6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Baze: Protesta e dëmton imazhin e Qeverisë, jo të Kosovës

Më të lexuarat

Publicisti dhe analisti Mero Baze është nga të rrallët që iu kundërvu Qeverisë së Kosovës, në pretendimet e saj se protestat e fundit të opozitës ia kishin prishur rëndë imazhin vendit. Protesta, sipas tij, ka efektin e kundërt nga ai që e ka proklamuar Qeveria.

Baze është një gazetar me përvojë nga Tirana. Ka punuar në shumë media vendore e ndërkombëtare, ndërkaq gati prej 16 vjetësh drejton gazetën “Tema”, të cilën vetë e themeloi. Këtë javë ai bëri një opinion mbi protestën. Tha se në të pa një shoqëri të gjallë, me nerv, të egërsuar me impotencën politike të pushtetit për çështje delikate, siç është “Trepça” dhe çështje emocionale siç është ministri Jablanoviq.

 

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” nëpërmjet postës elektronike, ai e elaboron ende më shumë këtë qëndrim. Jep argumente se si protesta mund ta dëmtojë imazhin e Qeverisë, por në asnjë rast të Kosovës.

 

Ai thotë se Kosova është një produkt tipik i konceptit të lirisë, që Perëndimi ka aplikuar për ta bërë shtet, prandaj konsideron se çdo lëvizje që forcon lirinë, që forcon kredencialet demokratike të shtetit, çdo përpjekje për të përmirësuar Qeverinë dhe për të forcuar shtetin ligjor, e bën Kosovën një vend dinjitoz dhe Perëndimin krenar për investimin e tij.

 

Baze insiston se imazhin e Kosovës e bën beteja për të respektuar arsyet, përse ky shtet ka lindur.

 

“Dhe ai shtet ka lindur në emër të lirisë së individit. Mos e harroni kurrë këtë. Në botë ka mijëra Kosova, që askush nuk i përmend”, thotë Baze.

 

“Falë Perëndimit dhe respektit të tij për lirinë, ne kemi një shtet të Kosovës. Por Aleanca me Perëndimin nuk ruhet duke iu servilosur zyrtarëve perëndimorë në Bruksel e duke u sjellë si Erdogani në Kosovë. Respekti ndaj Perëndimit dëshmohet kur sillesh si perëndimor në Kosovë”, tha ai. /Koha Ditore/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit