20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

CILËSI E ARTË QË DIKUR ISHTE NË MESIN E POPULLIT TONË !!

Më të lexuarat

Askush nga ne nuk dyshon në atë se populli jonë para disa viteve mburrej me cilësinë e moralit dhe turpit që mbretëronte në familjet tona, por një cilësi të tillë nuk po e gjejmë në mesin tonë kohëve të fundit.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i kushtoi një rëndësi të veçantë kësaj cilësie madhështore dhe për këtë e gjejmë se në shumë thënie të tij ka tregur për vleren madhore të moralit dhe turpit.

Turpi është nga imani (besimi).
Ibën Umeri radijAllahu anhuma thotë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kaloi pranë një njeriu nga ensarët derisa ai ishte duke e këshilluar vëllanë e tij për turpin dhe i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha: “Mos e refuzo këtë sepse turpi është nga imani.” D.m.th. mos e kundërshto turpin e tij.

Turpi është degë nga degët e imanit.
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Imani është gjashtëdhjetë e ca apo shtatëdhjetë e ca degë, më e larta prej tyre është fjala La ilahe il-lAllah, ndërsa më e ulëta është largimi i pengesave nga rruga. Dhe turpi është degë nga degët e imanit.”

Po ashtu ai sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Turpi dhe të folurit e paktë janë dy nga degët e imanit, ndërsa të folurit e pahijshëm dhe të folurit e shumtë janë dy nga degët e nifakut (dyfytyrësisë).”

Turpi është miku i imanit.
Nëse është imani, është edhe turpi, por nëse nuk gjendet imani, atëherë nuk gjendet as turpi. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Imani dhe turpi janë miq që të dy; nëse njëri nga ata largohet, atëherë largohet edhe tjetri.”

Turpi është nga feja islame ose e tërë feja islame dhe morali i saj.
Një nga sahabët thotë: “Ishim te Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe një nga të pranishmit e ceku turpin, më pas të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut, turpi a është nga feja?” Ai sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Turpi është e gjithë feja.”

Po ashtu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet çdo fe ka një moral (ahlak), ndërsa morali i islamit është turpi”.

Nëse turpi gjendet te ndonjë burrë ose grua, vetëm se e zbukuron atë. E nëse largohet, atëherë e njollos ose e shëmton.
I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ekziston turpi në ndonjë gjë vetëm se e zbukuron atë dhe nuk ekziston paturpësia në diçka vetëm se e njollos atë.”

Turpi e udhëheq njeriun për në xhennet
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Turpi është nga imani, ndërsa imani gjendet në xhennet. Të folurit e pahijshëm është vrazhdësi, ndërsa vrazhdësia është në xhehennem.”

Turpi është moral bujar, të cilin e do Allahu i Lartësuar.
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet Allahu është i Gjallë dhe Mbulues , e do turpin dhe mbulimin (e të metave të të tjerëve).”

Turpi e pengon njeriun nga punët dhe fjalët e liga.
Ebu Sufjani para se ta pranonte Islamin, kur doli para Herakliut që ai ta pyeste për Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tregon duke thënë: “Sikur të mos kisha turp se do të më zbulonin, do të kisha gënjyer për të.”

Nëse turpi largohet nga burri apo gruaja, atëherë ai ose ajo do të veprojë çfarë të dojë dhe do të flasë çfarë të dojë, ashtu siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Nga fjalët që kanë trashëguar njerëzit nga Profetët e mëparshëm është: “Në qoftë se nuk ke turp, bëj çfarë të duash.”

Atëherë mos u çudit nëse sheh një grua që vepron çfarë të dojë. Kjo nuk është tjetër vetëm se argument i largimit të turpit të saj. Nëse gruaja nuk ka turp dhe iman, atëherë nuk ka turp nga të tjerët dhe nuk ka turp as nga Allahu.

Robër të Allahut! Turpi në gjuhën e sheriatit është morali bujar që e ndalon njeriun nga puna dhe fjalët e liga dhe nga neglizhenca ndaj hakut të Allahut dhe hakut të robërve të Allahut.

Dijetarët turpin e kanë ndarë në dy pjesë:

Pjesa e parë: Turpi nga Allahu dhe

Pjesa e dytë: Turpi nga njerëzit.

Sa i përket turpit nga njerëzit, ai është turpi nga njëri-tjetri, si: turpi i fëmijës nga babai, turpi i gruas nga burri i saj, turpi i injorantit nga të diturit, turpi i të miturit nga i moshuari, turpi i vajzës të tregojë se dëshiron të martohet. Aishja radijAllahu anha thotë: “O i Dërguari i Allahut, vajza beqare ka turp (që të kërkojë martesë). Ai tha: “Pëlqimi i saj është heshtja.”

Në kohën e mëhershme, kur nga vajza kërkohej të pranonte martesën me dikë, nga turpi që kishte nuk fliste fare, por ata e kuptonin nga heshtja e saj se pranon.

Atëherë ku mbeti turpi o ummeti islam?!

Unë e shoh se turpi është larguar nga gratë tona, nuk ka më turp nga njerëzit, nuk ka më turp nga Allahu, me përjashtim të atyre që Allahu i ka mëshiruar.

Robër të Allahut! Shumë njerëz nuk kanë turp nga Allahu. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ia ka qartësuar ummetit të tij se si duhet të ketë turp nga Allahu.

Ibën Mesudi radijAllahu anhu thotë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem një ditë u tha shokëve të tij: “Kini turp nga Allahu.” Ata i thanë: “Ne kemi turp nga Allahu, o i Dërguari i Allahut dhe falënderimi i takon Atij.” Ai tha: “Jo, kjo (që ju po mendoni), por keni turp nga Allahu me turp të vërtetë. Ta ruash kokën dhe çka përfshin ajo, të ruash stomakun dhe çfarë posedon ai dhe të përkujtosh vdekjen dhe fatkeqësitë. Ai që e do botën tjetër i lë bukuritë e kësaj bote, e kush i vepron këto do të ketë turp nga Allahu me turp të vërtetë.”

Robër të Allahut! I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në këtë hadith na lajmëroi se turpi ndaj Allahut arrihet me disa gjëra:

a) Ta ruash kokën që mos t’i bëjë sexhde askujt tjetër veç Allahut, sepse t’i bësh sexhde dikujt tjetër veç Allahut është e ndaluar. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur ta kisha urdhëruar ndonjërin t’i bënte sexhde dikujt, do ta kisha urdhëruar gruan t’i bëjë sexhde burrit të saj.”
b) Ta ruash kokën që të mos bëjë mendjemadhësi ndaj robërve të Allahut, ngase mendjemadhësia ndaj robërve të Tij është e ndaluar.
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Nuk do të hyjë në xhennet ai i cili në zemrën e tij ka mendjemadhësi qoftë edhe sa një grimcë.”

c) Ta ruash shikimin tënd që mos të shikojë gratë e zhveshura rrugëve.
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju besimtarëve të ndalin, ulin shikimet (prej haramit)…” Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin, ulin shikimet e tyre…”

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha një njeriu: “Largoje shikimin tënd.”

ç) Ta ruash gjuhën tënde nga përgojimi, shpifja, gënjeshtra, dëshmia e rrejshme, muzika dhe punët e fjalët e pahijshme sepse vërtet Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha Muadhit radijAllahu anhu: “Ndale këtë (gjuhën)!”

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha një njeriu i cili kërkoi nga ai t’ia tregonte rrugën e shpëtimit: “Ndale gjuhën tënde, të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatin tënd.”

d) Ta ruash të dëgjuarit që të dëgjojë përgojim, shpifje, muzikë, dije se Allahu do të të pyesë për dëgjimin tënd në Ditën e Kiametit.
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “I është shkruar birit të Ademit pjesa e tij nga zinaja, do ta arrijë atë dhe nuk mund t’i ikë. Zinaja e dy syve është shikimi (i ndaluar), zinaja e dy veshëve është dëgjimi (i ndaluar), zinaja e gjuhës është të folurit (e ndaluar), zinaja e dorës është prekja , zinaja e njeriut është të ecurit (për në zina) dhe zemra dëshiron dhe mendon, ndërsa organi (gjenital) e vërteton këtë ose e përgënjeshtron.”

e). Ta ruash kokën për meshkujt është të mos e rruash mjekrën.

Të rruarit e mjekrës është e ndaluar. Imamët e katër medhhebeve janë unanimisht të një mendimi se rruajtja e mjekrës është e ndaluar dhe ai që e rruan mjekrën e ka ndryshuar krijimtarinë e Allahut. Kjo është edhe përngjasim me gratë dhe përgjigje ndaj shejtanit dhe pasim i tij, ashtu siç na ka treguar Allahu për fjalët e shejtanit, i cili thotë: “Do t’i urdhëroj dhe ata do të ndryshojnë krijesat e Allahut.”

ë) Nga turpi i gruas është që ta ruajë kokën e saj.

Ta ruajë fytyrën e saj duke mos i hequr qimet e fytyrës ngase heqja e tyre është e ndaluar, edhe nëse e urdhëron bashkëshorti i saj, pasi nuk ka respektim të krijesës në mëkat ndaj Krijuesit ngase Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Allahu e ka mallkuar atë që heq vetullat dhe atë që ia heq vetullat.”

Së dyti: Të ruajë barkun dhe atë që përfshin.

Ruaje barkun tënd nga haramet. Kush ha kamatën dhe ryshfetin, e mbush barkun e tij me haram dhe nuk ka fare turp nga Allahu.

Kush i mashtron të tjerët në tregti dhe në punën e tij dhe nga ai haram ushqehet me familjen e tij, nuk ka fare turp nga Allahut.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Dhe çfarë përfshin barku.” Këtu hyjnë edhe organet gjenitale, domethënë t’i ruash ato nga imoraliteti (zinaja).

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush më garanton mua atë që ka mes dy nofullave (gjuhën) dhe atë që ka mes dy këmbëve (organin gjenital), unë i garantoj xhennetin.”

T’i ruash këmbët e tua që të mos ecin në atë që Allahu nuk e do.

Gruaja duhet t’i ruajë këmbët e saj nga lakuriqësia dhe zbulimi që shohim në ditët tona, në veçanti ditëve të festave. Duket sikur në ditët e festave ka ardhur ndonjë argument prej Allahut që u lejon grave të zbulohen dhe lakuriqësohen. Çfarë na ka goditur ne, o ummeti i Islamit?

A nuk kemi turp prej Allahut? A nuk kemi turp prej njerëzve?!

Së treti: Pjesë e turpit është të përkujtosh vdekjen, ndërsa mospërkujtimi i saj është paturpësi. Si mund ta harrosh vdekjen kur udhëton drejt saj dhe ajo mund të të vijë në çdo moment?

Së katërti: Pjesë e turpit është të punosh për botën tjetër, të kesh brengë vetëm botën tjetër, ngase bota tjetër është e përhershme dhe reale. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!”

Robër të Allahut! I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem na ka sjellë shembullin më të lartë për turpin. Allahu i Lartësuar duke na treguar për turpin që kishte Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t’ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t’jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t’jua thotë të vërtetën…”

Sahabi i nderuar Ebu Seid el-Hudrij radijAllahu anhu thotë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ishte më i turpshëm sesa vajza beqare në dhomën e saj. E kur ai e urrente një gjë, e kuptonim nga fytyra e tij.”

Një ditë tek i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem hynë Ebu Bekri dhe Umeri radijAllahu anhuma. Ai ishte ulur dhe nuk u drejtua e as nuk i drejtoi rrobat e tij, por kur hyri Uthmani radijAllajhu anhu, e drejtoi trupin dhe rrobat e tij.

Atëherë Aishja radijAllahu anha i tha: “O i Dërguari i Allahut! Hyri Ebu Bekri dhe nuk i buzëqeshe dhe nuk ia vure mendjen. Hyri Umeri, nuk i buzëqeshe dhe nuk ia vure mendjen. E më pas hyri Uthmani, u drejtove dhe drejtove edhe rrobat e tua?”

Atëherë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “A të mos kem turp nga njeriu që kanë turp melaiket?!”

Robër të Allahut! Ndaluni me ne që të mësojmë një shembull të lartë për turpin, të cilin na e mësoi Musai alejhi salatu ve selam dhe bashkëshortja e tij, e cila ishte edukuar nga babai i saj plak dhe i moshuar që të kishte turp.

I Dërguari ynë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem na ka treguar për turpin e Musait alejhi salatu ve selam duke thënë: “Me të vërtetë Musai ishte shumë i turpshëm dhe mbulues, nuk i shihej asgjë nga lëkura dhe trupi i tij. E ofenduan disa nga Beni Israilët duke thënë: “Ky e mbulon tërë trupin e tij vetëm për shkak të ndonjë mangësie që ka në lëkurë ose sepse vuan nga lebra, ka sëmundje gjenitale ose ndonjë sëmundje vdekjeprurëse.” Por Allahu i Lartësuar dëshiroi që ta pastrojë nga ato që ata thoshin. Një ditë ai u veçua dhe vendosi rrobat e tij mbi një gur dhe filloi të lahej. Pasi u la, u drejtua drejt gurit që të merrte rrobat e tij, mirëpo guri filloi të ikte me rrobat e tij. Musai mori shkopin e tij dhe filloi ta ndiqte gurin duke i thënë: “O gur, rrobat e mia! O gur, rrobat e mia!” Dhe vazhdoi kështu derisa u ndal te një grup nga Beni Israilët dhe ata e shikuan atë lakuriq.

Për Allahun, vërtet në gur kishte shenja nga të rrahurat (e Musait), tri, katër ose pesë herë. Këto janë fjalët e Allahut të Lartësuar: “O besimtarë, mos u bëni si ata që e shqetësuan Musain. Allahu e çliroi atë nga përgojimet e tyre; ai është i nderuar në sytë e Allahut. ”

Kjo ngjarje na jep një shembull të lartë për turpin.

Edhe gruaja e tij kishte një moral të lartë, ashtu edhe motra e saj, pasi të dyja ishin edukuar në shtëpinë e njeriut të mirë dhe të moshuar.

Të ndalemi së bashku tek pusi i Medjenit, që të mësojmë se ç’është turpi nga këto dy vajza, t’ua mësojmë bijave dhe grave tona turpin, të cilin e kanë humbur në këtë kohë.

Allahu i Lartësuar në lidhje me Musain alejhi selam thotë: “Teksa drejtohej nga Medjeni, ai tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!” Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta…” Ato i ndalnin kafshët e tyre që të përziheshin me kafshët e të tjerëve. Ky është turpi. Mendoni si ecin gratë tona në ditët e festave nëpër tregje, i prekin të tjerët me trupat e tyre dhe anasjelltas, bëjnë shaka dhe flasin me të tjerët, nuk kanë turp nga Allahu dhe nuk kanë turp nga njerëzit, madje edhe bashkëshorti i saj shkon me të, si të ishte një mur, nuk ka ndërgjegje dhe turp. Burra pa burrëri dhe gra pa turp!

Musai alejhi salatu ve selam u çudit dhe u tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë pa u larguar barinjtë.” Pra, nuk përziheshin me barinjtë edhe nëse duhet të presin gjatë dhe u jepnin ujë bagëtive vetëm atëherë kur largoheshin barinjtë. Ky është turpi, kjo është edukata. Shkaku që i shtyu të shkonin në atë vend është se “babai ynë është shumë plak” .

Vërtet ky është turpi, që do të thotë se sikur të mos kishim këtë arsyetim, nuk do të dilnim nga shtëpia. Oj ti grua e zbuluar, për ç’arsye del me bashkëshortin tënd në tregje ditëve të festave? A nuk të mjafton që të të shkojë vetëm bashkëshorti dhe të të blejë çfarë nevojitet për fëmijët? Apo ndoshta mungesa e turpit të nxit të dalësh të shikosh burrat e tjerë, të flasësh me ta? Nëse kjo aludon për diçka, aludon për humbjen e turpit para Allahut dhe njerëzve.

“Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!”

Meditoni, o robërit e Allahut!

Çdonjëri nga ne le të shikojë turpin që kishte kjo vajzë e më pas le ta krahasojë me gruan dhe vajzën e tij, të cilat veshin rroba që një grua muslimane ka turp t’i veshë në dhomën e gjumit para burrit të saj dhe dalin në rrugë.

A po shihni atë që po shoh edhe unë o ummeti islam?!

Këto veshje gjysmëlakuriqe e të zbuluara që shohim nëpër tregje ditëve të festave argumentojnë qartë së gratë dhe bijat tona nuk kanë turp.

O robër të Allahut! O ti që e ke lejuar vajzën dhe gruan tënde të zbulohet! Shikoje këtë vajzë: “Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje (turp).” Kishte turp në veshjen e saj, kishte turp në të folurit e saj, kishte turp në ecjen e saj, a thua se turpi u shfaq anembanë tokës dhe ajo ecte mbi të: “Dhe i tha: “Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë).”

Turpi është ai që e bëri t’ia përmendë shkakun e thirrjes së tij nga babai i saj, në mënyrë që të mos mendonte ndonjë gjë të keqe. Atëherë Musai alejhi salatu ve selam u kthye te shtëpia e këtij plaku të mirë, në atë shtëpi ku mësohej turpi. Pasi Musai alejhi selam ia tregoi ngjarjen atij, plaku i mirë i tha: “Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës, zullumqar!”

Më pas njëra nga vajzat tha: “O babai im, merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim.”

A e dini për çfarë i tha “merre këtë njeri në shërbim”? Në mënyrë që ai të punojë tek ta dhe t’i ruajë bagëtitë dhe t’u japë të pinë, në mënyrë që ato të mos dilnin më nga shtëpia, ngase jeta e gruas është e lidhur me shtëpinë, krenaria e saj është në shtëpi dhe nëse i duhet të dalë, del vetëm atëherë kur ka nevojë, siç ishte rasti i këtyre dy vajzave kur thanë: “Babai ynë është shumë plak.” Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e injorancës së parë.”

Fjalët e saj: “O babai im, merre këtë njeri në shërbim!”, që t’i ruajë bagëtitë dhe të kujdeset për to në mënyrë që ajo të mos dalë nga shtëpia, na argumentojnë turpin e saj.

Sa vajza hidhërohen me baballarët e tyre sepse i pengojnë të shkojnë në ato universitete ku ka edhe djem?! Sa gra hidhërohen me burrat e tyre ngase i pengojnë të dalin ditëve të festave nëpër tregje?! Ka ikur turpi, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!

Atëherë plaku i mirë tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet.”

Shikoni robër të Allahut! Ky është Musai, që na solli shembullin më të lartë për turpin, u takua me familjen që u edukua në turp, një familje që duhet ta kemi shembull dhe duhet të jemi të kujdesshëm ta pasojmë.

Nëse morali i një çifti bashkëshortor është turpi, atëherë familja patjetër do të edukohet me turpin dhe do ta kemi një shoqëri me iman të pastër dhe që e njeh turpin.

Robër të Allahut! Mësimet dhe shembujt që nxjerrim nga kjo ngjarje janë:

1) Turpi i sjell njeriut të gjitha të mirat, ashtu siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Turpi është i tëri hajr.” Po ashtu Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Turpi nuk vjen vetëm se me hajr.”

Shikoni mirësitë që i erdhën Musait alejhi selam në jetën e tij, kur u martua me një grua të ndershme. Shikoni këtë vajzë, së cilës Allahu i mundësoi të martohet me njërin nga Ulul Azmi , atëherë ki frikë Allahun ti vajzë që je zbuluar, që e shfaq veten dhe trupin tënd në tregje duke u munduar të gjesh bashkëshort.

2) Turpi e ndalon burrin apo gruan nga veprat dhe fjalët e neveritura. Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë.” Përzierja me burra është nga punët e ndaluara dhe të fëlliqura, të cilat Allahu nuk i do.

Gruaja që ka turp thotë “nuk do të shkoj në treg dhe të përzihem me burra, le të shkojë burri im”.

Ndërsa gruaja që nuk ka turp thotë “unë do të shkoj vetëm në treg dhe do të përzihem me burra dhe do të argëtohem”. Ajo komandon shtëpinë, ndalon dhe lejon, kurse burri i saj nuk ka peshë tek ajo. Atëherë ku mbeti burrëria? Kur burri e humb burrërinë e tij, atëherë edhe gruaja e humb turpin e saj dhe nga kjo rrjedh një familje e shthurur. Nga kjo familje rrjedhin të rinj të humbur që nuk e dinë se ç’është burrëria dhe vajza që janë shumë më afër jobesimtarëve se besimtareve. Kini frikë Allahun, o ju robërit e Tij, sepse turpi është pjesë e moralit islam dhe pjesë e imanit.

3) Vajzën me virtyte të larta morale dhe të turpshme e kërkojnë djemtë e devotshëm dhe të mirë, ndërsa vajzën që e ka humbur moralin dhe turpin, që e ka ekspozuar trupin e saj në tregje nuk e kërkojnë djemtë e devotshëm dhe të mirë.

Atëherë, të gjithë le të kemi frikë Allahun e Lartësuar në edukimin e vajzave tona, t’i edukojmë ato në turp, në mënyrë që Allahu t’i bashkojë me djem të mirë. Edhe nënat të kenë frikë Allahun në edukimin e bijave të tyre, mos t’i lejojnë të dalin të zbuluara në mënyrë që të gjejnë burrë, ngase burri i mirë dhe i ndershëm interesohet vetëm për atë vajzë që është e turpshme.

Kush nuk ka turp nuk ia vlen të jetë bashkëshorte dhe nënë për fëmijët tanë.

Një dobi: Shumë njerëz nëse dëshirojnë të pyesin për diçka që kanë turp ta përmendin, thonë se nuk ka turp në fe. Kjo është fjalë e kotë, ngase turpi është nga feja apo e tërë feja, ashtu siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Turpi është e tërë feja.” Turpi është nga imani, është nga morali islam.

Është e udhës që njeriu nëse dëshiron të pyesë për ndonjë gjë që ka turp ta përmendë, le të thotë: “Allahu nuk turpërohet që t’jua thotë të vërtetën.” Ashtu veproi një grua kur dëshiroi të pyeste Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për diçka që kishte turp ta thoshte. Ajo iu drejtua Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, vërtet Allahu nuk turpërohet që ta thotë të vërtetën. A duhet të pastrohet edhe gruaja nëse sheh ëndërr?” Ai i tha: “Po, nëse sheh lagështi (në rrobat e saj).”

Aishja radijAllahu anha ka thënë: “Sa gra të mira janë gratë e ensarëve! Nuk i pengonte turpi që të mësonin fenë.”

O ummeti islam, kini turp, kini turp!

Turpi është moral fisnik, normë e moralit islam. Patjetër duhet t’i edukojmë shpirtrat tanë të kenë turp dhe t’i edukojmë fëmijët tanë të kenë turp.

E lus Allahun e Madhërishëm që të na mundësojë ta kemi këtë moral fisnik, se Ai është Mbrojtës dhe Fuqiplotë për këtë.

Shkëputur nga libri Ahsenul-Bejan min mevakif Ehlul-Iman

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit