7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Allahu i do të mirën robit të Tij besimtar edhe kur e sprovon me fatkeqësi

Më të lexuarat

Ebu Hurejra ka thënë: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Atij personi që Allahu i do të mirën, e sprovon me  fatkeqësi”.[1]

Shpjegimi i hadithit:
Durimi është kurora e muslimanit, ndërsa kërkimi i shpërblimit është arma e besimit, nëpërmjet të cilës ai përballon me sukses fatkeqësitë e jetës. E gjithë çështja e besimtarit, i cili i bën ballë sprovave të ndryshme të jetës është e mirë, sepse ai e di mjaft mirë burimin e sprovës dhe atë ç’ka është caktuar për të. Nëse i vjen një e mirë, falenderon dhe nëse e godet ndonjë e keqe, bën durim.
Në këtë hadith vërejmë, se Profeti (a.s) e konsideron fatkeqësinë si hyrje në mejdanin e veprave të mira. E mira në këtë hadith nuk nënkupton përfitimet materiale të kësaj bote, por Vullnetin e Allahut ndaj robit të Tij durimtar. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju me siguri do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve”.[2]
Kur Allahu i do të mirën një personi, e sprovon atë me fatkeqësi. Kur personi në fjalë bën durim ndaj kësaj fatkeqësie, atëherë i fshihen mëkatet. Fshirja e mëkateve nënkupton, se ky person është në një mirësi të madhe. Duke medituar në kohëzgjatjen e fatkeqësisë, mund të themi se: fatkeqësitë që i bien njeriut, largohen me kalimin e kohës. Pra sa më shumë ditë të kalojnë, aq më shumë lehtësohet dhimbja e fatkeqësisë. Ndërsa përsa i përket ndëshkimit në botën tjetër, ai është i përhershëm. Nëse Allahu ia fal robit të Tij mëkatet nëpërmjet fatkeqësive që i kanë rënë, atëherë kjo padyshim është një mirësi për të.
Që ky hadith të kuptohet drejt, duhet të bëjmë një sqarim mëse të nevojshëm. Dijetari i shquar Muhamed ibën Uthejmin thotë: “Nëse njeriu nuk bën durim, mund t’i bien shumë fatkeqësi, por në to nuk ka mirësi dhe Allahu nuk ia do të mirën. Shumë fatkeqësi bien edhe ndaj jobesimtarëve, por ata nuk durojnë ndaj tyre dhe vazhdojnë kështu, derisa ju vjen vdekja dhe vdesin jobesimtarë., nuk ka asnjë dyshim, se Allahu nuk do të mirën për të tillë njerëz”.[3]

Mësimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Sprova
2 – Lajmi i mirë

1 – Sprova:
Nëse Allahu i Lartësuar e sprovon robin e Tij me fatkeqësi dhe sprova nga më të ndryshmet, kjo është një shenjë e mirë, që tregon se Allahu i do të mirën dhe është i kënaqur me të. Fatkeqësia, sado që të zgjasë, një ditë ajo do të largohet dhe vendin e saj e ka zënë një mirësi tepër e madhe. Kështu njeriu pas shkujdesjes që e kishte kapluar, kthehet tek Allahu. Ai përgjërohet me lutje tek dyert e mëshirës së Allahut, që janë gjithmonë të hapura. Prandaj sprova konsiderohet e mirë, megjithëse askush nuk e dëshiron. Thënia e Allahut të Lartësuar: “Ndoshta ju e urreni një gjë dhe ajo është e mirë për ju. E ndoshta ju e dëshironi një gjë, mirëpo ajo është e keqe për ju. Allahu e di dhe ju nuk e dini.”[4] është ilaçi dhe kura më e mirë për këtë që po flasim.
Sprova konsiderohet pastrim dhe mëshirë për besimtarin. Këtë fakt e dëshmon edhe ky hadith. Imam Ibën Haxheri, duke komentuar këtë hadith, thotë: “Allahu e sprovon atë me fatkeqësi, që ta shpërblejë”.[5] Po ashtu janë transmetuar edhe hadithe të tjera, që e dëshmojnë një gjë të tillë. Prej këtyre haditheve mund të përmendim: “Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cënim apo trishtim, madje qoftë edhe në gjemb që e sëmbon, me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkatet.”[6] “Çështja e besimtarit është e habitshme dhe, në fakt e gjithë çështja e tij është mirësi. Kjo nuk i ndodh askujt tjetër përveç besimtarit. Nëse i vjen një e mirë, ai falenderon dhe kjo është mirë për të e nëse e godet ndonjë e keqe (fatkeqësi), ai duron dhe kjo është mirë për të”.[7]

2 – Lajmi i mirë:
Lajmin e mirë në këtë hadith na e përcjell vetë Profeti (a.s), duke na treguar se Allahu e shpërblen robin e Tij, kur i bie fatkeqësi. Në fakt, shpërblimi hyjnor vjen si rezultat i durimit, nënshtrimit dhe bindjes ndaj Allahut, sepse në këtë rast njeriu është më i qetë dhe më i sigurt. Modeli dhe shembulli më i mirë për ne është Profeti (a.s), i cili gjithmonë i përgëzonte shokët e tij me shpërblimin e madh të Allahut të Lartësuar. Kur Profeti (a.s) dërgoi Ebu Musën (r.a) dhe Muadhin (r.a) në Jemen, i porositi me fjalët: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni.”[8] Njëherë Profeti (a.s) iu drejtua shokëve të tij me këto fjalë: “Ai i cili shpenzon dy dinarë në rrugë të Allahut, do të thirret nga dyert e Xhenetit: O Robi i Allahut! Kjo është një gjë e mirë. Ai i cili falet, do të thirret nga dera e Namazit. Ai i cili është luftëtar, do të thirret nga dera e Luftës. Ai i cili agjëron, do të thirret nga dera e Rejanit. E ai i cili jep sadeka, do të thirret nga dera e Sadekasë”. Ebu Bekri tha: O i Dërguari i Allahut! Për babanë dhe nënën time, nuk ka ndonjë të keqe për atë, i cili thirret nga këto dyer për shkak të cilësisë së mirë që posedon, po a do të ketë ndonjë person, që do të thirret nga të gjitha këto dyer?” “Po – tha i Dërguari i Allahut dhe Unë shpresoj që ti të jesh prej tyre”.[9]
Prandaj, çdo thirrësi në rrugë të Allahut i del për detyrë, që të marrë për shembull të Dërguarin e Allahut, duke i përgëzuar njerëzit me shpërblimin e madh të Allahut për robërit e Tij besimtarë. Dhënia e lajmeve të mira dhe përgëzimi i njerëzve e bën më të pranueshme thirrjen e tyre, depërton më lehtësisht në zemrat e tyre dhe pse jo ata synojnë të fitojnë kënaqësinë e Allahut, duke bërë vepra të mira.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:
1 – Muslimani do të sprovohet me fatkeqësi.
2 – Sprova është një shenjë e dashurisë së Allahut për robin e Tij, nëpërmjet të cilës Allahu e ngre atë në gradë të lartë dhe ia shlyen mëkatet.
3 – Kur besimtarit musliman i bie ndonjë fatkeqësi, ai shpërblehet nëse bën durim dhe nëse është i kënaqur me caktimin e Allahut të Lartësuar.

Epilog:
Omer ibën El Hatabi (r.a) ka thënë: “Jetesa më e mirë është kur njeriu bën durim”.
Imam Aliu ka thënë: “Durimi për besimin është si koka për trupin”.
El Muhasebi ka thënë: “Argument i durimit është, që ti të mos i ankohesh akujt për asgjë për të gjitha fatkeqësitë që të bien”.
Hasani ka thënë: “Betohem në Allahun, ose do të bëni durim, ose përndryshe do të shkatërroheni.”[10]

[1] Transmeton imam Buhariu, nr: 5645.[3] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Muhamed ibën Uthejminit, fq: 1/245.[5] Marrë nga libri “Fet’hul Bari” i imam Ibën Haxher el Askalanit, fq: 10/113.[6] Transmeton imam Buhariu, nr: 5642. Ky tekst është i transmetuar prej tij. Transmeton imam Muslimi, nr: 2573[7] Transmeton imam Muslimi.[8] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 3038 dhe imam Muslimi, nr: 1733.[9] Transmetojnë imam Buhariu, nr: 1897 dhe imam Muslimi, nr: 1027.[10] Marrë nga artikulli “Edhe në qoftë se lëndohet me gjemb” i Sa’d ibën Abdullah Sebrit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit