Të “çliruar” nga përgjegjësia për të pasur kredencialet e autoritetit të besueshëm të dijes, ka një mori individësh që komentojnë dhe shprehin pa teklif nëpër rrjetet sociale padijen e tyre. Të “mbrojtur” pas anonimatit që u ofron teknologjia kibernetike, çdokush që ka mendim të mirë për vete, u shet mend gjithkujt dhe gati për gjithçka, duke nisur që nga “ekspertizat” e doktrinës e deri tek politika sheriatike dhe gjeostrategjia politike e shteteve. Duke qenë se sot është lehtësisht e mundshme të gjesh me bollëk informacion të njëanshëm dhe t’i ofrosh ato si të vërteta absolute, anonimët e rrjeteve sociale po përjetojnë epokën e artë të lulëzimit të tyre, apo më saktë epokën e artë të lulëzimit të injorancës së komplikuar.
Në shkencën e verifikimit të autenticitetit të haditheve, dijetarët e Islamit, në mënyrë të posaçme muhadithinët, kanë vendosur kritere se kujt i pranohet transmetimi i një hadithi, apo edhe i një lajmi ose dijeje, dhe kujt jo. Te kriteret refuzuese janë përfshirë edhe anonimët (mexhhulin). Këta ndahen në dy kategori në ‘individë të panjohur’ (mexhhul el-ajn) dhe në ata të njohur, por me ‘gjendje të panjohur’ (mexhhul el-hal). Të parët nuk njihen si persona, se kush janë, dhe këtu futen të gjithë ata individë që paraqiten me emra dhe nofka që nuk i njeh askush, ndërsa të dytët janë ata që njihen si persona konkret, por nuk dihet gjendja e tyre, për sa i përket dy kushteve për t’iu pranuar lajmi apo dija që përcjellin.
Këto dy kushte janë: të jenë të drejtë sheriatikisht, që do të thotë të mos jenë njerëz të njohur për gënjeshtar apo të akuzuar si të tillë, apo të jenë njohur për gjynahe të rënda dhe bidate të rrezikshme, shkurt të mos kenë besueshmërinë e mjaftueshme morale për t’iu besuar atë që tregojnë dhe përcjellin. Dhe e kriteri i dytë, të jenë të përpiktë dhe të saktë në atë që japin dhe përcjellin.
Nëse transmetuesi nuk plotëson ndonjë nga këto kritere, ose ka mangësi të theksuara në to, atëherë dija dhe lajmi që ai përcjell vlerësohet si i pabesueshëm dhe nuk merret në konsideratë. Ekzistenca e transmetuesve të panjohur dhe atyre që nuk u dihet gjendja, në një isnad hadithi, e bën këtë hadith që të vlerësohet si joautentik, apo edhe gënjeshtër, sidomos kur atë që ai përcjell nuk e përmend apo thotë dikush tjetër që është i besueshëm. Pra padija apo mos njohja e atij që përcjell diçka përbën argument të mjaftueshëm për të mos i besuar dhe për të refuzuar fjalën e tij. Pra nuk mjafton vetëm të thuash diçka të saktë, për t’u pranuar, por duhet edhe të jesh person i njohur dhe i pranuar.
Pa hyrë në detaje të tjera, shumë më specifike të disiplinës së hadithit, mund të themi lirisht se nëse aplikohet me rigorozitet kjo dije, në refuzimin dhe pranimin e asaj që thuhet dhe qarkullon sot nëpër rrjetet sociale, një mori individësh do të vlerësoheshin jo vetëm si të pabesueshëm, por edhe si gënjeshtarë të mundshëm, sidomos ata që llomotisin pas nofkave apo emrave të bukur të faqeve me karakter joindividual. Disa prej tyre janë kaq të guximshëm në shprehjen e injorancës së tyre, sa që se kanë për gjë të thonë me pompozitetin dhe ‘sigurinë’ më të madhe iluzione, fantazi që janë shpifje të dukshme, e madje edhe të komentojnë dhe debatojnë si të ishin nga njerëzit më të ditur, ndërkohë që me paturpësi dhe papërgjegjshmëri maksimale fshehin identitetin e tyre real, që me shumë gjasa rezulton të jetë një njeri që nuk ka tagrin e dijes për t’iu dhënë mend të tjerëve. Sepse njerëzit e ditur dhe serioz, që kanë ndërtuar me mund autoritetin e tyre si të ditur, nuk kanë asnjë arsye morale dhe serioze të shfaqen si anonim nëpër rrjetet sociale të internetit.
Është më se e sigurt që edhe njerëzit më të ditur mund të gabojnë ndonjëherë dhe një i paditur mund t’ia qëllojë ndonjëherë, por fakti se diçka e tillë mund të ndodh ndonjëherë, kurrsesi nuk përbën argument dhe as justifikim për të përmbysur hierarkinë nga kush dhe sesi duhet të merret dija dhe informacioni, përkundrazi. Përndryshe kaosi dhe kakofonia do jetë ‘dija’ apo më saktë injoranca që të do të përhapet mes njerëzve.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli
