6.1 C
Pristina
E enjte, 13 Maj, 2021

E fshehta e bukurisë

Më të lexuarat

Vendimin mbi nëse një fytyrë është e bukur apo jo ne e marrim shumë shpejt. Shkencëtarët pretendojne se i kanë gjetur proceset vendimmarrëse për këtë në një pjesë të lashtë, të parë nga historia e zhvillimit, të trurit tonë.

Studimet kanë treguar se njerëzit e bukur e kanë të lehtë në jetë. Ata parapëlqehen që kur janë të vegjël. 

Studimet tregojnë se bebet ia ngulin më tepër sytë të njëjtave fytyra që të mëdhenjtë i gjejnë tërheqëse. Me sa duket fëmijët e vegjël e kapin që në moshë të vogël nëse një fytyrë është e bukur.

Ajo që duket të jetë e sigurt është se e fshehta e bukurisë së fytyrës qëndron në një pjesë të madhe në simetrinë e saj. Shkencëtarët u kanë treguar fotografi fytyrash grash njerëzve të kulturave të ndryshme. Para së gjithash ato që kishin fytyra tepër asimetrike u vlerësuan si jotërheqëse nga këta njerëz. Ato nuk dukeshin të shëndetshme. Për shkencëtarët kjo është një shenjë që tregon se një fytyrë simetrike shpalos një gjendje të mirë shëndetësore. Në shumë kultura në raste festash theksohen me vizatime simetritë e fytyrës. Këto mund të ishin çelësi zbërthyes i idealit të bukurisë së përhapur në të gjithë popujt.

“Fytyra e mesme e përpjesshme” duket më tërheqëse me sa duket për shkak të simetrisë më të madhe dhe të një lëkure më të lëmuar (figura: Beautycheck)

Në një studim tjetër shkencëtarët shkrinë së bashku shumë fotografi grash në një të vetme dhe lanë personat e testuar të vlerësonin përfundimin. Kjo fytyrë “e mesme e përpjesshme” iu duk pjesës më të madhe me e bukur se fotografitë origjinale. Ndoshta ka të bëjë me atë që përmes shkrirjes së bashku fytyra e së mesmes së përpjesshme bëhet më simetrike. Përveç kësaj zhduken rrudhat dhe papastërtitë e fytyrës. Kjo i çoi shkencëtarët tek gjurmët e disa prej faktorëve më të rëndësishëm të bukurisë: lëkura e lëmuar, e pastër. Ajo pasqyron rini dhe një sistem të mirë imunitar.

Si përfundim shkencëtarët mendojnë se bukuria i dërgon një mesazh partnerit. Një fytyrë e bukur tregon cilësi të fshehura, si një sistem të pacenuar imunitar ose një formim të patrazuar trupor. Kështu bukuria lehtëson kërkimin për një partner të shëndetshëm. Këto raporte krijojnë në mënyrë të pavetëdijshme zemberekun për zgjedhjen e partnerit edhe pse mendojmë se kjo gjë nuk mund të na kapë ne. Dëshira për të pasur pasardhës të shëndetshëm, ndikon sjelljen tonë. Që dikush na duket i bukur, është e lidhur ngushtë me atë që, nëse ky person mund të ishte ati ose ëma e fëmijëve tanë.

Burimi: Die Schönheitsfalle, Abenteurer Forschung, ZDF

Përgatiti për Rruzull.net: Alvin Ekmekciu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit