14.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Besimi në Zot është pjesë përbërëse e natyrës së njeriut

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Në një anketë të realizuar në SHBA rezulton se 73% e amerikanëve besojnë në Zot dhe se Zoti e ka krijuar njeriun. Kështu së paku potencuan disa media, ani pse unë mendoj se numri i tyre në realitet është edhe më i madh ngase edhe ata që deklarohen si ateistë, po të hyhet në analiza dhe detaje do të rezultojë, në fakt, se edhe ata besojnë në diçka. Besojnë në një superfuqi, pavarësisht si e quajnë apo e emërtojnë, në veçanti kur njerëzit janë në vështirësi, frikë apo kriza atëherë u del në pah besimi i tyre i fshehtë, të cilin mundohen të mos e shfaqin. Sido që të jetë, shumica absolute e amerikanëve rezulton të mos i besojë teorisë së Darwinit, ata e kuptojnë se kjo ishte vetëm një teori, pa fakte, e manipuluar dhe kundër logjikës së shëndoshë njerëzore ndaj edhe refuzojnë këtë teori. Natyrisht se e refuzojnë dhe nuk i besojnë kësaj teorie, sepse janë njerëz të mençur që fusin në funksion logjikën, përndryshe teorisë e Darwinit i besojnë vetëm të marrët, të cekëtit dhe injorantët, e në krye të listës ishin ata që donin të manipulonin me njerëzimin, si Marksi, Engelsi e deri tek Titoja e Enveri dhe pasuesit e tyre, të cilët nuk u mbushën mend edhe sot e kësaj dite.

Përndryshe njeriu i cili ka dy kokrra mend në kokë nuk mund të besojë, e as të diskutojë për një teori aq të mbrapsht, ndër teoritë më boshe dhe më të pa kuptimta që ju shfaqën njerëzimit ndonjëherë në lidhje me krijimin e universit, respektivisht vet njeriut. Në fakt, besoj se kjo ishte dhe mbetet teoria më fyese dhe më poshtëruese për dinjitetin e njeriut si krijesa më e çmuar dhe më e privilegjuar në këtë univers. A ka më fyese dhe sesa të konsiderosh se njeriu ka prejardhjen nga një kafshë, madje jo ndonjë kafshë e butë apo ledhatuese por një kafshë e nënçmuar siç është majmuni?! Pa thuaj dikujt sot: ti je majmun dhe shihe reagimin e tij/saj. Njeriu instinktivisht ndjehet i fyer kur e krahason me ndonjë shtazë, e lëre më të deklarosh se babai i tij është shtazë, apo se ky është nip majmuni.

Liderët komunistë me tërë qenien e tyre dhe aparaturën që posedonin u përpoqën ta mbjellin këtë teori në zemrat e qytetarëve dhe ta përhapin atë tek masat, siç veproi Enveri i cili u mundua që kombin shqiptar nga një komb musliman/krishterë, nga një komb fetarë, ta shndërroi në një komb ateist, por nuk ja arriti, ashtu siç nuk arriti Tito dhe liderët tjerë komunist para dhe pas tij. Kjo për faktin se shqiptarët vazhdojnë të jenë popull që me shumicë absolute besojnë në Zot dhe se Zoti e ka krijuar njeriun, ashtu siç e ka krijuar këtë gjithësi. Andaj nëse amerikanët janë 73% që besojnë se Zoti krijoi njeriun, shqiptarët janë mbi 99% që besojnë në këtë fakt. Si do që të jetë, e rëndësishme në këtë çështje, si fakt, jo si rast, është se besimi në Zot është natyrshmëri me të cilën lind njeriu, besimi është faktor me të cilin identifikohet pjesa më e madhe e njerëzimit.

Shikuar nga këndvështrimi tjetër, kjo nënkupton se ateizmi është përjashtim, është jonormal, është diçka që shumica e botës e refuzon. Edhe nga prizmi islam, besimi është natyrshmëri me të cilën lind njeriu, është diçka e mbjellë dhe e kultivuar thellë në shpirtin e njeriut dhe karakterin e tij; ai mbillet në shpirtin e njeriut që në lindje por pastaj, për shkaqe të ndryshme, njeriu e ruan atë, e devijon apo edhe e humb të tërin duke e mohuar se bartë në vete këtë pjesë të karakterit. Pejgamberi Muhamed [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Çdo i lindur lind në natyrshmëri (besim të pastër)…” e kjo është ajo në çka po thërrasim ne, që njerëzit ta besojnë Zotin e tyre, ti kthehen natyrshmërisë së vet, njerëzit janë të Zotit dhe tek Ai në fund do të kthehen. Zoti na forcoftë besimin dhe na ruajt nga mosbesimi, dyshimi e jo-fetaria/ateizmi. Amin, dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit