Më në fund marrëveshja për pushimin e luftës mes Pakistanit dhe Indisë u arrit përpara se të arrihej në përshkallëzimin e frikshëm të një lufte totale mes dy vendeve.
Lufta mes tyre nisi menjëherë pas vizitës së Netanjahut në Indi. Mjaftoi një shpërthim i dyshimtë në Kashmir i “stilit” të shërbimeve sekrete, që fitili i luftës të ndizej menjëherë.
Cilët ishin të interesuar për një luftë mes dy vendeve? Izraeli dhe Amerika. Izraeli një aleat i ngushtë i Indisë ishte i interesuar për trazimin e botës islame, për të hequr sadopak vëmendjen nga Palestina dhe Shami me luftra të tjera të mëdha shqetësuese për mbarë botën islame.
Amerika, një ishaleate e Pakistanit që pas rënies së Bllokut Lindor e ka tradhëtuar atë duke u lidhur përherë e më shumë me Indinë, ishte e interesuar të shqetësonte Kinën dhe të krijonte një trysni ushtarake dhe ekonomike ndaj saj atëherë kur nuk e priste dhe aty nga nuk e priste. Politikat fiskale dështake që ndoqi presidenti Tramp ndaj Kinës, ndikimi i tyre në ekonominë amerikane me efektin bumerang dhe profesionalizmi ekonomiko-politik i Kinës e “tërbuan” pa masë presindentin amerikan, duke e shtyrë atë të jepte dritën jeshile për një konflikt ku Amerika do të dilte e fituar dhe nuk kishte ç’të humbte.
India ishte përgatitur me kohë për një sulm të tillë. Presidenti ekstremist indian Nerendra Modi kishte kohë që kërcënonte me luftë dhe ky moment ishte ai më i volitshmi për të nisur një luftë e cila sipas tij do të fillonte një erë të re për ndryshimet e mëdha politike dhe demografike për të cilat Modi ka kohë që thërret.
Mjaftoi një incident i kurdisur të cilin Pakistani e mohoi kategorisht për të vënë në zbatim planin, por ndodhi ajo që nuk pritej. Pakistani jo vetëm ishte në vigjilencë dhe gadishmëri të plotë, por ai dëshmoi në fushën e betejës një superioritet të cilin askush nuk e priste. Me pak fjalë India u mund dhe u tërhoq me bisht në shalë. Një kundërpërgjigje ajrore dhe tokësore e menjëhershme shpartalloi flotën ajrore indiane dhe vuri nën zjarr reparte të tëra ushtarake brenda Indisë. Dhjetë avionë ushtarakë të rrëzuar në pak ditë dhe dyzina me drone të shkatërruara nuk janë pak. Përfundimi: India u detyrua të hapte digat dhe të lëshonte ujin e Lumit Indus (Lumi Sind) të cilin e kishte bllokuar me arrogancë, të ulte kokën dhe tërhiqej nga të gjitha kërcënimet e saj. Aleatët perëndimorë e këshilluan të tërhiqej për të mos u turpëruar më shumë dhe rezultati ishte pranimi i marrëveshjes poshtëruese që e nxjerr Pakistanin pa dyshim triumfator.
Sigurisht Trampi nxitoi të jepte i pari lajmin duke pretenduar se ishte ai ideatori dhe nxitësi i “paqes”. Nuk besoj se ka mbetur ndokush që akoma i merr me seriozitet deklaratat komike të Trampit. India u mund sepse Pakistani ishte në gadishmëri dhe sepse teknologjia kineze dhe dronet Bajraktar ishin superiore ndaj asaj perëndimore. Faktet i kanë parë të gjithë, ndërsa të tjerat janë thjesht deklarata.
/Florian Leli/
