Depresioni nuk është turp, nuk është mungesë besimi, nuk është dobësi karakteri. Është lodhje e thellë e shpirtit.
Edhe besimtarët ndonjëherë ndihen të lodhur, mërzitur dhe të frustruar brenda vetes. Ka njerëz që qeshin jashtë, por brenda mbajnë një peshë që nuk shihet. Shpesh, këta janë njerëzit më të duruar, më të heshtur dhe më të përgjegjshëm.
Islami nuk na mëson të shtiremi sikur jemi gjithmonë mirë. Të Dërguarit nuk ishin prej guri. Ata ndjenin frikë, dhimbje, vetmi. Ta kujtojmë Junusin (a.s.). Ai u gjend në tri errësira njëkohësisht: errësirën e natës, të detit dhe të barkut të peshkut. Aty nuk kishte as dritë, as zë, as shpresë njerëzore. Dhe pikërisht aty, ai i tha fjalët bukura dhe të vërteta:
“La ilahe il-la ente, subhaneke, inni kuntu minedh-dhalimin.” (Nuk i takon askujt adhurimi përveçse Allahut, i Lartësuar je ti o Zot, unë isha prej atyre që i bën padrejtësi vetes).
Shpesh depresioni vjen kur njeriu mban më shumë se sa i takon. Kur ke qenë i fortë për të tjerët, kur ke heshtur për hir të paqes, kur ke dhënë më shumë se sa që ke marrë. Zemra lodhet dhe kur zemra lodhet, shpirti flet përmes dhimbjes.
Të kërkosh ndihmë nuk është kundër besimit, është pjesë e tij. Të flasësh me Allahun pastaj të flasësh me një njeri të sigurt janë dy dyer të së njëjtës Mëshirë.
Nëse sot ka dikush mes nesh që ndihet bosh, i lodhur, mos mendo se Allahu të ka harruar. Ndoshta Ai po të afron më shumë se kurrë, por përmes një rruge që fisnikron, jo që përkëdhel.
Errësira nuk është fundi. Errësira është vendi ku mësojmë të shohim ndryshe. Pas çdo nate, Allahu premton agimin. Dhe asnjë zemër që kërkon dritë nuk mbetet pa përgjigje.
Allahu na bëftë prej atyre që nuk i fshehin plagët nga Zoti i tyre, por i shndërrojnë ato në urë drejt Tij.
/Hoxhë Agron Terziqi/
