22.5 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Akademiku amerikan: Si ka ndikur lufta e Izraelit në Gaza në islamofobi

Më të lexuarat

Intervista me John L Espositon mbi të menduarit së prapthi kundër muslimanëve nga një konflikt

John L Esposito, autor i më shumë se 50 librave – përfshirë librin “Islamofobia: Sfida e Pluralizmit në shekullin e 21-të” (2011) – shpjegon në një bisedë me Al Jazeera-n, se çfarë është Islamofobia dhe se si ka çuar lufta e Izraelit në Gaza në një shpërthim të incidenteve islamofobe nëpër botë. 

Intervistoi Indlieb Farazi Saber

Al Jazeera: Në literaturë kemi përkufizime të ndryshme se çfarë është Islamofobia, por si duket ajo në jetën e përditshme?

John Esposito: Sulmet islamofobe mund të përfshijnë çdo gjë, që nga gjuha fyese kundër dikujt, i cili në dukje ngjan si musliman – si për shembull ndaj një gruaje me hixhab; ose mund të jetë më e fshehtë, si mospunësimi i një profesionisti plotësisht të kualifikuar bazuar në muslimanizmin e perceptuar të tij. Në klimën aktuale, që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor, ka pasur incidente në rritje ku njerëzve u është ndërprerë kontrata e punës për shkak se kanë shfaqur mbështetje për një Palestinë të lirë.

Islamofobia sigurisht që mund të përshkallëzohet, deri në vrasjen e individëve si rasti i djalit të ri në Illinois. E siç e kemi parë, ajo mund të shfaqet dhunshëm në sulmet ndaj komuniteteve dhe xhamive, si sulmi në dy xhamitë në Christchurch [2019] në Zelandën e Re. Këto janë vetëm disa shembuj; por ka shumë të tjerë.

Al Jazeera: Cilat janë rrënjët e Islamofobisë, sipas mendimit tuaj?

John Esposito: Fillesat e kësaj narrative shkojnë prapa në kohë deri te Revolucioni Iranian [1979]. Mos harroni se ishte koha kur shumë njerëz arritën më në fund të kishin TV [lajme] të drejtpërdrejta dhe e ndiznin televizorin çdo ditë. Ata shihnin njerëz në Iran që bërtisnin: “Vdekje Amerikës!” Kjo i shtynte shikuesit të mendonin se të gjithë iranianët, e për rrjedhojë edhe bota më e gjerë muslimane, duhet të kishin të njejtën bindje.

Por në fakt ishte 11 Shtatori ai që u bë një katalizator i madh që Islami dhe muslimanët të shiheshin si kërcënim global. E kemi parë se si “Lufta globale kundër terrorizmit”, [Osama] bin Ladenit dhe al-Kaedës, kanë luajtuar një rol të madh në rritjen e Islamofobisë. Muslimanët dhe Islami nisën të shiheshin si të dhunshëm e të rrezikshëm. Sigurisht, më pas doli Shteti Islamik [ISIL, ose ISIS], i cili pati një mbulim të madh mediatik, shumë më tepër se sa do të duhej të kishte, duke lejuar në thelb që një pakicë të portretizonte në mënyrë të rreme imazhin e të gjithë muslimanëve.

E tani në luftën e fundit në Gaza, kemi parë se si Hamasi barazohet me ISIS-in, çka në një farë mënyre ndihmon në nxitjen e sulmeve kundër palestinezëve, pasi ata po pikturohen me të njëjtën furçë duke u paraqitur si grup ekstremist.

Rezultati ka qenë lufta dhe gjenocidi krejtësisht disproporcional i Izraelit.

Al Jazeera: Ju keni përmendur mediat. Çfarë roli luajnë ato? 

John Esposito: Mendoj se mediat mbajnë përgjegësi të madhe për rritjen e Islamofobisë.

Mediat gjithmonë i kanë kushtuar kujdes të veçantë kryetitujve. Është një thënie e njohur të cilën unë e citoj shpesh, “Lajmi i keq përbën lajm”. Raportimi i organizatave të lajmeve i fokusuar te sulmet “terroriste” është shfrytëzuar nga liderët politikë dhe fetarë të ekstremit të djathtë si dhe nga analistët e medias, të cilët flasin lehtë mbi Islamin dhe muslimanët, pa kontrolle dhe balanca.

Një shembull mjaft të mirë të kësaj e shohim në luftën aktuale. Raportimet fillestare që vinin nga Izraeli flisnin për prerje kokash të foshnjeve. Presidenti [i SHBA-ve] [Joe] Biden e tërhoqi deklaratën e tij duke konfirmuar falsitetin e saj një ditë më pas, por deri në ato momente, historia ishte përsëritur tashmë shumë herë në mediat kryesore dhe mediat sociale.

Al Jazeera: Ju keni thënë gjithashtu se nuk janë më vetëm mediat kryesore përgjegjëse.

John Esposito: Po, absolutisht. Ka edhe fushata anti-muslimane të mirëfinancuara në mediat sociale.

Është bërë një studim nga Qendra Amerikane për Progres, i titulluar Fear, Inc. [Gusht 2011], që ka dokumentuar 42.6 milionë dollarë të financuara nga shtatë fondacione gjatë 10 viteve (dekada e parë e shekullit) për të mbështetur autorët dhe faqet islamofobe në internet. Pastaj ka një tjetër studim nga CAIR dhe Qendra për Racë dhe Gjini në UC Berkeley. Raporti titullohet “Përballja me frikën” [2016]. Studimi ka arritur në përfundimin se midis vitit 2008 dhe 2013, 33 grupe islamofobe kanë pasur akses në 205 milion e 838 mijë e 77 dollarë për të përforcuar përhapjen e keqinformimit nga ana e tyre.

Al Jazeera: A po e bëjnë më të lehtë mediat sociale të qenit islamofob?

John Esposito: Mediat sociale kanë një ndikim të madh. Ato mund të krijojnë një realitet ku çdo pretendim mund të paraqitet si fakt. Unë sigurisht e shoh këtë tani me luftën në Gaza dhe shembullin që dhashë për rastin e pretendimit për prerjen e kokës së foshnjeve.

Al Jazeera: Si e ka ndihmuar retoriken islamofobe lufta aktuale midis Izraelit dhe Hamasit?

John Esposito: Politika izraelite e ka shfrytëzuar retorikën islamofobe për të krijuar një ndikim rrënues duke portretuar muslimanët dhe arabët si armiq, e duke mohuar njëkohësisht të drejtat e tyre themelore, e duke justifikuar kështu një luftë pa dallim, viktimat e së cilës shihen si më pak të vlefshme se qeniet e tjera njerëzore.

Ne e dimë se sulmet e 7 tetorit u kryen nga anëtarë të Hamasit, por [Kryeministri izraelit Benjamin] Netanyahu pretendon se këto sulme përfaqësojnë gjithçka që Hamasi është. Në fakt, Hamasi ka qenë gjithashtu një lëvizje e madhe politike që ka qeverisur Gazan për shumë vite dhe vazhdon të jetë një lëvizje politike.

Netanyahu dhe zyrtarët e tij fondamentalistë hebrenj në qeveri – si dhe disa qeveri evropiane dhe perëndimore, aleatë me Izraelin – madje i kanë konsideruar të gjitha demonstratat palestineze dhe opozitën e organizuar si mbështetje [e grupeve të armatosura].

Fatkeqësisht, mbështetja e palëkundur fillestare e politikave izraelite  nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, si dhe vende të tjera, e ka ushqyer narrativen izraelite se të gjithë muslimanët dhe arabët janë “armiku”.

Në fillim të luftës, anëtarët e qeverisë izraelite iu referuan palestinezëve si “kafshë njerëzore“. Madje, Netanyahu citoi Dhiatën e Vjetër, duke i përshkruar palestinezët si “Amalek”, armiku arketip i hebrenjve. (Amalekët mund të transformoheshin në kafshë për të shmangur kapjen). Ai e thotë këtë për të justifikuar politikën e tij që gjithnjë e më tepër ka filluar të etiketohet nga shumë në komunitetin ndërkombëtar si gjenocid dhe krime lufte.

Të gjitha këto akuza denigruese reflektojnë dhe ushqejnë rritjen e rrezikshme të Islamofobisë në shumë pjesë të botës.

Al Jazeera: A ka ndonjë arsye tjetër që mund të ketë çuar në rritjen e Islamofobisë?

John Esposito: Po. Qeveria e Netanyahut e legjitimon luftën totale në Gaza thjesht duke e krahasuar Hamasin me ISIL-in [ISIS], gjë që [Hamasi] nuk është. Në këtë mënyrë, Izraeli ushqen Islamofobinë duke nxitur idenë se kjo është një luftë kundër një organizate “terroriste” muslimane, e jo kundër popullit palestinez.

ISIS-i ishte një lëvizje transnacionale, vizioni dhe misioni i së cilës ishte krijimi i një kalifati në Lindjen e Mesme. Kurse rrënjët dhe kauza e Hamasit kane qenë pjesë integrale e historisë së palestinezëve.

Ajo shkon prapa në kohën e zhvendosje së dhunshme të 750,000 palestinezëve dhe shkatërrimin e 500 fshatrave palestinezë, të shoqërisë, kulturës dhe të drejtave të tyre politike. Rezultati ishte ‘Nakba’, katastrofa. Si mund ta kuptojnë njerëzit nëpër botë atë të cilës sot shumë palestinezë i referohen si Nakba e Dytë nëse nuk kanë njohuri mbi të (Nakbën e Parë)?

Al Jazeera: A ka mënyra për ta penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të Islamofobisë?

John Esposito: Është i nevojshëm një arsimim i mirë. Jo vetëm në shkolla, universitete dhe seminare, por edhe duke edukuar liderët tanë politikë dhe politikëbërësit.

Është e rëndësishme të jesh i mirë arsimuar që të jesh në gjendje të dallosh mes mësimeve të Islamit e muslimanëve të zakonshëm nga njëra anë dhe veprimeve të pakicës militante fundamentaliste, si Al-Kaeda dhe ISIS-i [ISIL] nga ana tjetër.

Ka njerëz të cilët janë shumë të arsimuar – po flas për profesionistë mjekë, dentistë, avokatë, etj – por kuptimi i tyre për Islamin është i kufizuar në atë që kanë parë në TV.

Por ka biseda dhe mirëkuptimi po ndryshon. Njerëzit tani po i kushtojnë vëmendje.

Për më tepër, programet dhe dialogu ndërfetar sot po nxisin një perspektivë dhe mirëkuptim shumëfetar dhe kjo mund të çojë në reduktimin e dhunës, armiqësisë dhe krimeve antifetare. Megjithëse interneti ka qenë një burim i rëndësishëm i Islamofobisë, ai gjithashtu ka qenë dhe mund të jetë një burim për të kuptuar, gjurmuar dhe luftuar Islamofobinë. Kjo është arsyeja pse qendra jonë në Georgetown krijoi Iniciativën e Urës: për Mbrojtjen e Pluralizmit dhe Luftimin e Islamofobisë. Ne gjurmojmë dhe ofrojmë çdo ditë informacion mbi globalizimin e Islamofobisë.

Al Jazeera: A mjafton arsimimi?

John Esposito: Është një fillim, por ndryshimet e tjera duhet të përfshijnë atë që thonë udhëheqësit dhe mënyrën si e thonë. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Qeveritë dhe liderët politikë janë në një pozicion mirëbesimi. E nëse ata bëjnë deklarata anti-muslimane, siç e kemi parë në gjuhën e përdorur gjatë kësaj lufte nga Netanyahu dhe aleatët e tij – apo nëse krijojnë politika të brendshme dhe të jashtme që nënkuptojnë se muslimanët janë armiku, siç e kemi parë në të gjithë Evropën në Francë, Austri, Gjermani dhe SHBA – atëherë kjo vetëm se do të vazhdojë të ndezë flakët e Islamofobisë.

Në rastin e luftës aktuale në Gaza, është e rëndësishme të kujtojmë se “ata që nuk e mbajnë mend historinë janë të dënuar ta përsërisin atë”. Kjo është ajo që po ndodh aktualisht. /Tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit