Dijetari që zgjodhi ahiretin mbi famën – jeta e shejh dr. Muhammed Hamidullahut

Më të lexuarat

Sa i përket këtij njeriu – ai është pikërisht ai që refuzoi ta pranojë Çmimin e Mbretit Fejsal në vitin 1994, duke thënë:
“Unë nuk kam shkruar atë që kam shkruar për asgjë tjetër, përveçse për hir të Allahut të Lartësuar. Mos ma prishni fenë time.”

Ai është njeriu që refuzoi shtetësinë franceze kur iu ofrua, i kënaqur dhe krenar me shtetësinë e tij hajderabadase.

Ai është njeriu përmes duarve të të cilit më shumë se 40.000 njerëz në Francë e pranuan Islamin gjatë gjysmëshekullit që ai kaloi atje. Fliste 22 gjuhë, ndërsa gjuha e fundit që mësoi ishte tajlandishtja – në moshën 84-vjeçare.

Nuk u martua – u martua me dijen,
dhe nga kjo “martesë” lindi 450 libra në gjuhë të ndryshme,
si dhe shkroi më shumë se 937 artikuj në shumë gjuhë botërore.

Gjatë udhëtimeve nëpër Francë, ai i lante enët personalisht bashkë me studentët e tij, pavarësisht madhështisë së tij të madhe shkencore dhe reputacionit që gëzonte.

Kur ish-presidenti i Pakistanit, Muhammed Zija-ul-Hak, i ndau dekoratën më të lartë shtetërore për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e sirës (jetëshkrimit të Profetit ﷺ), ai të gjithë shumën e shpërblimit – një milion rupi – ia dhuroi Institutit për Studime Islame në Islamabad, duke thënë:
“Nëse e pranoj shpërblimin në këtë botë kalimtare, çfarë do të më mbetet atje, në botën e përjetshme?”

Ai lindi në vitin 1908 në Hajderabad, në jug të Indisë.
Rridhte nga një familje, rrënjët e së cilës shkonin deri te fisi Kurejsh. Familja e tij kishte emigruar nga Hixhazi në Basra, duke iu shmangur dhunës së Haxhaxh ibn Jusufit, dhe më pas, në shekullin e 8-të, u vendos përfundimisht në Indi.

Në vitin 1934 u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në Francë, ku fitoi doktoraturën e dytë me studimin me titull:
“Diplomacia islame në kohën e Profetit dhe halifëve të drejtë”,
i cili më vonë u bë vepra e tij më e njohur në gjuhën arabe:
“Përmbledhje e dokumenteve politike nga koha e Profetit dhe e hilafetit të drejtë”, një nga veprat e tij më të famshme.

Allahu e nderoi duke ia mundësuar përkthimin e Kur’anit në gjuhën frënge.
Gjithashtu, ai ishte i pari që dëshmoi shkencërisht se hadithet janë shkruar që në kohën e Profetit ﷺ, përmes botimit kritik të Sahifës së Hemmam ibn Munebbihut, bazuar në dorëshkrimin e Berlinit, të cilin e studioi me hollësi, e komentoi dhe e pajisi me një hyrje të gjerë mbi historinë e shkrimit të hadithit. Vepra u botua në Bejrut.

Kjo sahifë përmban hadithe që sahabiu Ebu Hurejre i kishte shkruar drejtpërdrejt nga Profeti ﷺ, e më pas ia transmetoi nxënësit të tij, Hemmam ibn Munebbihut. Ajo përbën hadithin e shkruar më të vjetër që ka mbërritur deri te ne.

Gjatë studimeve në Gjermani, ai gjeti një dorëshkrim në Berlin, e më pas dr. Zubejr Ahmed Siddiqi e udhëzoi drejt një kopjeje tjetër në Bibliotekën Zahirie në Damask. Shejhu i krahasoi të dy versionet, i përgatiti për botim dhe shkroi një hyrje të gjerë shkencore, duke vërtetuar me prova të pakundërshtueshme se hadithet janë shkruar që gjatë jetës së Profetit ﷺ.

Ai gjithashtu dëshmoi se Profeti ﷺ kishte hartuar një dokument të shkruar që rregullonte marrëdhëniet ndërmjet muhaxhirëve, ensarëve dhe hebrenjve – dokument që konsiderohet si kushtetuta e parë e shtetit islam, president i të cilit ishte vetë i Dërguari i Allahut ﷺ.

Në këtë mënyrë, ai rrëzoi pretendimet e rreme të armiqve të Islamit, të cilët thonë se hadithet janë shkruar vetëm pas shekullit të tretë hixhri. Sahifa përmban 138 hadithe dhe është përkthyer në gjuhët urdu, frënge, angleze dhe turke.

Ai nuk pushoi së punuari dhe së shkruari deri dy vjet para vdekjes, kur u lidh pas shtratit, duke qëndruar atëherë te mbesa e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërroi jetë në vitin 2002, në moshën 94-vjeçare.

Ky ishte
dijetari i shquar, shejh doktor Muhammed Hamidullah el-Hindi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit