12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Disa këshilla për ruajtjen e shëndetit gjatë Ramazanit

Më të lexuarat

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit mënyra e të ushqyerit tonë nuk duhet që të dallojë shumë nga ajo normale dhe duhet që të jetë sa më e thjeshtë.

Mënyra e të ushqyerit duhet që të jetë e tillë që ta ruajmë peshën normale, duke mos fituar dhe duke mos humbur në peshë.
Duke pasur parasysh orët e gjata të agjërimit duhet që të marrim ushqim i cili tretet ngadalë dhe jo ushqim i cili tretet shpejt. Ushqimi i cili tretet ngadalë zgjat deri 8 orë, ndërsa ushqimi i cili tretet shpejt zgjat vetëm 3-4 orë.

Ushqimet të cilat treten ngadalë janë ushqimet të cilat përbëhen nga elbi, gruri, misri, griza, fasulja, mielli i ngrytë, orizi i papërpunuar etj. (të ashtuquajturat karbohidrate komplekse).

Ushqimet të cilat treten shpejt janë ushqimet të cilat përmbajnë sheqerna, mielli i bardhë etj. (të ashtuquajturat karbohidrate të përpunuara).
Ushqimet me fije janë ushqimet si: drithërat, kungulli, farëra; perimet si: bizelet, borania, spinaqi, karrotat, si dhe pemët me lëvore, pemët e terura, veçanërisht: kumbullat, kajsiat, pastaj bademat, fiqët etj.

Ushqimi i cili merret duhet që të jetë mirë i ekuilibruar, me lloje nga të tri grupet e përmendura, p.sh.: pemë, perime, mish/pulë, peshk, bukë/drithëra dhe produkte të qumështit. Ushqimet e fërguara nuk janë të shëndetshme dhe marrja e tyre duhet që të kufizohet. Ato shkaktojnë çregullime të tretjes, dhembje në lukth dhe probleme me peshë.

DUHET SHMANGUR

Ushqimit të fërguar dhe me shumë yndyrë.
Ushqimeve të cilat përmbajnë shumë sheqerna.
Ngrënies së tepruar veçanërisht para lindjes së diellit.
Pirjen e tepruar të çajit gjatë të ushqyerit para agimit. Çaji shkakton humbjen e mineraleve dhe elektroliteve të vlefshme nëpërmjet urinimit të sforcuar.
Pirjes së duhanit. Pirja e duhanit nuk është e shëndetshme dhe marrja e tij duhet që të ndërprehet plotësisht.

DUHET MARRË

Karbohidratet komplekse gjatë ushqimit para agimit (suhur) ashtuqë ushqimi zgjat më tepër duke e zvogëluar ndjenjën e urisë.
Hurmet janë burim i shkëlqyeshëm i sheqernave, fijeve, kaliumit dhe magneziumit.
Bademat janë të pasur me proteine dhe me fije, si dhe kanë pak yndyrë.
Bananet janë burim i mirë i kaliumit, magneziumit dhe sheqernave.

LËNGJET

Duhet marrë sa më tepër ujë ose lëngje të pemëve ndërmjet iftarit dhe rënies në gjumë ashtuqë trupi juaj do të ketë mundësi që të rregullon nivelin e lëngjeve trupore me kohë.

VËSHTIRËSITË MË TË ZAKONSHME MEDICINALE

Konstipacioni (Kapsllëku)

Konstipacioni mund të shkaktojë paraqitjen e hemoroideve, çarjeve në kanalin anal dhe vështirësi të tretjes të shoqëruara me ndjenjën e rëndimit.
Shkaqet: përdorimi i tepruar i ushqimit jonatyral, pak lëngje në ushqim dhe pak ushqim me fije.
Shërimi: marrja e shtuar e ujit dhe largimi nga marrja e panevojshme e ushqimit të përpunuar, jonatyral.

Erërat (gazrat) dhe vështirësitë në tretje

Shkaqet: Marrja e tepërt e ushqimit. Marrja e tepruar e ushqimit të fërguar, të yndyrshëm, të djegëst, si dhe të artikujve ushqimorë të cilët prodhojnë gazra si psh., vezët, lakrat, lëngjet e karbonizuara (me gaz) etj.

Shërimi: Mos hani tepër, pini lëngje të pemëve më tepër ose pini vetëm ujë. Largojuni ushqimit të fërguar.

Përgjumësia (“ulja e tensionit të gjakut”)

Djersitja e sforcuar, plogështia, lodhja, mungesa e energjisë, marramendja, veçanërisht me rastin e ngritjes nga pozita e ulur, zbehja dhe ndjenja se do ta humbas vetëdijen janë simptoma të cilat e shoqërojnë “uljen e tensionit të gjakut”. Kjo ka tendencë që të paraqitet në orët e pasdites.

Shkaqet: Pak lëngje në ushqim ose marrja e zvogëluar e kripërave.

Shërimi: Qëndroni në ambient më të ftohtë, shtoni marrjen e lëngjeve dhe të kripërave.

Vërejtje: Tensioni i ulët i gjakut mund të verifikohet vetëm me matjen e tij në momentin kur simptomat e lartpërmendura janë prezente. Personat të cilat lëngojnë nga tensioni i lartë i gjakut duhet që ta përshtatin marrjen e medikamenteve gjatë muajit të Ramazanit në këshillim me mjekun e tyre.

Kokëdhembja

Shkaqet: ndërprerja e marrjes së kafes dhe duhanit; angazhimi i tepruar gjatë ditës, mungesa e gjumit, uria e cila shtohet kah fundi i ditës. Kur të shoqërohet me “tensionin e ulët të gjakut”, kokëdhembja mund të jetë mjaft e rëndë dhe poashtu mund që të shkakton mundim dhe vjellje para iftarit.

Shërimi: Filloni zvogëlimin e marrjes së duhanit ose të kafes një deri dy javë para fillimit të muajit Ramazan. Riorganizoni orarin tuaj gjatë muajit të Ramazanit ashtuqë të keni mjaft kohë për gjumë.

Ulja e sheqerit në gjak

Lodhja, marramendja, plogështia, përqëndrimi i dobët i vëmendjes, djersitja e sforcuar, ndjenja e dridhjes së trupit, paaftësia për të kryer aktivitete fizike, kokëdhembja, të rrahurat e shpejtuara të zemrës, janë simptoma të uljes së nivelit të sheqerit në gjak.

Shkaqet (te personat të cilët nuk lëngojnë nga sëmundja e sheqerit):
Marrja e tepëruar e ushqimit me sheqerna veçanërisht para agimit (suhur). Në këtë rast trupi prodhon sasi të tepruar të insulinit duke e shkaktuar rënien e nivelit të sheqerit në gjak në orët e pasdites.

Shërimi: Hani diç para lindjes së diellit (suhur) dhe kufizoni me këtë rast marrjen e tepruar të ushqimit me sheqerna si dhe të lëngjeve.

Vërejtje: Personat të cilët lëngojnë nga sëmundja e sheqerit duhet të kenë parasysh nevojën e përshtatjes së terapisë së rregullt gjatë muajit të Ramazanit, në këshillim me mjekun e tyre.

Shtangimet e muskujve

Shkaqet: Marrja e pakët e kalciumit, magneziumit dhe kaliumit me ushqim.

Shërimi: Hani ushqim i cili është i pasur me mineralet e lartpërmendura, si psh.:perime, pemë, produkte të qumështit, mish, dhe hurme.

Vërejtje: Personat të cilët marrin barna kundër tensionit të lartë të gjakut dhe ata të cilët lëngojnë nga gurët në veshkë duhet që të këshillohen me mjekun e tyre.

Ulçera peptike (i thati në lukth ose në zorrën dymbëdhjetgishtore), djegësima në gjoks, pezmatimi i lukthit dhe hiatus hernia.

Shkaqet: Prodhimi i shtuar i thartinës në lukth gjatë muajit të Ramazanit i vështirëson rrethanat e lartpërmendura. Kjo manifestohet me ndjenjë të pakëndshme të djegies në regjionin e lukthit e cila fillon nën brinjë dhe mund të përhapet deri në fyt. Ushqimet e djegësta, kafeja, dhe lëngjet me gazra e keqësojnë këtë gjendje.
Shërimi: Ka barëra me të cilët mund të kontrollohet sasia e thartinës në lukth. Personat të cilët e kanë të verifikuar ulçerën peptike ose hiatus hernin duhet që të këshillohen me mjekun para fillimit të muajit ramazan.

Gurët në veshkë

Gurët në veshkë mund të lajmërohen tek njerëzit të cilët marrin pak lëngje. Kështuqë është e domosdoshme që të merren më tepër lëngje me qëllim të parandalimit të formimit të tyre.

Dhembjet në nyje

Shkaqet: Mbingarkimi i nyjeve gjatë faljes së namazit. Te personat e moshuar dhe te ata të cilët lëngojnë nga pezmatimi i nyjeve (arthritis) kjo mund të manifestohet me dhembje, shtangim, ajtje dhe ndjenjë të pakëndshme në nyje.

Shërimi: Zvogëloni peshën ashtuqë nyjet të lirohen nga pesha e tepërt. Bëni ushtrime për këmbë. Gatishmëria fizike mundëson kryerjen e lehtë të faljes së namazit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit