12.9 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Bashkia e Uskydarit i dhuron Shkodrës një Qendër të re Kulturore

Më të lexuarat

Bashkia e Uskydarit të Stambollit, Turqi bëri të mundur këtë projekt në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) dhe shoqatën “Istanbul”.

-Samit për Ballkanin Perëndimor në Bruksel

Problemet ekonomike, papunësia, sfidat e sigurisë, korrupsioni dhe sundimi i ligjit kanë qenë temat e Samitit të politikës evropiane në Bruksel, kushtuar Ballkanit Perëndimor.

Theksohet se jostabiliteti politik, korrupsioni dhe mosfunksionimi i shtetit juridik frenon zhvillimin ekonomik, si dhe parandalojnë ardhjen e investimeve serioze të huaja në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas mendimit të pjesëmarrësve, procesi i integrimeve evropiane është ngadalësuar, ndërsa situata e keqe ekonomike dhe mungesa e perspektivës janë shkaktarë të migrimit masiv të banorëve, veçmas të rinjve.

Për këtë shkak, siç thuhet, periudhën e ardhshme duhet përkushtim më shumë për reformat ekonomike, zgjidhjen e problemeve, investime në infrastrukturë, projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim më të mirë ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në takim është folur edhe për investimet dhe ndikimin e Kinës, Turqisë, Rusisë dhe vendeve arabe në rajon. Samitin me titull “Ballkani Perëndimor në udhëkryq, sfidat e reja, dinamika e ndryshuar” është organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer” dhe organizata “Miqtë e Evropës”.

***

-Brukseli vlerëson për arritjet e kryeministrit Rama 

Kryeministri shqiptar, Edi Rama gjatë ditës së dytë të vizitës në Bruksel takoi presidentin e Komisionit EuropianJean Claude Junker. Në konferencën për media pas takimit Junker vlerësoi progresin për reformat në Shqipëri.

“Ne jemi shumë të lumtur me atë ç’ka po ndodh në Shqipëri.”

Kështu u shpreh në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, shefi i Komisionit Europian, lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë.

“Sa i përket reformës në drejtësi, ne duartrokasim luftën e shpallur ndaj korrupsionitdhe ka një progres të dukshëm në këtë fushë”.

Përpos premtimit se do të shkelë në tokë shqiptare vitin e ardhshëm, Junker deklaroi se bazuar në rezultatet e 6 mujorit të ardhshëm, ai do të bëjë rekomandimin e tij pranë Komisionit.

“Nëse progresi është i vazhdueshëm në 6 muajt e ardhshëm unë kam ndërmend ti propozoj këshillit të ministrave të shteteve anëtare hapjen e negociatave, por gjithmonë varet nga reforma dhe rruga që vendi do të zgjedhe në muajt e ardhshëm”.

Kryeministri Edi Rama falënderoi presidentin Junker për mbështetjen në atë që e quajti, proces që nuk mbaron kurrë.

”Duke e ditur që 6 muajt e ardhshëm janë një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar për të hyrë në një fazë të re, shumë të vështirë por që është e nevojshme për të nisur bisedimet për antarësim. Erdha me frikë sot në Bruksel edhe pse me rezultate të prekshme, por largohem me bindjen se të tjera duhet të vijojnë dhe se sfida tashmë është e përbashkët dhe se opinioni publik do të kuptojë shumë mirë mesazhin tuaj”,- deklaroi Rama.

Vlen të përmendet se më përpara kryeministri Edi Rama ka patur një takimi me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili ka vlerësuar reformat në Shqipëri dhe ka deklaruar se: “…Ju jeni nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicieje evropiane dhe të kësaj ëndrre evropiane….”

Më pas, kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët për mediat ka shprehur kënaqësinë e takimit me Presidentin e Këshillit Europian.

Dhe po ashtu, dua t’i shpreh mirënjohjen se është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të afrimit të metëjshëm të Ballkanit, por dhe të Shqipërisë, me Bashkimin Europian…”.

***

 Bashkia e Üsküdarit i dhuron Shkodrës një Qendër të re Kulturore

Para pak ditëve në qytetin e Shkodrës është bërë inagurimi i Qendrës Kulturore, organizuar nga shoqata “Istanbul”, që është në afërsi të medresesë se djemve “Haxhi Sheh Shamia”. Të pranishëm në inagurimin e këtij institucioni kulturor ishin një numër i madh përfaqësuesish nga bashkia e Üsküdarit të Turqisë, e cila bëri të mundur këtë projekt në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim dhe Koordinim, TIKA dhe shoqatën “Istanbul”. Morën pjesë deputetë të Partisë Demokratike të qarkut Shkodër, kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, përfaqësues nga ambasada e Turqisë në Tiranëpërfaqësues të partisë turke AK, qytetarë të shumtë etj.

Fjala e hapjes u bë nga kryetari i shoqatës “Istanbul”, Ritvan Seferaj, i cili pasi i uroj mirëseardhjen të pranishmëve, sidomos  miqve turq, të ardhur enkas për përurimin e qendrës së re kulturore i falënderoi në emër të shoqatës që ai drejton institucionet turke si bashkinë e Üsküdarit, TIKA-n, etj, për këtë dhuratë të çmuar për qytetin e Shkodrës, si vend i kulturës dhe me tradita të lashta fetare.

“…Ne sot inagurojmë jo vetëm një objekt por edhe një projekt mjaft të rëndësishëm në vazhdën e projekteve tona, të cilat kontribojnë për të zhvilluar tek individi dhe shoqëria vlera shpirtërore dhe vlera të tjera humanitare….

Kemi bindjen se kjo qendër do të jetë pa dyshim një vlerë e shtuar për qytetin e vendin tonë, pasi që në ditët e para të saj ka pritur të rinj nga Shkodra dhe e gjithë Shqipëria, nga veriu në jug, por edhe nga trevat shqipfolëse në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë.

Ky vend do të jetë një dritare e re dhe një oaz shprese, në shërbim të edukimit shpirtëror dhe me moral të shëndetshëm të shoqërisë, për të cilin ka aq nevojë qyteti e atdheu ynë.

Bashkëpunimet dhe projektet e bashkive dhe minibashkive të ndryshme të Republikës së Turqisë, tashmë nuk janë një risi për qytetin e Shkodrës, kësaj rradhe është minibashkia Üsküdar e Stambollit, që i dhuron qytetit të Shkodrës këtë godinë të standarteve më të mira bashkohore. Me këtë rast i shprehim mirënjohjen dhe  falënderimet tona minibashkisë Üsküdar të Stambollit dhe kryetarit të saj, Hilmi Türkmen…”

Kryetari i bashkisë së Üsküdarit, Hilmi Turkmen, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe bëri me dije se kjo qendër do të jetë një vatër e dijes për të rinjtë shkodranë dhe jo vetëm.

“…Pjesë e këtij investimi janë edhe kontributet e vyera të fondacionit “Hydaye”, veçanërisht  kontributin që ka treguar bashkia e Shkodrës, me në krye kryetaren e saj znj. Voltana Ademi. Për këtë arsye përfitoj nga rasti ti falënderoj të gjithë përpara jush. Ne qoftë si Üsküdar,qoftë si Shkodër jemi  vëllezër, jemi brenda një vëllazërie. Kjo vëllazëri është gjithnjë duke arritur kulmin dhe duke u konsoliduar më shumë me sjelljen e përfitimeve për këtë komunitet…”

Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, vlerësoi kontributin e dhënë për ngritjen e kësaj qendre kulturore. Gjithashtu Ademi u shpreh se kjo qendër është diçka më shumë vlerë që i shtohet qytetit të Shkodrës.

“…Investimi nisi para pak kohësh, dhe e pa imagjinueshme që do të realizohet kaq shpejt dhe për këtë ne jemi shumë të kënaqur. Shpresoj shumë që kjo do të jetë një qendër edukimi që do ti shërbej qytetit të Shkodrër, e përtej Shkodrës…”.

Ndërsa, myftiu i Shkodrës, imam , duke vlerësuar këtë qendër si vatër shpirtëore për besimtarët, ndër të tjera tha:

“…Shpresoj dhe lutem që kjo qendër të ketë sukses dhe mbarësinë e Zotit, si dhe të jetë një ogur i mirë për Shkodrën dhe për mbarë Shqipërinë… Sikurse, lutem me zemër që marrëdhëniet dhe bashkëpunimet e vendit  tonë me Turqinë të forcohen ditë pas dite, sepse janë shumë të domosdoshme dhe lutem që në këtë periudhë të rizgjimit të madh të ymmetit islam, vendi ynë të mos mbetet i izoluar, si shkak i mendësive që e kanë izoluar dhe vazhdojnë ta izolojnë atë nga bota dhe rizgjimi. Allahu ju dashtë dhe ju shpërbleftë…”

I pranishëm në këtë inagurim ishte edhe kleriku i njohur turk, Osman Nuri Topbash, i cili shprehu mirënjohje për vëllazërinë mes shqiptarëve dhe turqve.

“…Nëse do të shohin në ish-Perandorinë Osmane, e cila ka patur rreth 80 kryeministra, rreth 35 prej tyre kanë qenë shqiptarë… Personi, i cili ka shkruar himnin kombëtar turk quhet Mehmet Akif Ersoj, i cili ishte shqiptar dhe ishte shembull për të tjerët. Mund t’ju sjellim shumë figura të tjera të njohura që kanë dhënë kontribut në letërsinë turke dhe në fusha të tjera. Të gjitha këto si të në të kaluarën, në të sotmen dhe inshalla edhe në të ardhmen rikonfirmojnë vëllazërinë tonë shqiptare-turke…”

Kjo qendër kulturore fillimisht do të shërbej si një vatër fetare, ku nxënësit do të kenë mundesinë të mësojnë librin e shenjtë, Kuranin përmendësh, ndërsa në vazhdim do të shtrihet dhe në fusha të tjera të kulturës.

***

-Për herë të parë panair i zogjve të kafazit në Shkodër 

Bashkia Shkodër dhe Fedarata Omitologjike Shqiptare kanë organizuar për herë të parë panairin e zogjve të kafazit në qytetin e Shkodrës, e cila ka një traditë të hershme për këtë lloj pasioni popullor.

Në këtë panair morën pjesë dhjetëra persona, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga trevat shqipfolëse si nga Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Mali i Zi, të cilët për dy ditë  kishin sjelle me vete një numër të madh zogjsh të veçantë në kafaza, sidomos kanarina.

Që në ditën e parë një numër i madh vizitorësh i është drejtuar parairit, për të parë nga afër zogjtë e veçantë.

Sipas organizatorëve ky panair pritet të kthehet në traditë edhe vitet e ardhshme në qytetin e Shkodrës, ndërkohë që më 19 dhjetor të këtij viti, të gjithë dashamirësit e zogjve mund të marrin pjesë në Kosovë, pikërisht në Prishtinë për vizituar nga afër panairin e zogjve të kafazave.

Disa nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë panair u shprehën paramediave.

– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit