12.6 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Dimensioni fetar në memorien historike të Tiranës

Më të lexuarat

Tirana: Qyteti i ndërtuar mbi një infrastrukturë shpirtërore

Qyteti i Tiranës ndonëse ka një histori modeste në krahasim me shumë kryeqytete evropiane, përsëri ai përbën një nga modelet e veçanta të zhvillimit urban në Evropë, atë të ndërthurjes së vlerave të traditës historike me ato të trashëgimisë fetare dhe pikërisht për këtë ajo meriton një vëmendje të veçantë.

Bërthama e parë historike dhe urbane e qytetit ka një zanafillë të karakterit shpirtëror dhe fetar. Ajo lindi dhe hodhi shtat së bashku me ndërtimin e xhamisë së Sulejman Pashës dhe kompleksin përreth saj në vitin 1614, në qendër të strukturës së sotme të Tiranës dhe në këtë mënyrë nga pikëpamja historike e arkitektonike ajo simbolizon lindjen e qytetit të Tiranës.

Edward Lear, ndërsa vizitonte Tiranën në shtatorin e vitit 1848, vinte re se “Tirana është dukshëm një qytet me vëmendje të madhe ndaj fesë. Në asnjë pjesë tjetër të Shqipërisë nuk ka xhami kaq të bukura”, (E. Lear, Journals of a landscape painter in Albania &C, London, MDCCCLI, (1851), f.106).

Në statistikat e tij, Teki Selenica ka shënuar se në vitin 1927, në Tiranë ka pasur 82 xhami dhe 95 hoxhallarë, (T. Selenica, Shqipëria me 1927, Tiranë, 1928, f.446). Sqarojmë se këtu bëhet fjalë për atë që ne sot quajmë rrethi i Tiranës. Ibrahim Dalliu shkruan se në fund të shekullit XIX, në qytetin e Tiranës ka pasur 19 xhami të mëdha e të vogla, (H. I. Dalliu, Patriotizma me Tiranë, Tiranë, 1930, fq.17).

Ndërsa xhamia e vjetër e Sulejman Pashës simbolizon lindjen e Tiranës, xhamia e Ethem Beut simbolizon memorien vizuale historike të qytetit të sotëm, sepse është e vetmja xhami e vendosur në qendrën historike të qytetit që i ka shpëtuar shkatërrimeve të luftës dhe kohës.

Kur flitet për Tiranën, flitet për njerëzit e saj…

Ky udhëtim vlerash në historinë shpirtërore të qytetit parë si një “Tempull Mendimi dhe Veprimi” natyrisht që është pasqyruar dhe dokumentuar nga studiues, historianë e publicistë të ndryshëm. Le të përmendim këtu një ndër ta: Hafiz Ibrahim Dalliun, ku në në librin e tij ”Patriotizma në Tiranë” paraqet një monografi shpirtërore të Tiranës, jep qartë dhe realisht përpjekjet e Tiranës dhe tiranasve për dritën e edukimit shpirtëror, për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare dhe aspiratën e tyre për liri dhe progres, për qytetari dhe atdhetari.

Nga studimet historike konkludohet qartë se paraardhësit tanë ishin besimtarë të devotshëm dhe tregonin përkujdesje të veçantë ndaj edukimit moral e shpirtëror të brezave, e konkretizuar kjo nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës shpirtërore të qytetit.

Ndërtimi i xhamive kryhej nga njerëz ose familje të pasura. Pasi ndërtoheshin, xhamitë mbanin emrin e atij që kishte dhënë paratë për ndërtimin e saj, të tilla janë: xhamia e “Sulejman Pashës”, xhamia e Et’hem Beut, xhamia e Karapicëve, xhamia e Kokonozëve, etj.

Kur flasim për identitetin në zhvillim të një qyteti tanimë metropol si Tirana, me gjithë respektin për mijëra dhe mijëra familje që kanë ardhur si njerëz të lirë nga krahina të ndryshme të vendit, nuk kemi si të mos sjellim ndër mend familjet e hershme tiranase që kanë me vete pasaportën e identitetit të qytetit, një pasaportë qindravjeçare të mbushur me përpjekjet e pareshtura e të suksesshme për zhvillimin dhe emancipimin shpirtëror të qytetit dhe afirmimin e tij drejt një qyteti të vlerave bashkëkohore e civilizuese.

Kur flasim për këto familje të hershme dhe të shquara tiranase, të cilat me të drejtë quhen themelueset e para të qytetit, që i dhanë Tiranës rrahjen e tik-takeve të zemrave dhe karakterin devocional të shpirtit të saj, rrezaton kontributi i tyre si një thesar i çmuar vlerash të papërsëritshme që duhet ruajtur, kultivuar dhe trashëguar nga brezi në brez.

Transformimet e tranzicionit

Nëse qyteti është në konceptimin filozofik dhe në imazhin artistik një realitet sa i jetuar aq edhe i ëndërruar, pikërisht kërkohet një raport i qartë dhe konstruktiv i vlerave të jetuara dhe të ëndërruara, një qytet që pavarësisht nga udhëtimi i përhershëm i vlerave, medoemos i duhet ruajtur ADN-ja esenciale.

Tranzicioni si dukuri është i pranishëm në çdo qendër të banuar si shprehje e një procesi historik të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të transformimit urban përgjatë kohërave. Tirana si qytet në tranzicion përfaqëson një periudhë kalimtare të zhvillimit strukturor dhe urban në disa momente historike, produkte të shumë faktorëve, përfshi këtu ndryshimet politike, ekonomike, sociale, që kanë ndodhur pas vitit 1990 e në vazhdim.

Besimi se pas përmbysjes së regjimit totalitar shoqëria do të hyjë në fazën e lulëzimit progresiv dhe se institucionet e pushtetit lokal do të orientoheshin drejt një programi të përkujdesjes ndaj vlerave dhe trashëgimisë historike e shpirtërore të qytetit, ishte një ëndërr që fatkeqësisht nuk po vihet në jetë në këtë realitet të hidhur.

Në këtë kontekst mund të thuhet se dimensioni i identitetit të zhvillimit historik dhe shpirtëror të Tiranës thuajse ka humbur tërësisht, është rikonstruktuar ajo pjesë historike ku janë ngritur ndërtesat e para të saj dhe çuditërisht asnjë gjurmë apo qoftë edhe një “pllakatë” nuk gjendet për të treguar vlerën historike të identitetit të qytetit.

Lartësohet pikërisht në atë vend monumenti i Partizanit të Panjohur, i vendosur gjatë periudhës së regjimit komunist në atë pozicion që nuk përfaqëson absolutisht simbolikën e tij.

Ku është përkujdesja ndaj vlerave historike të qytetit të Tiranës? Përse nuk mbrohen vlerat e trashëgimisë së saj ?

Tirana ka nevojë për ripërtëritje, por ka nevojë edhe për identitet dhe për atë fond të artë të kujtesës.

E drejta e mohuar për të ruajtur traditën

Çdo brezi i takon të jetojë një periudhë kohe që lidh të kaluarën me atë të ardhmen. Të gjithë shohin nga e ardhmja, po të mbështetur në një taban (identitet) historik, që njeriu e ka të vështirë ta mohojë.

Me zhvillimet e lëvizjeve demokratike dhe rivendosjen e të drejtave dhe lirive të besimit, besimtarët myslimanë te kryeqytetit, të përfaqësuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në kontekstin e ringjalljes së vlerave të besimit islam dhe të mbështetur në traditën e vyer të paraardhësve të tyre prej më se 23 vitesh kanë kërkuar dhe vijojnë përpjekjet e tyre për të drejtën e ndërtimit të xhamisë.

Në vendin tonë që karakterizohet për vlerat unikale të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që përfaqëson maxhorancën me 70% të përkatësisë fetare në vend, nuk gëzon statusin e barabartë me atë të komuniteteve të tjera fetare lidhur me të drejtën për të ndërtuar një objekt kulti islam.

Besimtarët myslimanë te kryeqytetit për vite me radhë vijojnë të kryejnë ritualet dhe ceremonitë fetare në hapësira publike nën qiellin e hapur, në kushte të vështira klimaterike nën një kalvar të vërtetë vështirësish.

Duke u nisur nga parimet universale të bashkëqytetarisë, barazisë dhe të të drejtave njerëzore, besimtarët myslimanë dhe opinioni publik në mbarë vendin e kanë fokusuar vëmendjen e tyre në këtë drejtim, duke ia adresuar këtë shqetësim drejtuesve të pushtetit lokal të kryeqytetit.

Tiranës, qytetit të themeluar mbi një infrastrukturë shpirtërore, i mohohet e drejta e ndërtimit të një xhamie. /Drita Islame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit