Bukë e thatë dhe dinjitet!

Më të lexuarat

Dinjiteti nuk është zë i lartë, as ecje mendjemadhe, as fjalë të mbushura me pretendime. Ai është diçka shumë më e qetë dhe shumë më e thellë.
Është ajo forcë e fshehtë që e pengon njeriun të shesë veten për një çmim të ulët, edhe kur është në nevojë të madhe. Është ajo ndjenjë e brendshme që e bën të japë me lehtësi, por të hezitojë gjatë para se të marrë.

Dinjiteti nuk do të thotë që njeriu të jetojë i vetëm, apo të mos ketë nevojë për të tjerët, por të njohë kufijtë në marrëdhënie me ta; të mos e ulë kokën nga lakmia dhe as ta ngrejë nga mendjemadhësia.
Ai është një ekuilibër i hollë mes dinjitetit dhe përulësisë; mes njohjes së vlerës së vetes dhe mos-harresës së vlerës së të tjerëve.

Rrëfehet se Kikavos bin Iskender, në librin e tij Qabus Name, tregon një histori të bukur:
Dijetari Shibli shkoi në një xhami për të falur dy rekate dhe për të pushuar pak. Në atë xhami kishte fëmijë që mësonin, dhe ishte koha e ushqimit të tyre. Dy fëmijë u ulën përballë tij.
Njëri ishte djali i një të pasuri dhe tjetri i një të varfri. Djali i pasur kishte ëmbëlsira në çantë, ndërsa i varfri kishte bukë të thatë.
Djali i pasur po hante ëmbëlsira, dhe i varfri i kërkoi prej tyre. Ai i tha: “Nëse do të të jap, bëhu qeni im!”
Djali i varfër tha: “Jam qeni yt.”
Ai i tha: “Leh si qen!”
Dhe ai fëmijë i varfër filloi të lehë si qen, derisa mori një copë ëmbëlsirë.

Shibli po i shikonte dhe qante. Nxënësit e pyetën: “Pse po qan, o shejh?”
Ai tha: “Shikoni ku e çon lakmia njeriun! Sikur ky djalë të ishte kënaqur me bukën e tij të thatë dhe të mos lakmonte ëmbëlsirën, nuk do të detyrohej të bëhej si qen për të.”

Varfëria nuk është gjithmonë mungesë parash; ndonjëherë është mungesë kënaqësie.
Bukë e thatë nuk ishte turp, por turpi ishte ta shihte ëmbëlsirën më të madhe se dinjiteti i tij.

Lakmia fillon e vogël, si një dëshirë e thjeshtë, por nëse lihet pa kontroll, rritet derisa e bën njeriun të pranojë gjëra që dikur nuk do t’i pranonte.
Sa shumë njerëz e kanë humbur veten duke kërkuar diçka më tepër, ndërsa sikur të kënaqeshin me atë që kishin, do ta ruanin dinjitetin e tyre.

Shpesh, gjërat që lakmojmë janë më të vogla sesa dinjiteti ynë.
Një copë ëmbëlsirë në atë moment iu duk e madhe djalit, por në të vërtetë nuk ia vlente që ai të lehte për të.

Prandaj lotët e Shibliut ishin lotët e një të urti që shihte përtej situatës; ai nuk qante për një fëmijë të uritur, por për një shpirt të vogël që mësoi herët një mësim të ashpër: se lakmia mund ta bëjë njeriun të heqë dorë nga vetja, pa e kuptuar.

Ed-hem Sherkavi
Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit