6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Biden thotë se Izraeli nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë, reagon Netanyahu: Ne jemi një shtet sovran

Më të lexuarat

Benjamin Netanyahu e ka “hedhur poshtë” thirrjen e presidentit amerikan Joe Biden për t’u “larguar” nga një rishikim i propozuar gjyqësor që ka çuar në protesta masive në të gjithë Izraelin, me kryeministrin izraelit që u përgjigj se ai nuk merr vendime bazuar në presionin nga jashtë.

Netanyahu të hënën e shtyu propozimin pasi një numër i madh njerëzish dolën në rrugë për të protestuar.

Shtëpia e Bardhë fillimisht sugjeroi që Netanyahu të kërkonte një kompromis, por presidenti amerikan shkoi më tej derisa po pyetej nga gazetarët të martën. “Shpresoj që ai të largohet prej saj (reformës gjyqësore)”, citohet të ketë thënë Biden, përcjell Telegrafi.

“Ashtu si shumë mbështetës të fortë të Izraelit, unë jam shumë i shqetësuar … Ata nuk mund të vazhdojnë në këtë rrugë dhe unë e kam bërë të qartë këtë”, ka thënë Biden para gazetarëve gjatë një vizite në Karolinën e Veriut.

“Shpresojmë se kryeministri [Netanyahu] do të veprojë në një mënyrë që do të përpiqet të arrijë një kompromis të vërtetë, por kjo mbetet për t’u parë”, tha Biden, duke shtuar se ai nuk po konsideronte të ftonte liderin izraelit në Shtëpinë e Bardhë të paktën “jo në një të ardhme të afërt”.

Më parë, ambasadori amerikan në Izrael, Tom Nides, i tha radios lokale se Netanyahu pritej të ftohej “sapo të koordinohen agjendat e tyre”.

Dhe siç vë në pah The Guardian, Netanyahu lëshoi shpejt një deklaratë në përgjigje: “Izraeli është një vend sovran që i merr vendimet e tij me vullnetin e popullit të tij dhe jo bazuar në presionet nga jashtë, duke përfshirë edhe miqtë më të mirë”.

“Unë e njoh presidentin Biden për më shumë se 40 vjet dhe e vlerësoj angazhimin e tij të gjatë ndaj Izraelit”, ka theksuar Netanyahu.

Ai tha se aleanca Izrael-SHBA ishte e pathyeshme “dhe gjithmonë kapërcen mosmarrëveshjet e rastësishme mes nesh”.

“Administrata ime është e përkushtuar për të forcuar demokracinë duke rivendosur ekuilibrin e duhur midis tri degëve të qeverisë, të cilin ne po përpiqemi ta arrijmë përmes një konsensusi të gjerë”.

Të martën në mbrëmje, qeveria e ekstremit të djathtë të Izraelit dhe partitë opozitare mbajtën një takim të parë mbi propozimet rreth gjyqësorit.

“Pas rreth një ore e gjysmë, takimi, i cili u zhvillua në një frymë pozitive, përfundoi”, ka bërë të ditur zyra e presidentit Isaac Herzog të martën vonë. “Nesër, presidenti Isaac Herzog do të vazhdojë serinë e takimeve”, shtoi ai.

Këto zhvillime vijnë mes skenave të kaosit në politikën izraelite, me çështje si ajo nëse Yoav Gallant, ministri i mbrojtjes i shkarkuar nga Netanyahu, po refuzon të japë dorëheqjen. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit