16.6 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Bashkëjetesa tek popujt e civilizuar

Më të lexuarat

Nga: Dr Aid El-karnij

Bashkëjetesa tek popujt e civilizuar

Civilizimi edukon shpirtin, qytetërimi zbut karakterin, dija të pasuron me modesti dhe informacioni të bën largpamës. Një shoqëri e cila komunikon me dashamirësi dhe përdor dialogun, është një shoqëri e civilizuar dhe e ditur. Një popull i zhytur në sherre, zymtësi dhe censurë, është popull që e deklaron haptazi injorancën, prapambetjen dhe distancën e thellë me dijen, informacionin dhe abc-në e kulturës. Pikërisht për këtë, Kurani fisnik e dënon ambientin e prapambetur dhe të egër. “Beduinët janë mohuesit dhe hipokritët më të mëdhenj dhe më të prirët për të mos njohur kufijtë, që Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij.” (Teube, 97)
Në një hadith, profeti Muhamed a.s thotë:”Kush bën jetë beduini (endacaku) ftohet (në marrëdhëniet me njerëzit)”. Pra, në përgjithësi, tek banorët e shkretëtirës që endin sa në një vend në një tjetër, vihet re zymtësia, ftohtësia dhe ashpërsia në komunikim. Kjo, për shkak se janë larg përmendoreve të dijes, tempujve të shkencës dhe civilizimit.
Le ti hedhim një vështrim të shpejtë periudhës së ndritur të profetit Muhamed a.s dhe kalifëve që erdhën pas tij. Vetë Zoti në Kuran i përshkruan me fjalët:”Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre.” (Fet’h, 29)
Kundërshtitë dhe polemikat shterpë mes tyre ishin pothuaj inegzistente. Karakteristika kryesore e tyre ishte dialogu dhe bisedat mirëkuptuese, të bazuara në fakte dhe argumente. Me përfundimin e periudhës së Qeverisjes së Drejtë (kalifatit rashid), u shtua numri i të konvertuarve nga territoret përreth, ku një pjesë e tyre ishin njerëz të poshtër dhe të ligë, të cilët u konvertuan për qëllime personale pragmatiste. Prej tyre rrjedhin dhe havarixhët dhe sekte të tjera, të cilët interpretuan tekstet e shenjta sipas shijes së tyre, nxitën dhe thelluan polemikat shterpë, krijuan konflikte dhe sherre të shumta. Injoranca në çështjet e fesë dhe distancimi nga dija, është një nga fatkeqësitë më të rënda.
Po të shohim sot, pavarësisht besimit fetar, do të gjejmë që popujt islam të cilët në fakt nuk e zbatojnë islamin si besim, adhurim, moral dhe sjellje, janë popujt më të prapambetur, popuj ku konfliktet dhe sherret janë në kulmin e tyre. Sakaq, popujt e zhvilluar materialisht, përjetojnë kulmin e stabilitetit, mirëqenies dhe lulëzimit ekonomik, larg luftërave dhe konflikteve. Po të duash, krahasoje Francën, Gjermaninë, Italinë, Britaninë dhe Austrinë nga njëra anë, me Somalinë, Afganistanin, Irakun, Jemenin dhe Sudanin nga ana tjetër. Për pesë shtetet e para, pothuaj në çdo emision lajmesh flitet për ekonominë, zbulimet, shpikjet, prodhimin, bujqësinë dhe teknologjinë, sakaq për pesë vendet e dyta flitet për vrasjet, shpërthimet, atentatet, analfabetizmin, fukarallëkun, diktaturën, padrejtësinë etj… Të dy realitetet, kanë të bëjnë me civilizimin dhe nivelin kulturor. Që të mos më keqkuptojë ndonjë, po them që këtu nuk po flas për besimin fetar mes dy realiteteve të lartpërmendura, por po flas për jetesën dhe mirëqenien. Nuk e kuptoj ç’lidhje kanë me islamin grupet e armatosura në Irak, Somali, Sudan, Jemen dhe Afganistan, të cilët nuk hezitojnë të vrasin bashkëkombasit e tyre, tu shpërthejnë shtëpitë, të shkatërrojnë infrastrukturën dhe pronat publike! Ndërkohë, shohim që shoqëria e pesë shteteve evropiane por dhe vende perëndimore të tjera, kanë ndërtuar fabrika, punishte, kompani, universitete, laboratorë etj… Ata prodhojnë, shpikin, zbulojnë, eksperimentojnë, meditojnë, lexojnë dhe shkruajnë, ndërkohë që pesë vendet e tjera të prapambetura, janë të angazhuara me armët, hakmarrjen dhe ekzekutimet. Çfarë emri mund ti vëmë kësaj përveç injorancë, prapambetje shkencore dhe disfatë civilizuese?! Tek këta njerëz, mesa duket feja dhe atdhetarizmi s’paska ushtruar asnjë ndikim! Njerëz pa kulturë dhe pa pikë vetëdije!
Po të hedhim një sy në debatet tona shkencore dhe kulturore në media dhe faqet sociale në internet, duket qartë që kemi dalë lakuriq para botës, duke u shfaqur si bisha të egra, të uritura për hakmarrje dhe shfryrje dufi, të ekzaltuar nga shkarja e një të suksesshmi. Kemi aftësi të habitshme për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, zhbirimin e gabimeve dhe shfryrjen e dufit mbi ta. Një fjalë e urtë popullore thotë:”Ai që s’merret me asgjë, bën gjykatësin e të gjithëve.”
Sot na mungon kreativiteti për tu marrë me diçka, por edhe prodhimi që na ndihmon të organizojmë kohët. Pjesa më e madhe shoqërisë përjeton një vakum të thellë vrasës, biseda shterpë, muhabete të kota, thashetheme lart e poshtë. Ekzaltimi i të rriturve nga debatet dhe sherret, i ngjason ekzaltimit të fëmijëve me ndeshjen e deshve apo gjelave, gjë e cila shkakton boshatisje të trurit nga vlerat dhe informacionet e duhura. Po të shohim arabët e paraislamit, e gjithë jeta e tyre ishte luftëra, sulme, plaçkitje, pabesi, atentate etj… sepse ishin shoqëri endacake, xhahile dhe pagane. E kundërta ndodhte me shoqërinë perse, romake, kineze dhe greke, të cilat ishin të angazhuara me dije, ndërtim dhe art. Prandaj ishin të rralla luftërat, sulmet, hakmarrjet dhe sherret. Ardhja e Islamit solli një brez të ri, umeti islam ishte në ndërtim e sipër të civilizimit të dhembshurisë, dashurisë, respektit dhe komunikimit njerëzor me të gjitha popujt e botës. U ngritën tempujt e dijes dhe institucionet e arsimit. Përgjatë shekujve të zhvillimit, umeti islam ofronte modelin shembullor të progresit dhe përparimit. Vendet myslimane u shndërruan në objektiv të kujtdo që kërkonte dijen dhe edukimit, gjë e cila është regjistruar nga pena neutrale dhe objektive joislame.
Por, kur sipas ligjit të Zotit, ndodhën ndryshimet dhe u zëvendësuan kohërat, siç thotë dhe Kurani “ditë të cilat i alternojmë mes njerëzve”, popujt e tjerë morën në dorë çelësin e iniciativës. Kështu, civilizimi i materies mori në dorë lidershipin, ndërkohë që karvani i myslimanëve mbeti shumë pas. Pyete veten një herë cilat janë vendet më të varfra, më analfabete, pyete ku janë më të përhapura luftërat dhe vrasjet, konfliktet dhe mosmarrëveshjet!
Një popull i qetë, i paqtë, zemërbutë, në harmoni me veten dhe me të tjerët, që beson në vlerën e dialogut dhe debatit shkencor dhe që respekton diversitetin, është popull elitar, i civilizuar, human, i qytetëruar dhe i zhvilluar.  E nëse sheh një popull të dhunshëm në komunikim, kaotik në performancë, hakmarrës, konfliktual etj… dije se është popull xhahil, i prapambetur, i falimentuar për nga shkencat, letërsia dhe artet. Ai i ngjan popujve të prapambetur dhe paganë para Islamit.
Umeti islam duhet ti kthehet lavdisë së tij, asaj lavdie që e lidh me periudhën e ndritur të civilizimit, asaj periudhe që e lidh me kohën profetike, të katër kalifëve të drejtë dhe të kalifit Umer ibnu Abdul Aziz, i cili i urdhëronte vartësit: Hidhni drith në male, që të ushqehen shpendët dhe që askush të mos thotë se shpendët ngordhnin urie gjatë kalifatit tim.” Po, umeti duhet të bëjë lidhjen me kohën kur i krishteri kopt nga Egjipti, merrte udhën dhe i ankohej Prijësit të Besimtarëve, Omer ibnul Hattabit, se i biri i guvernatorit Amr ibnul As, i kishte qëlluar të birin e tij. Sakaq, Omari, pasi merr hak për të birin e koptit të krishter, i drejtohet guvernatorit dhe mikut të tij të ngushtë me fjalët:”Që kur keni filluar ti skllavëroni njerëzit, ndërkohë që nënat i kanë lindur të lirë?!”
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit