16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Dhimbja – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Nuk ka njeri në këtë botë që të mos e provojë ndjenjën e dhimbjes, klithmën e shpirtit dhe vajtimin e zemrës, ajo është pjesë e sprovës së kësaj jete, pa të cilën njeriu do të njihte dhe kuptonte shumë më pak nga të vërtetat e jetës.

Dhimbja i jep më tepër kuptim jetës, dhe si asgjë tjetër në këtë botë, mund të bëhet shkak për mirë ose për keq. E dhimbjet më të mëdha dhe më të forta, janë pikërisht ato që tronditin themelet e qenies sonë, janë ato që shkaktohen nga njerëzit më të afërt, miqtë e ngushtë dhe familjarët. Ato janë ndoshta sprova më e madhe për njeriun, sepse janë shoqëria më e ngushtë, pa të cilën çdo qenie humane do ta kishte gati të pamundur të jetonte.

Mirëpo, të duash Krijuesin dhe ta kesh Atë synimin tënd më të madh dhe përfundimtar në jetë, çdo dhimbje bëhet më e lehtë dhe kalimtare, madje edhe ato më të rëndat, që sa herë i kujton të therin thellë në shpirt. Kjo do të thotë se çdo dashuri dhe shoqëri njerëzore nëse ka në mes Krijuesin, është Ai që mbetet gjithmonë, kur kjo marrëdhënie thyhet apo kriset, kështu që zhgënjimi, tradhtia dhe braktisja që mund të pësohet nga njerëzit, qofshin këta edhe më të afërmit, mbetet pjesë e sprovës që duhet kaluar.

Nëse në një marrëdhënie njerëzore, sado e ngushtë qoftë ajo, ka shumë pak ose aspak hapësirë për Krijuesin, atëherë dhimbja mund të jetë vërtet shkatërruese për qenien humane, dhe kjo, sepse Zoti e ka krijuar shpirtin e njeriut të atillë, që ta gjejë qetësinë dhe rehatinë e plotë vetëm tek Ai, dhe kur shpirti fut në mes tij dhe Zotit dikë tjetër, apo e zëvendëson krejtësisht Atë me një krijesë, ai ka rënë në idhujtari, dhe idhujtaria, edhe jetën edhe fundin e ka të kobshëm.
Allahu, Krijuesi ynë, është një Zot që xhelozon, Ai nuk pranon që dashurinë më të madhe dhe afshin e zemrës t’ia kushtosh dikujt tjetër veç Tij, ndaj dhe me të drejtë thuhet se “Kush e lidh zemrën me dikë tjetër veç Zotit, ai do të vuajë prej tij.”

Jo më kot, Profeti i Allahut (alejhi salatu ue selam) shoqërinë e tij më të ngushtë e kishte me Zotin, prandaj dhe në momentin e fundit të jetës ai tha: “Për tek shoqëria e më të Lartit.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit