16.1 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Më të lexuarat

Sot është një ditë e rëndësishme sa i përket procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vetën një pikë të rendit të ditës, atë të aplikimit të Kosovës në KiE, gjegjësisht raportin e Dora Bakoyannis.

Mbledhjen e Komisionit e kanë konfirmuar ditë më parë për Telegrafin nga Këshilli i Evropës, gjersa sot në agjendë të këtij Komisioni është kjo pikë e rendit të ditës. Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30 deri në 17:30.

“Pasi të miratohet nga Komisioni, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja”, bën të ditur nga Këshilli i Evropës.

Saktësisht në agjendën e Komisionit për Politikë dhe Demokraci thuhet se në rend dite është opinioni statutor mbi aplikimin për anëtarësim të përcaktuar në letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në përputhje me Rezolutën Statutore (51) 30.

Raportuese është Dora Bakoyannis.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, i ka bërë të ditura dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis, raportuese në Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Knaus në një postim në X shkruan se opinioni i ish ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, aktualisht raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thotë që Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ndërkaq, lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE ditë më parë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili në një mbledhje të ekzekutivit bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë  dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit.

Ai pati njoftuar se lidhur me këtë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

“Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve…. të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit”, ishte shprehur Kurti.

E lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës ditë më parë ka njoftuar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ai ka deklaruar se këtë javë janë dy momente me rëndësi, derisa ka theksuar se për t’u votuar raporti duhen votat e 27 deputetëve.

“Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës…. Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave”, ka shkruar Tahiri.

Në prag të prezantimit të raportit faktmbledhës (27.03.24) Dora Bakoyannis, raportuese e Këshillit të Evropës (KiE) për Kosovën në Komisionin e Çështjeve Politike, deputeti gjerman socialdemokrat Frank Schwabe është optimist për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Schwabe ka folur për shansin historik të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, gjersa theksoi se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Unë jam një nga ata që dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare tani, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në SHBA, si do të ndryshojë situata politike. Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, ka thënë deputeti gjerman në një intervistë për Deutsche Welle.

Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit