9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Aljazeera demaskon qeverinë për grabitjen e pronave në bregdet

Më të lexuarat

Për llogari të ngritjes së hoteleve me 5 yje, qeveria vijon të dëbojë pronarët në bregdet. Televizioni Aljazeera raporton se legjitimitetin e vendimit që kërkon të nxisë turizmin duke shkelur të drejtën e pronës

Neritan Gjergo

Televizioni i madh Aljazeera ka trajtuar në një reportazh të ditës së djeshme çështjen e pronave në Himarë, që qeveria e Edi Ramës kërkon ti përvetësojë. Aljazeera shkruan se Qeveria shqiptare kërkon të nxisë turizmin duke shkelur të drejtën themelore, atë të pronës. Bëhet fjalë për jugun e vendit, Himarën, aty ku gazetari me origjinë greke John Psaropoulos ka intervistuar banorët etnikë grekë që ankohen për grabitjen e pronave. Qeveria shqiptare mori vendim në nëntor për të ndërtuar në bregdetin e jugut, por ky vendim nuk është ratifikuar nga Parlamenti dhe as nuk është nënshkruar nga Presidenti. Pronarët etnikë grekë thonë se shteti po u merr me forcë pronën e tyre dhe nuk kanë ku të ankohen (të bëjnë rekurs) pasi gjykatat në Shqipëri kanë pushuar së ekzistuari pas problemeve me korrupsionin’, raporton ‘Aljazeera’. Bëhet fjalë për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Po kështu Deutsche Bank ka vlerësuar pasurinë e tyre nga 800 milionë deri në 1 miliardë e gjysmë dollarë. Në reportazhin e ‘Aljazeera’ flet dhe kryedemokrati Luzim Basha, i cili thotë se qeveria shqiptare punon natë e ditë për të rrëmbyer tokat e qytetarëve të cilat më pas ua shpërndan oligarkëve. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i intervistuar nga gazetari thotë se qeveria shqiptare sigurohet që toka që i kalon investitorëve të fuqishëm të jetë në përputhje të plotë me ligjin. ‘Al Jazeera’ del në përfundimin se pronarët nuk kanë ku ta kërkojnë të drejtën e pronës për shkak se sistemi i drejtësisë ka rënë në kolaps, për pasojë po përfitojnë biznesmenët e lidhur me qeverinë.

Vendimi

Në fund të nëntorit 2018, qeveria ka miratuar një vendim përmes të cilit bëhet kalimi në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit të disa pronave të paluajtshme shtetërore që gjenden në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë. Në total është një sipërfaqe 1470 hektar, e shpërndarë nga Akërnia, Vlora, e vijon më tej në Dhërmi, Gjilek, Vuno, apo Ksamil. Vendimi ndalon ministrinë përfituese të ndryshojë destinacionin e përdorimit të tyre, të bëjë tjetërsimin e tyre apo t’i japë ato në përdorim të të tretëve, përveç projekteve të investimit në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit Po kështu vendimi kujdeset që të urdhërojë edhe regjistrimin e pasurive në fjalë duke sanksionuar një hollësi domethënëse: “Regjistrimi i pasurive të paluajtshme, sipas pikës 1 të këtij vendimi, bëhet në emër të Republikës së Shqipërisë, në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të bëjë regjistrimin dhe korrigjimet përkatëse në përshkrimin e veçantë të kartelave të pasurive të paluajtshme”. Vendimi duket se mbyll rrugët për përdorimin e këtyre pronave nga njësi të pushtetit vendor, ndërkohë që lejon përdorimin e tyre për investim në turizëm, ku qeveria Rama thotë se ka oferta nga kompani shumë të njohura. Nga ana tjetër, me këtë vendim qeveria heq mundësinë e kompensimit fizik apo të kthimit të pronës për ish-pronarët në një zonë ku ka shumë debate për ligjshmërinë e ndërhyrjeve që po bëhen prej vitesh.

Si u legjitimua vjedhja

Vendimi i radhës nuk është befasues, pasi jo më larg se vitin e kaluar, përmes një ligji të posaçëm, qeveria anuloi Aktet e Marrjes në Përdorim të Tokës Bujqësore në zonat bregdetare duke refuzuar regjistrimin e pronësisë së tyre në të gjitha rastet kur parcelat e tokave “janë zënë nga ndërtimet pa leje” ose janë zënë nga të ashtuquajturit “investitorë strategjikë”. Duke kopsitur aktet ligjore, për interesa të ngushta, për të përjashtuar pronarët, qeveria ka miratuar një masterplan për zonën e jugut të Shqipërisë si dhe ka në proces miratimin e masterplaneve për zona të tjera bregdetare ku parcela të mëdha toke janë ndarë më vete të shënjuara si “investime strategjike”. Dhe,disa prej investimeve, edhe pse në parcela të kontestuara, kanë nisur të zbatohen. Lista e kompanive që kanë përfituar statusin e investitorëve strategjikë përfshin aktualisht tetë kompani. Statusi jepet nga një institucion i quajtur Komiteti i Investimeve Strategjike. Në listën e tokave të dhëna me këtë ligj janë parcela në Gjirin e Lalzit si dhe në Dhërmi e në Sarandë. Harta e parë shoqëruese e vendimit të qeverisë “për pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike”, u miratua më 14 mars të këtij viti. Ajo përfshin të gjithë vijën bregdetare të vendit me distancë deri disa kilometra nga bregu i detit, ku sipas qeverisë, të gjitha aktet e pronësisë që u janë dhënë fshatarëve, por që për arsye të ndryshme nuk janë regjistruar ende në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duhet të bllokohen për shkak se qeveria thotë se dëshiron të krijojë “një fond për mbështetjen e investimeve strategjike”, në bazë të një ligji kontrovers që i jep të drejtë qeverisë të dhunojë pronën private për llogari të të ashtuquajturve “investitorë strategjikë”.

Legalizim për zaptuesit

Në një kapitull tjetër të ligjit hapet rruga për një valë të re legalizimi të ndërtimeve pa leje, por edhe këtu, “investimet strategjike” rezultojnë shqetësimi kryesor i qeverisë. Sipas projektligjit, të gjitha ndërtimet pa leje që gjenden në “territore të destinuara për investime strategjike” nuk legalizohen. Po i njëjti kapitull mundëson legalizimin e ndërtesave që janë bërë në tokë të zaptuar për të cilat ndërtuesi nuk ka titull pronësie. Të tilla trajtohen si ndërtesat “për qëllim banimi”, ashtu edhe ndërtesat të cilave qeveria u referohet si objekte me “funksion social-ekonomik”. Edhe në këtë rast, çmimi i blerjes së tokës nga ndërtuesi zaptues bazohet në vlerën referencë të hartës së tokës, çmime të miratuara nga qeveria “Rama” dhe që janë disa dhjetëra herë më të ulëta se sa çmimet e tregut. “Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje, me funksion banimi dhe të përzier (social-ekonomik dhe banimi) është çmim favorizues, ndërsa, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, është ai i përcaktuar në hartën e vlerës së pronës për llojin e pasurisë “truall”, shkruhet në ligj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit