Çfarë e shkaktoi tragjedinë në Spanjë?

Më të lexuarat

Hetimet përqendrohen te dalja e pashpjegueshme nga shinat në një aks të sapo-rinovuar

Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim urgjent për të zbardhur rrethanat e një prej aksidenteve më të rënda hekurudhore në vitet e fundit, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në jug të vendit mbrëmjen e të dielës, duke shkaktuar të paktën 21 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

 Dinamika e ngjarjes

Aksidenti ndodhi rreth orës 19.00 pranë qytetit Adamuz në provincën e Kordobës. Sipas të dhënave paraprake, një tren i operatorit privat “Iryo”, që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit me rreth 300 pasagjerë, doli nga shinat për arsye ende të panjohura.

Në atë moment, ai u përplas me një tren të kompanisë shtetërore “Renfe”, i cili po vinte përballë drejt Huelvës me rreth 100 persona në bord. Forca e përplasjes ishte aq e madhe saqë treni i dytë u shty jashtë binarëve dhe u përmbys poshtë një argjinature.

Ministri i Transportit, Oscar Puente, konfirmoi se shumica e viktimave u regjistruan në dy vagonët e parë të trenit të “Renfe”, të cilët u shkatërruan pothuajse plotësisht.

 Hetimet dhe pikëpyetjet

 Pyetja që mundon autoritetet është: Çfarë e shkaktoi daljen nga shinat? Ministri Puente u shpreh se ngjarja është “shumë e çuditshme”, pasi aksidenti ndodhi në një pjesë të drejtë të rrugës, e cila ishte rinovuar vetëm në maj të vitit të kaluar. Hetuesit po shqyrtojnë kutitë e zeza për të parë nëse bëhet fjalë për një problem teknik të trenit të ”Iryo”, një problem me sinjalistikën apo ndonjë gabim njerëzor.

Bilanci tragjik

Ekipet e shpëtimit  vazhduan punën deri në orët e para të mëngjesit të së hënës nën dritën e prozhektorëve për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar mes metaleve të përdredhura. Nga 75 personat e shtruar në spital, 15 janë në gjendje kritike.

Kryeministri Pedro Sanchez e cilësoi këtë ngjarje si një “natë plot dhimbje”, ndërsa mbreti i Spanjës ka shprehur ngushëllimet për familjarët. Aktualisht, të gjitha linjat hekurudhore midis Madridit dhe Andaluzisë janë pezulluar, ndërsa makineritë e rënda po zhvendosin mbetjet e trenave për të kërkuar për viktima të tjera të mundshme nën rrënoja./tesheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit