7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

BE duhet të ketë një qasje gjeopolitike, përballë sjelljes imperialiste agresive të Rusisë

Më të lexuarat

Kur një avion pasagjerësh i nisur nga Athina për në Vilnius u detyrua të ulej në Minsk me kërcënimin e shpërthimit të një bombe dhe i shoqërua nga një avion luftarak ushtarak, ky akt u prit me një ndjenjë tronditjeje dhe zemërimi në kryeqytetet evropiane.

Në atë moment u duk sikur artiktekti i BE-së, Jean Monnet, kishte të drejtë kur tha se:“Evropa do të ndërtohet nëpërmjet krizave”.Me shpejtësi dhe në mënyrë unanime, Evropa vendosi të reagojë ndaj kësaj ngjarje dhe të vendosë sanksione të reja ndaj regjimit të presidentit Alexandër Lukashenko që po mban në robëri qytetarët bjellorusë. Evropa ishte e jashtëzakonshme në marrjen e këtyre masave. Megjithatë, ekziston rreziku i vetëkënaqësisë. Ndaj le të bëjmë një hap pas, dhe një përmbledhje të perspektivës më të gjerë. Çfarë po ndodh saktësisht?

Deri më tani, institucionet civile nuk ishin menduar të përdoreshin si armë të tilla kundër regjimit. Tani po përdoren. Çfarë pritet më tej?Kjo është e vështirë të thuhet kur përballesh me një regjim që kryen shpesh veprime absurde. Bjellorusia e Lukashenkos të kujton gjithnjë e më shumë Korenë e Veriut, me përzierjen e saj të paparashikueshmërisë tekanjoze dhe agresionit të shfrenuar që ka si burim paranojën.

Megjithatë, a është ai akt vepër vetëm e Lukashenko? Ne nuk kemi ende informacione të mjaftueshme se kush ka qenë i përfshirë në incident, dhe hetimet janë në zhvillim e sipër. Por një gjë është e qartë:Rusia ishte e vetëdijshme për atë operacion, reagimet e Moskës ishin të gatshme dhe u bënë publike që para se perëndimorët të reagonin të tronditur në Twitter.

Për më tepër, ashtu si në epokën sovjetike, Lukashenko udhëtoi menjëherë drejt Moskës për t’i raportuar mbrojtësit të tij rus. Që nga zgjedhjet e manipuluara të vitit të kaluar, Rusia u përfshi më shumë se kurrë në punët e Bjellorusisë me konsulentë politikë, këshilltarë ushtarakë dhe ndihmë në fushën e propagandës.

Pyetja që do të doja të shtroja është:Cili është qëllimi përfundimtar i regjimit aktual rus, përveç sigurimit të mbijetesës së vet? Eksportimi i destabilitetit përtej kufirit të saj, ishte mënyra kalimtare e veprimeve të Rusisë për 2 dekadat e fundit, nga Transnistria në Ukrainën Lindore, nga Abkhazia në Nagorno Karabakh.

Por ky instrument është bërë gjithnjë e më i kushtueshëm. Ajo që po ndodh tani është përpjekja e Putinit për të riparuar “gabimin më të madh gjeopolitik të shekullit XX”,  shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Në fund të fundit, nuk ka rëndësi nëse Kremlini e bën këtë për të ulur kostot e mos-efektivitetit të tij, për të krijuar një trashëgimi personale, apo sepse nuk është në gjendje ta de-përshkallëzojë situatën rreth kufijve rusë.

Bjellorusia është shumë pranë aneksimit nga Rusia. Tani është koha të pyesim:Çfarë ndodh nëse Lukashenko nënshkruan me Putinin një marrëveshje për bashkimin e 2 vendeve në një federatë?  A nuk duhet që ta quajmë aneksim, siç bëmë me Krimenë? Nëse po, Bjellorusia duhet të shndërrohet në një zonë absolutisht të ndaluar për bizneset perëndimore, ashtu si Krimea sot. Por nuk është vetëm Bjellorusia. Edhe Armenia po varet gjithnjë e më shumë nga garancitë ruse të sigurisë, dhe ka një prani ushtarake ruse në rritje.

Azerbajxhani e fitoi luftën kundër Armenisë, por tani ka 5.000 trupa ruse brenda vendit.

Gjeorgjia humbi një pjese të territorit gjatë luftës së vitit 2008, dhe po dëshmon kufizimin dhe militarizimin e vazhdueshëm të territoreve të pushtuara të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Përshkallëzimi i fundit ushtarak rus në Krimenë e pushtuar dhe përgjatë kufirit ukrainas është një situatë e përhershme de fakto e luftës. E njëjta gjë vlen edhe për Transnistrias – territori i gllabëruar nga Moldavia, vend që deri vonë mbante rekordin më të mirë të reformave pro-evropiane.

Megjithatë cili është dallimi midis Kaliningradit, bazës ushtarake ruse në mes të Evropës dhe Osetisë së Jugut? Edhe ky i fundit ka trupa ruse; dhe është shndërruar gjithashtu në një kërcënim për vendet fqinje. Ndryshimi i vetëm është se Osetia e Jugut dhe “territoret” e tjera të ngjashme nuk janë ende Rusi; por ato mund të marrin të paktën disa vendime autonome.Me fillimin e projektit të “Rusisë së Re” që do të përfshinte Bjellorusinë, Armeninë, rajonin ukrainas të Donbasit, Abkhazinë, Osetinë e Jugut, Transnistria, Putini kërkon që të zgjidhë atë pengesë të fundit. Ky aneksim i ngadaltë po ndodh pikërisht në kufijtë e BE-së.

Dhe nëse nuk frenohet, ai do të krijojë destabilitet në rajon për 100 vitet e ardhshme. Vendet me territore të diskutueshme do të hezitojnë që të ndjekin reformat pro-evropiane, në mënyrë që të mos e provokojnë Rusinë, duke mbetur de fakto një “peng gjeopolitik” i Perandorisë së Re Ruse.

Bashkimi Evropian ka të drejtë që të shqetësohet për komunikimin e saj strategjik. Por tani është koha që të përqendrohemi mbi praninë strategjike të BE-së në Partneritetin Lindor. Nëse vijojmë të ngurojmë për shumë kohë, komunikimi nuk do të jetë më i rëndësishëm, pasi ne nuk do të konsiderohemi më si të pranishëm në rajon.

A do të mbetet BE-ja një vëzhguese e brengosur, që vetëm i sheh nga larg “lagjet pranë BE-së të përfshira në flakë”, apo do të zgjedhë të veprojë si një union gjeopolitik?Ka ardhur koha për këtë të fundit. Dhe po shohim që tani shenjat e para të mira.

Presidenti i Këshillit të BE-së, mori pjesë aktive në zgjidhjen e krizës politike në Gjeorgji dhe rezultati ishte i admirueshëm. Opozita gjeorgjiane është rikthyer në parlament, dhe ky i fundit është më në fund në gjendje të miratojë ligje dhe ta ndryshojë Kushtetutën, në mënyrë që Gjeorgjia të vazhdojë në rrugën e saj evropiane.

Evropa është ndërkohë shumë e nevojshme edhe në Bjellorusi. BE-ja duhet të maksimizojë presionin mbi diktatorin e çmendur dhe kriminal Lukashenko, dhe të ndihmojë qytetarët bjellorusë që të mbajnë zgjedhjet e lira që meritojnë.

Evropa është shumë e nevojshme në Azerbajxhan dhe Armeni, për të udhëhequr procesin e paqes, pasi Evropa është pala e vetme që nuk ka një interes vetjak. Interesi ynë i vetëm atje është interesi për stabilitetin, sundimin e ligjit dhe respektimin e jetës dhe të drejtave të njeriut.

Evropa është e nevojshme në Moldavi dhe Ukrainë, vendet më të orientuara drejt BE-së. Ukrainasit kanë paguar tashmë një kosto të lartë për aspiratën e tyre evropiane – nga qindra të vrarëtnë Euromaidan, tek ushtarët trima që vazhdojnë të vriten në luftën në Ukrainën Lindore.

Evropa duhet të bëhet gjeopolitike, ose do të përballet me kohëra gjithnjë e më të pasigurta, madje edhe të rrezikshme, pasi Kina, Rusia dhe madje Turqia dikur aspirante për në BE, do të fillojnë të vendosin mes tyre mbi fatet e vendeve jo vetëm në Lindjen e Evropës, por edhe në atyre jugore.

Ministrat e BE-së duhet t’i diskutojnë më në thellësi këto çështje,dhe të marrin vendime më largpamëse. Po ashtu, udhëheqësit e BE-së duhet të nisin ta shohin rajonin si një prioritet politik. Siguria e Bashkimit Evropian, është e lidhur pazgjidhshmërisht me paqen, stabilitetin dhe përparimin demokratik në vendet fqinje më të.

Vetëm një BE e sigurtë mund të kryejë misionin e saj origjinal – të jetë fanari i paqes, i të drejtave të njeriut, lirisë dhe prosperitetit. Rruga drejt së ardhmes së Evropës, kalon përmes së ardhmes evropiane për fqinjët e saj lindorë. Në të kundërt, programet tona mbi vendet fqinje,do të jenë vetëm një ushtrim i kushtueshëm i blerjes së kohës nga regjimet e ringjallura imperialiste. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Nga Gabrielius Landsbergis, EU Observer

Shënim: Gabrielius Landsbergis, është Ministër i Jashtëm i Lituanisë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit