Nga Kopenhaga në Nuuk: Lëvizje kundër aneksimit të ishullit arktik nga SHBA
Mijëra qytetarë danezë dolën sot në rrugët e Kopenhagenit dhe qyteteve të tjera të Danimarkës, për të shprehur solidaritetin e tyre me banorët e Grenlandës pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili nuk e përjashtoi përdorimin e forcës për të aneksuar ishullin arktik.
Protesta masive, e organizuar nën sloganin “Larg duart nga Grenlanda”, u shndërrua në një demonstrim të fuqishëm për vetëvendosjen dhe të drejtat e popullit grenlandez. Në sheshin e Bashkisë së Kopenhagenit, protestuesit valëvitën flamurin tradicional të Grenlandës, “Erfalasorput”, dhe brohoritën “Grenlanda nuk është në shitje!”.
Marshimi vazhdoi deri te ambasada amerikane, ku organizatorët kërkuan respekt për sovranitetin e Mbretërisë Daneze dhe për autonominë e Grenlandës. Julie Rademacher, kryetare e organizatës Uagut, theksoi se “Grenlanda dhe banorët e saj janë bërë pa dashje në frontin e luftës për demokraci dhe të drejta të njeriut”.
Deklaratat e Trumpit, të cilat e cilësojnë Grenlandën si “jetike për sigurinë e SHBA-së” për shkak të vendndodhjes strategjike dhe burimeve minerale, kanë shkaktuar një krizë diplomatike të paprecedentë mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës, të dyja anëtare themeluese të NATO-s.
Në përgjigje, disa vende evropiane kanë dërguar personel ushtarak në ishull me kërkesë të Kopenhagenit, duke e parë situatën si një kërcënim për stabilitetin rajonal. Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera daneze, ndërsa në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, pritet të zhvillohet një tubim i madh më vonë gjatë ditës.
Organizatat grenlandeze në Danimarkë, në bashkëpunim me ActionAid Denmark, kanë qenë në qendër të mobilizimit, duke theksuar se rreth 17.000 grenlandezë jetojnë aktualisht në Danimarkë dhe ndihen të kërcënuar nga retorika e Shtëpisë së Bardhë.
Grenlanda, me rreth 57.000 banorë, gëzon autonomi të konsiderueshme që nga viti 1979, por mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, e cila kontrollon mbrojtjen dhe politikën e jashtme. Të gjitha partitë politike në parlamentin grenlandez janë pro pavarësisë, megjithëse nuk pajtohen për afatin kohor të një veprimi të tillë.
Për momentin, shumica e tyre e shohin më të sigurt të mbeten pjesë e Danimarkës sesa të bashkohen me SHBA-të. Sipas sondazheve të fundit, vetëm 17 për qind e amerikanëve mbështesin idenë e Trumpit për të blerë Grenlandën, ndërsa shumica e demokratëve dhe republikanëve kundërshtojnë përdorimin e forcës ushtarake.
Ky refuzim i gjerë, si brenda SHBA-së ashtu edhe në Evropë, e ka izoluar politikisht presidentin amerikan në përpjekjet e tij për të kontrolluar ishullin. Protestat e danezëve dërgojnë një mesazh të qartë: Grenlanda nuk është në shitje dhe e ardhmja e saj duhet të vendoset vetëm nga populli grenlandez./tesheshi/
