2.7 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Ambicia: pesë mijë kilometra me biçikletë për dijen e thellë islame

Më të lexuarat

Rrugëtimi epik: i riu që udhëtoi katër muaj, nga Guinea në Egjipt, për në Al-Azhar

I riu Muhammed Shafii Bari nga Guinea udhëtoi 5000 kilometra me biçikletën e tij për të arritur në kryeqytetin egjiptian Kajro dhe për të realizuar ëndrrën e tij, për të studiuar në Universitetin prestigjioz Al-Azhar.

Më 17 maj, ky 25-vjeçar u largua nga vendlindja e tij Conakry për të studiuar në Al-Azhar, i cili është një nga institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze të arsimit të lartë në botë, njëherësh një ndër universitetet më të famshme të dijes së thellë islame.

Ai është i martuar dhe baba i një fëmije dhe dëshirën për të studiuar në Al-Azhar e ka marrë përmes ligjëratave frymëzuese të Shejh Muhammed Mutevelli es-Sharavi.

“Recitimi i Kur’anit nga Sheikh Sharavi, interpretimi i tij dhe thirrja e njerëzve në besim është diçka që më pëlqen ta ndjek. Prandaj vendosa të vij në Egjipt dhe të studioj”, tha Bari në një intervistë për gazetarin e AA-së.

Ai udhëtoi nëpër Guine, Burkina Faso, Togo, Benin, Niger dhe Çad gjatë udhëtimit sfidues me biçikletë.

“Kishte shumë vështirësi, flija në pyje dhe kodra, më së shumti kisha frikë se mos më vidhnin biçikletën dhe për këtë arsye nuk ndahesha prej saj as kur flija, haja një ose dy herë në ditë dhe ishte e vështirë të gjeja ujë për t’u larë”, tha Bari.

Ndërsa “pedalonte” nëpër Togo, Bari u ndalua nga forcat e sigurisë atje dhe u mor në pyetje për qëllimet dhe arsyen e udhëtimit.

“Më bënë shumë pyetje. Unë iu përgjigja secilës, por nuk arrita t’i bind. Më liruan vetëm pas nëntë ditësh paraburgim dhe më pas u transferova në Benin”, tha i riu nga Guinea.

Përmes Beninit, ai nuk kishte probleme të tilla, por e kishte të vështirë të gjente ushqim, ndaj ushqehej kryesisht me frutat që gjente në pyll.

Bari mbërriti në Çad nga Guinea në pothuajse dy muaj me me dy rrotëshin e tij dhe iu desh të ndryshonte rrugën për shkak të konfliktit midis ushtrisë dhe rebelëve në Sudan.

“Kam planifikuar të qëndroj në Çad për dy javë dhe të vazhdoj udhëtimin tim. Nuk kisha frikë nga konflikti në Sudan sepse erdha nga Guinea në Çad pa asgjë. Mendova, Allahu më ndihmoi për në Çad, dhe Ai do më ndihmojë të shkojë gjithashtu në Egjipt”, tha Bari.

Megjithatë, gazetari që takoi në Çad nuk e lejoi të shkonte në Sudan me biçikletë, por e ndihmoi të gjente një donator që i bleu një biletë avioni për një fluturim nga Çadi në Egjipt.

Edhe pse në Guine la gruan dhe vajzën, Bari është i lumtur që pas katër muajsh mbërriti në Kajro dhe ia plotësoi dëshirën.

“Kam mbërritur në Egjipt shëndoshë e mirë. Mblodha dokumentacionin e nevojshëm dhe u regjistrova në Al-Azhar. Më pranuan. Erdha me biçikletë, por nëse nuk do ta kisha, do të kisha ardhur në këmbë”, tha Bari. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit