Daçiqi thotë ta ketë refuzuar një ofertë të BE-së për veriun e Kosovës

0
49

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq tha se e ka refuzuar një ofertë të zyres së shefes së diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, për veriun e Kosovës, meqë ajo nuk përmbante pushtet ekzekutiv për komunat serbe.

Daçiqi, siç shkruan Telegraf, i ka thënë të përditshmes beogradase, Blic, në takimin e pestë të dialogut në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kishte refuzuar që të nënshkruajë një dokument të BE-së me parimet e përgjithshme për veriun e Kosovës.

“Nuk kam dashur të nënshkruaj. Mund të më ofrojë kush të dojë dhe çfarë të dojë, por asnjëherë nuk do të nënshkruaj diçka që nuk është e mirë për Serbinë dhe që nuk siguron funksionimin dhe ekzistencën e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovës. Pra refuzova të nënshkruaj”, citohet të ketë thënë Daçiqi.

Sipas tij, Serbia nuk do të pranojë asnjë propozim që nuk siguron pushtet ekzekutiv për Bashkësinë e komunave serbe në veri.

“Unë diçka të tillë nuk mund të pranoj, sepse atëherë bashkësisë serbe nuk i mbeten kurrfarë kompetencash”, ka thënë Kryeministri i Serbisë.

Sipas tij, qeveria e Kosovës e ka përkrahjen e SHBA-së që të respektohen ligjet e Kosovës.

“… pse pra po bisedojmë dhe pse Serbia po merr pjesë në to. Le të ulen atëherë më serbët e Kosovës dhe le t’i zgjidhin çështjet e ligjeve. Por, nëse duan bisedime me neve atëherë kjo është një marrëveshje e veçantë politike, por jo që bisedimet të shkojnë në atë drejtim që ne t’i detyrojmë serbët në Kosovë që të pranojnë atë që shkruan në ligjet e atjeshme”, tha ai

Daçiqi së bashku me Kryetarin e Serbisë Tomislav Nikoliq dhe Zëvendës-Kryeministrin Aleksander Vuçiq të hënën do të kenë një takim me Ashtonin, ndërsa kjo e fundit të enjten do të udhëtoj në Prishtinë për t’u takuar me Thaçin dhe krerët e partive politike të Kosovës.

Daçiqi dhe Thaçi do të takohen së bashku me Ashtonin me 20 Mars në Bruksel për të shtatën herë në kuadër të dialogut politik për çështjen e komunave serbe në veri dhe gjetiu nëpër Kosovë./zhurnal/kohaislame