Mbështetja e Emirateve për forcat sudaneze, pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike dhe ekonomike
Shtetet nuk janë organizata bamirëse ato veprojnë sipas interesave të tyre. Kështu nis analiza që shpjegon motivet pas ndërhyrjeve dhe aleancave rajonale të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Sipas saj, çdo ndihmë apo partneritet politik buron nga tri shtylla kryesore: siguria, ndikimi politik dhe interesi ekonomik.
Nga Hormuzi në Detin e Kuq: strategjia e zgjerimit detar
Pasi ka siguruar prani të fortë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, Emiratet kanë zhvendosur fokusin e tyre strategjik drejt Detit të Kuq, një korridor që lidh Evropën, Azinë dhe Afrikën.
Kontrolli mbi portet dhe kalimet detare të këtij rajoni i jep Emirateve një avantazh të madh në tregtinë ndërkombëtare, duke forcuar ndikimin e tyre në rrugët globale të furnizimit me energji dhe mallra.
Pikat kyçe nën ndikimin e Emirateve
• Jemen: Përmes pjesëmarrjes në koalicionin arab kundër Houthi-ve, Emiratet arritën të kontrollojnë portin e Adenit dhe të sigurojnë ndikim në portin Al-Mokha, të menaxhuar nga forcat e Tariq Saleh. Ato gjithashtu kanë ndërtuar një bazë ushtarake në ishullin Mayun, në zemër të Ngushticës Bab el-Mandeb.
• Somalia dhe Somaliland: Emiratet nënshkruan marrëveshje me autoritetet e Somalilandit rajon i pa njohur ndërkombëtarisht duke marrë kontrollin e portit të Berberës, tashmë qendër logjistike. Ato gjithashtu krijuan bazë ushtarake në Bosaso (Puntland), pas refuzimit të qeverisë qendrore somaleze për t’u dhënë një pozicion të tillë.
• Xhibuti dhe Eritrea: Tentativat për të siguruar kontroll në portet xhibutiane u refuzuan, ndërsa përdorimi i portit Assab në Eritre u ndërpre për shkak të tensioneve me Asmarën.
• Egjipt: Emiratet operuan portin Ain Sokhna dhe tentuan të zgjerojnë praninë në portin e Aleksandrisë, por qeveria egjiptiane nuk pranoi kërkesat për kontrata afatgjata.
Sudani: porta e re drejt Afrikës dhe pasuritë në rrezik
Në Sudan, Emiratet nënshkruan një marrëveshje 6 miliardë dollarëshe me autoritetet e përkohshme për zhvillimin e portit Abu Amama, si pjesë e planit për të siguruar prani në të gjitha portet strategjike të Detit të Kuq.
Por marrëveshja u anulua së fundmi nga qeveria sudaneze, e cila akuzoi Emiratet për përfshirje në konfliktin mes ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.
Përveç rëndësisë strategjike, Sudani ka rezerva ari të vlerësuara në 35 miliardë dollarë dhe tokë bujqësore shumë pjellore. Në rajonet ku po zhvillohen luftimet, si Kordofani i Veriut dhe Darfuri Perëndimor, ndodhen rreth 1.5 milion tonë urani, me vlerë të përafërt 280 miliardë dollarë.
Përfundimi: më shumë se histori ari
Analistët theksojnë se çështja nuk lidhet vetëm me arin apo burimet natyrore të Sudanit, por është pjesë e një strategjie të gjerë gjeopolitike të Emirateve për të kontrolluar rrugët ujore, portet dhe nyjet tregtare që përcaktojnë rrjedhën e ekonomisë botërore.
/Dr. Mehmet Canbekli/
