8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Demolimi i zyrave të KKZ-së, shpërthime e granata dore të prodhimit jugosllav dhe deklarata e kryeministrit Kurti – gjithçka nga situata e sigurisë në veri

Më të lexuarat

Shpërthimet i ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ndërsa ka bërë të ditur se nga pasditja e martës janë regjistruar disa incidente në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut, por që nuk është raportuar për të lënduar. Sipas Policisë, grupet e maskuara kanë përdorë edhe granata dore të prodhimit jugosllav gjatë sulmit të zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në njoftimin tutje thuhet se Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit.

“Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qëllim të  kryerjes së detyrave dhe kompetencave të  tyre ligjore.

Në orët e para të pasdites të së martës në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Policia, më vonë në një komunikatë për media po ashtu ka thënë se siguron qytetarët se situata e sigurisë në vend përfshirë edhe komunat në veri është stabile.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi publik ka apeluar për qetësi dhe fton të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta.

“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.

Më tej u tha se Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë.

Ndryshe, një granatë dore, e cila ishte hedhur në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut është tërhequr nga ekipet e KFOR e më pas është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një ambient, i cili nuk paraqet rrezik për qytetarët.

“Neutralizimi” i granatës ndodhi pak pas orës 22:00.

E pas situatës në veri ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se këto sulme po bëhen nga banda kriminale që sipas tij dirigjohen nga presidenti i Serbisë.

Ai thotë se më këto veprime këto struktura po tregojnë pafuqinë e tyre politike në këtë pjesë të Kosovës.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, ka shkruar Kurti.

I pari i ekzekutivit thotë se pas sulmeve të tilla do të shtohen forcat policore në atë pjesë të Kosovës.

“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj”.

“Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”.

Kurti ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, dhe të gjithë zyrtarët që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.

Për gjendjen në veri kanë reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit