Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti deri më tani nuk e ka komentuar peticionin nga qytetarët e Prishtinës, që Xhamia në lagjen Dardania të mos ndërtohet për shkak të planit urbanistik.
Ai këtë nuk e ka bërë as në postimin e fundit në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ku është marrë për thirrjen e seancës së Kuvendit, dhe numrat për formimin e Qeverisë.
“Kaloi një javë nga certifikimi i zgjedhjeve dhe ende nuk ka thirrje për seancë”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.
Sipas tij, të gjithë emrat që po përfolen se do ta votojnë kandidatin e PAN-it për kryeministër, i kanë demantuar.
“A çdo orë na përkujtojnë që i kanë numrat. Deri më tani çdo deputet e kanë përfol e secili e ka demantu”, ka thënë kryetari i Prishtinës.
Në kohën kur tema e ndërtimit të xhamisë po komentohet çdo ditë e më shumë, njeriu i dytë më i votuar në Vetëvendosje deri më tani ka zgjedhur të heshtë.
Pikërisht, peticioni i iniciuar nga disa qytetarë, është nënshkruar edhe nga zyrtarë dhe asambleistë të Vetëvendosjes.
Kurse, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka deklaruar se Xhaminë do të mund ta ndërtojnë edhe pa leje.
