13 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Bashkëjetesa në mes çifteve, martesë apo lidhje e jashtëligjshme?!

Më të lexuarat

Transformimet që po i pësojnë sot shoqëritë moderne pa dyshim se kanë karaktere shumëdimensionale, dhe shpeshherë kanë tendenca të lëkundin fuqishëm themelet e shoqërive. Këto transformime, si kurrnjëherë më parë, po lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqëri, po u japin atyre orientime të reja dhe po u përcaktojnë objektiva jetese, ndryshe nga ato që ishin të njohura më parë.

Pa asnjë dilemë, familja ishte nyja dhe celula më e ndjeshme e shoqërisë, e që e para ka filluar t’i përjetojë këto ndryshime,dhe, njëkohësisht, edhe t’i paguajë më së shtrenjti faturat.

Përderisa në të kaluarën ka qenë e fiksuar ideja në kokën e secilit, pra se krijimi i familjes është domosdoshmëri e individit, qoftë mashkull ose femër, dhe se martesa në mes të çifteve me gjini të kundërt është rrugë vetme legjitime për krijim e një familjeje të shëndoshë, sot vërejmë se këto koncepte, kaherë unanime, po përjetojnë plasaritje dhe çarje serioze.

Martesa përballë alternativave tjera të lidhjeve gjinore

Martesa ka qenë gjithnjë institucioni që më së shumti u ka ofruar shoqërive prehje shpirtërore dhe qetësi familjare, dhe atë gjatë gjithë historisë njerëzore. Ajo në të vërtetë është ligjësuar për këtë qëllim edhe nga vetë Krijuesi ynë, dhe këtë fakt madje e vë në pah vetë Ai, kur thotë: “Edhe prej fakteve të Tij është që për juve krijoi bashkëshorte nga lloji juaj, që të gjeni prehje (qetësi) pranë tyre, dhe në mes jush bëri që të keni dashuri dhe mëshirë. Vërtet në këtë ka argumente për ata që mendojnë.” (Err-Rrum, 21).

Ky citat dhe të tjerët të ngjashëm me të bëjnë me dije se fole e prehjes familjare të njeriut është martesa, dhe krijimi i familjes nëpërmes saj, e jo rrugë të tjera. Madje, kjo nga Allahu është konsideruar si argument i fuqisë, urtësisë dhe vetë ekzistencës së Tij. Martesa në këndvështrimin islam kurrsesi nuk llogaritet vetëm si mundësi për shfryrje të pasioneve, ani pse edhe ai është synim i natyrshëm i krijuar në e fizikun e njeriut. Por, mbi të gjitha, ajo është një strehë e fuqishme e çifteve, si dhe një institucion i pazëvendësueshëm që mundëson vazhdimin e ekzistimit të llojit të njeriut, si qenie më e ngritur dhe më e privilegjuar e Allahut të Lartmadhëruar. Megjithatë, përballë kësaj lidhjeje të natyrshme, që e synon Zoti për krijesën njeri, sot njerëzit bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të gjejnë alternativa të tjera të lidhjeve, pos asaj që ka qenë gjithnjë rrugë e vetme e lidhjes në mes çifteve. Alternativat tjera janë të shumta, dhe s’mund t’i përmbledh një trajtesë sikur kjo, por ne do të ndalemi vetëm në njërën prej tyre, e ajo është ”bashkëjetesa”.

Koncepti i bashkëjetesës në mes çifteve si ide dhe dukuri

“Bashkëjetesa” mes çifteve është koncept i ri i lidhjeve në mes të gjinive të kundërta (e për ironinë e fatit nganjëherë edhe të njëjta), andaj edhe kemi nevojë që të gjejmë një përshkrim definues të vetë nocionit në fjalë. Një të tillë nuk e gjejmë në “Ligjin e Familjes së Kosovës”, por e vërejmë në “Kodin e Familjes” së Republikës së Shqipërisë, ku neni 163-164 i kodit respektiv thotë: “Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie. Personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa lidhur me fëmijët dhe pasurinë gjatë bashkëjetesës.”

Kjo dëshmon se në Shqipëri bashkëjetesa njihet si lidhje legale ne mes personave me gjini të kundërt. Por, po nga përkufizimi i mësipërm shfaqet edhe një element tejet me rëndësi për trajtesën tone, e që është fakti se çifti nuk obligohet ta ligjësojë bashkëjetesën, së paku me ndonjë kontratë formale tek noteri a gjykatësi, as nuk kërkohet që lidhjen e tillë ta dëshmojnë dëshmitarët, siç bëhet rëndom në rastin e martesës, Kjo është në lirinë e tyre, pra vetëm nëse dëshirojnë ta bëjnë, Nga kjo nënkuptohet se bashkëjetesën e tillë mund ta mbajnë sekret e ta dinë vetëm çifti që bashkëjeton. Ata në realitet, sipas praktikës që vërehet se është evidente, mund të vetmohen, të kenë marrëdhënie intime, të shoqërohen, e ndoshta edhe të banojnë herë pas here bashkë nën një kulm, qoftë edhe në periudha të ndara kohore.

Çiftet me orientim ultra liberal sot synojnë gjithnjë e më shumë lidhje që atyre u ofron me shumë kënaqësi të rastit, dhe që ka më pak pasoja dhe përgjegjësi prindërore, familjare e sociale, Kjo formë lidhjeje në mes çifteve, si fenomen tashmë është prezent edhe në Kosovë, dhe si e tillë pa dilemë se është e importuar nga vendet perëndimore, por se në ç’masë është e përhapur në shoqërinë tone ende nuk ka shifra të sakta.

Meqë koncepti i bashkëjetesës në mes çifteve në realitetin e sotshëm është ky, do të duhej doemos të kujdesemi se çfarë është qëndrimi i Islamit, dhe çfarë dispozite merr kjo lidhje në jurisprudencën islame.

Bashkëjetesa mes çifteve në peshojën e Islamit

Nga përshkrimi i bashkëjetesës del në pah se kur një mashkull dhe një femër pajtohen të bashkëjetojnë, ata s’kanë bërë kurorë fare, dhe lidhjen e tyre rëndom nuk e ka dëshmuar askush prej dëshmitarëve. Ata, në fakt,

“lidhjen aventureske të dashurisë” së mëhershme kanë bërë përpjekje që ta normalizojnë si dhe t’ia mveshin asaj petkun e ligjshmërisë juridike. Çifti që bashkëjeton, lidhjen e tyre as nuk pranon ta quajë martesë, por e quan “bashkim fakti”, ose thënë ndryshe, paralojë dhe një eksperiment të lidhjes, që edhe mund të çojë deri te martesa, por jo gjithsesi.

Islami, si platformë juridike të cilës iu garantua përjetësia nga I Gjithëdijshmi, këtë fenomen e sheh me rezervë të madhe, ani pse mund të cilësohet me emërtime të ndryshme dekorative. Islamit në fakt nuk i bëjnë përshtypje emërtimet, sado joshës qofshin, por atij i intereson thelbi dhe përmbajtja e tyre.

Bashkëjetesës, sipas konceptit islam dhe si lidhje, i mungojnë disa kushte të legjitimitetit të martesës. E, pa dyshim se ajo më me peshë është fakti se kjo fare nuk po quhet martesë, por lidhje bashkëjetese. Pastaj një “lidhjeje” të tillë po i mungon publikimi, ose dëshmimi i dy dëshmitarëve, pa të cilin kusht lidhja mbetet në atë cilësimin e dijetarëve si “martesë sekrete – nikahus-sirr”.

Allahu në Kuran thotë: “Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë amoralitet, as duke i marrë për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar.” (El Maide, 5),

Ajeti përkufizon lidhjen e ligjshme në mes çiftit, vetëm nëse ajo është martesë, dhe është i prerë dhe nuk lejon as amoralitet (respektivisht zina të hapur dhe me numër të madh të grave, respektivisht të burrave), e as lidhje aventure “të dashurisë”, edhe nëse ata dy kufizohen dhe zotohen që do të zhvillojnë intimitetin vetëm në mes tyre. Imam Sha’biu në kontekst të komentimit të pjesës së fundit të këtij ajeti thotë: “Amoraliteti është dy llojesh: Sifah ose zina – publik dhe me më shumë njerëz, dhe “el -h’idn-aventurat e dashurisë”, që është amoralitet i fshehtë. Prandaj Allahu i ndaloi që të dy format, dhe e lejoi vetëm kënaqësinë që bëhet në lidhje bashkëshortore”.(1)

Muhamedi s.a.v,s., duke dashur ta bëjë të qartë rëndësinë e dëshmisë së kurorës, thotë: “S’ka kurorë (martesë) pa lejen e kujdestarit të vajzës dhe pa dëshminë e dy dëshmitarëve të drejtë.”(2)

Madje, edhe nëse nuk bëhet dëshmimi i asaj kurore me dy dëshmitarë, siç mendojnë shumica e dijetarëve (hanefinjtë, shafiinjtë dhe hanbelinjtë), doemos duhet të ekzistojë një gosti ku do të mblidhen njerëzit e afërm të të dy palëve, që të marrin vesh lajmin, e që në takt këtë e kushtëzon edhe Imam Maliku r.a.(3)

Nisur nga rëndësia e publikimit të martesës ose dëshmimit të saj, Omer ibn Abdul-Azizi i kishte shkruar një shkresë-urdhër Ej-jub Ibn Sherahbilit, e i kishte thënë: “Urdhëroji njerëzit që të bëjnë publike martesën-kurorëzimin, le t’i rrahin defat, sepse kështu dallohet martesa e ligjshme nga amoraliteti i paligjshëm!”(3)

Nisur nga kjo pikëpamje, duhet të themi se ”bashkëjetesa e çifteve”, fare nuk është martesë, e as nuk quhet si e tillë, por asaj i mungon edhe komponenti esencial i ligjshmërisë së një lidhjeje, e ai është publikimi i lajmit, qoftë me dëshmitarë, eventualisht me ndonjë gosti rasti, sado modeste qoftë.

Pasojat e bashkëjetesës së çifteve pa lidhje kurorëzimi

S’ka dilemë se çdo shmangie nga udhëzimi i Zotit dhe devijim i rrugës së Tij sjell pasoja jo të mira, si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Edhe bashkëjetesa, si formë pothuajse moderne e lidhjes në mes çifteve, ka pasoja jo të mirëseardhura për individin, familjen dhe shoqërinë në tërësi. Anashkalimi i Ligjit Hyjnor ka konsekuenca edhe të tillat, e që duhet t’i bartin në mënyrë të drejtpërdrejtë ata që e kanë filluar një rrugë të tillë.

Lidhja e tillë, sipas ligjit të Zotit, në asnjë rast nuk ofron ngrohtësinë bashkëshortore, të cilën Ai e ka garantuar që do t’i dhurohet vetëm të martuarve. Lidhja e tillë e bashkëjetesës me shumë i ngjan një lidhjeje aventure, motiv i së cilës është vetëm pasioni dhe epshi, e jo dëshira për krijim të familjes.

Bashkëjetesa rëndom është një lidhje afatshkurte dhe përfundon shpejt, ngase si e tillë edhe është planifikuar te jetë. Qifti që ka zgjedhur të kalojë jetën në lidhje bashkëjetese zakonisht nuk mendon në pasardhës, madje edhe nëse furnizohen me fëmijë fati i tyre është gjithnjë në rrezik dhe jo i garantuar e i sigurt.

E, ç’është më e rrezikshmja nga të gjitha, një lloj modeli i lidhjes së tillë ka si tendencë dhe prapavijë të fuqishme që lidhjet në mes çifteve të mos e ruajnë karakterin e tyre të mbyllur – konservativ, por të zhvillohen në sinqeritet e besnikëri në mes bashkëshortëve, dhe secili çift të ketë mundësi të krijojë edhe lidhje të tjera “paralele” në të njëjtën kohë, dhe ta përdorë “bashkëjetesën” si mburojë, kinse legjitime, që të zhvillojë amoralitet të hapur.

Krejt në fund, duhet të themi se njerëzit mund të shpikin forma moderne të lidhjeve në mes çifteve, ose t’i transformojnë skajshmërisht ato që janë të natyrshme dhe të ligjësuara nga Ligjvënësi i Urtë, por një është e sigurt, se të tillët kurrnjëherë nuk do të gjejnë prehjen shpirtërore e familjare që mund ta kenë aspiruar.

______________________

(1) Rraziu, Et-Tefsirul-Kebir (4295). Bot. i katërt. Daru Ihjaut-turathil- arabij. Bejrut 2001.

(2) Hadithin e transmeton Aisheja r.a. nga i Dërguari s.a.v.s., ndërsa është evidentuar nga Ibn Hibbani në Sahihun e tij (nr.4075), ndërsa hadithi është hasen.

(3) Serh’hasij, El-Mebsut (5 31-32). Bot. i parë. Darul-Ma’rife. Bejrut. 1993.

(4) Dr. Raid Budejr, Musem-mejat ez-zevaxh el-muasireh (f. 161). Bot. i Parë. Dar ibn Xheuzi. Kairo. 2006.

Mr. Driton Arifi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit