm apo urrejtjen fetare që rrezikon t’i ulë të vërtetat tona në nivelin e pretendimeve boshe të shqiptarofobisë. Botëkuptimi ynë i ri duhet të pastrohet nga çdo ndikim, të përqendrohet në realitetin identitar dhe të skicojë idetë e qarta për sigurinë dhe prosperitetin e brezave të ardhshëm, duke u bazuar në edukim dhe vetëm në edukim, si e vetmja mënyrë për të përcjellë ato vlera që garantojnë zhvillimin e dëshirueshëm për shoqërinë.

 

 

* Prof.Dr.Hakif Bajrami, “Naçertania, programi politik serb që shpie në shfarosjen e shqiptarëve 1844-1999” f.24

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit