15.8 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Dëshmi nga Halepi: qyteti i rrethuar përballet me shfarosjen

Më të lexuarat

Pothuajse 150 civilë janë vrarë në një javë dhune intensive në gjysmën lindore të Halepit, nën rrethim nga forcat e regjimit sirian. Lajmin e dhanë aktivistët ndërkohë që dhuna nuk ndalet në ish-kryeqytetin industrial të Sirisë.

Shifrat më të fundit të viktimave kulmojnë dy muaj dhune të paprecedent në qytetin më të madh të Sirisë. Më shumë se 800 persona janë vrarë që kur forcat besnike të regjimit të Bashar Al-Assad njoftuan nisjen e fushatës për të shtypur opozitën në lagjet lindore të qytetit, që kontrollohen nga kryengritësit.

“Kjo fushatë e egër është një luftë për shfarrosje”, tha një doktor në lindje të Halepit, i cili u plagos në fillim të muajit gjatë një sulmi ajror. “Çdo gjë është shënjestër, qoftë njeri, pemë apo gur. Çdo gjë po shuhet me dakordësinë e fshehtë të Kombeve të Bashkuara. Ata të gjithë shohin dhe dëgjojnë, por nuk përgjigjen dhe nuk mund ta ndalin këtë makineri lufte”.

“Nuk kemi askënd veç Zotin”.

Observatori Sirian për të drejtat e njeriut, një organizatë me bazë në Britani, tha se 141 civilë, përfshirë 18 fëmijë janë vrarë gjatë javës së fundit të dhunës në Halep.

Moska ndërhyri vitin e kaluar në konflikt për të shpëtuar regjimin e Assadit. Vëzhguesit e kishin parashikuar sulmin e organizuar në Halep që me mbërritjen shumë të reklamuar një javë më parë të një aeroplanmbajtëseje që i përket Rusisë, në brigjet siriane.

Kjo druajtje u kthye në realitet një javë më pas, me një fushatë të përforcuar e me bombardime ajrore të pandalshme që kanë rrënuar në thërrmija shtëpitë e civilëve dhe e kanë lënë lindjen e mbajtur nga kryengritësit pa asnjë spital funksional për rreth një çerek milioni njerëz, përfshirë 100 mijë fëmijë, që ende jetojnë atje. Shifrat janë të dhëna përafërsisht nga OKB. Qyteti mbahet i rrethuar që prej korrikut.

“Po luaj mendsh”, tha Stephen O’Brien, zyrtari më i lartë i OKB-së për ndihmën humanitare, në një seancë dëgjimore përpara këshillit të Sigurisë në një shprehje të qartë indinjate ndaj paralizës së komunitetit ndërkombëtar.

“Të na vijë turp të gjithëve që nuk po veprojmë për të ndaluar asgjësimin e lindjes së Alepos dhe popullit të sah dhe pjesës më të madhe të mbetur të Sirisë, gjithashtu”.

Observatori thotë se 834 civilë, përfshirë 176 fëmijë, janë vrarë në dy muajt e fundit.

Shifrat e viktimave përgjatë tre ditëve të fundit kanë qenë të vështira për t’u mbledhur për shkak se zakonisht ato merren nga spitalet lokale, që tashmë janë jashtë shërbimit për shkak të bombardimeve.

Qyteti i Halepit ka qenë i ndarë që prej vitit 2012, me perëndimin nën kontrollin qeveritar dhe lindjen të mbajtur nga kryengritësit. Fati i tij prej kohësh është parë si një parathënie e momentit ku ndodhet lufta siriane dhe forcat besnike të Asad shpresojnë të japin goditjen dërrmuese kryengritjes duke marrë nën kontroll bastionin e fundit të madh urban nën kontrollin e opozitës.

Forcat besnike përfshijnë dhe mijëra milicë të mbështetur nga Irani së bashku me kontigjente trupash qeveritare siriane që deri më tani kanë ndërmarrë inkursione të kufizuara në lindjen kryengritëse. Kjo betejë me gjasa do të rezultojë në një numër të madh viktimash dhe luftime në zonat me dendësi urbane që do të shkatërronin edhe lagjet e fundit të mbetura në këmbë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit