2.1 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Deklarata e Osmanit se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës, Elshani nga “Octopus”: Institucionet duhet të jenë të gatshme për çdo situatë

Më të lexuarat

Ditë më parë presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës, ndërkaq lidhur me këtë Taulant Elshani, hulumtues i lartë në Institutin “Octopus” ka thënë se institucionet duhet të jenë të gatshme për çdo situatë. 

Elshani në një prononcim për Telegrafin tha se sulmi terrorist në Banjskë ka qenë vetëm një nga format e agresionit që Serbia ka bërë në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, barrikadat ilegale në komunat veriore të Kosovës, operacionet hibride, kidnapimi i tre policëve kufitar, bombardimi i serbëve të Kosovës me lajme të rrejshme janë mënyra të tjera se si Serbia realizon obstruksionet dhe ndërhyrjet e veta në Kosovë.

“Rasti i Banjskës nuk ka qenë ndonjë përjashtim, porse vazhdimësi e një agresioni tashmë të hapur që Serbia ushtron kundër Kosovës. Duke marrë në konsideratë që terroristi i kërkuar nga drejtësia kosovare, Milan Radoiçiq, po strehohet dhe po mbrohet nga shteti në Serbi, retorikën nacionaliste dhe kërcënuese ndaj Kosovës nga liderët serbë, mendoj se kemi të bëjmë me një shtet që është i gatshëm të inskenoj sulme të reja kundër Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, në këtë dritë, ajo çfarë ka thënë presidentja Osmani në Bruksel është shumë e saktë.

“Kosova po përballet me nacionalizmin militarist serb dhe institucionet duhet të jenë të gatshme për çdo situatë. Para disa ditësh, pas një takimi me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, presidenti i Serbisë Aleksadar Vuçiq iu referua rastit të Nagorno-Karabakh-it, dhe përgëzoi Azerbejxhanin për arritjen e fitores strategjike në fushatën ushtarake atje. Ai tha që Azerbejxhani priti 28 vjet dhe kur rrethanat ndërkombëtare e gjeopolitike u treguan të favorshme Nagorno-Karabakh u pushtua, duke kërcënuar haptazi Kosovën dhe duke aluduar se Serbia do të bëj të njëjtën në rast të rrethanave të favorshme gjeopolitike, duke ripushtuar Kosovën”, tha ai.

Elshani theksoi që kjo duhet të shërbej si alarm për bashkësinë ndërkombëtare dhe se “Vuçiq duhet të sanksionohet për qasjen armiqësore ndaj Kosovës, sa më herët aq më mirë”.

“Se si do të jetë skenari i ardhshëm i Serbisë, sigurisht kjo mbetet të shihet – por një gjë dihet, regjimi autokratik e mafioz i Vuçiqit do të eksportojë dhunë dhe terror, dhe agresioni kundër Kosovës do të vazhdojë. Kjo konfirmohet nga çdo deklaratë e presidentit aktual të Serbisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në Serbi”, theksoi ai.

“Regjimi i Vuçiqit do të vazhdoj të jetë kërcënimi kryesor për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Serbia është i vetmi vend revisionist në Evropë që beson se ndryshimi i dhunshëm i kufijve është i mundur të ndodh. Këtë e bën sigurisht dhe duke u bazuar goxha shumë në modelin rus të minimit të demokracive dhe pushtimit me luftëra konvencionale të shteteve fqinje”.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë para gazetarëve në Bruksel deklaroi se “Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës”.

Këto komente Osmani i bëri në Bruksel para fillimit të samitit të rregullt vjetor i liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre nga Ballkani Perëndimor i cili u mbajt këtë javë.

Osmani tha se “do t’i informoj sot liderët evropianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim”.

Më tej ajo tha se “Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit