Paralajmërimi nga Katari: Drejt një përgjigjeje ndaj Izraelit!
Kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani tha të mërkurën se po përgatitet një përgjigje kolektive rajonale për t’iu kundërvënë sulmit të Izraelit në Doha, duke theksuar se janë duke u zhvilluar konsultime me partnerë arabë dhe islamë.
“Ka një përgjigje nga rajoni. Kjo përgjigje është aktualisht në fazën e konsultimit dhe diskutimit me partnerë të tjerë në rajon,” tha Al Thani për CNN.
Ai konfirmoi se Doha do të presë një samit arabo-islam në ditët në vijim për të vendosur mbi masat kundër sulmit izraelit.
Kryeministri shprehu gjithashtu zemërimin e tij për sulmin.
“Nuk kam fjalë për të shprehur sa të zemëruar jemi për një akt të tillë, ky është terror shtetëror. Na kanë tradhtuar”, tha ai.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për shkatërrimin e shpresave të pengjeve në Rripin e Gazës të mbajtura nga Hamasi dhe për pengimin e përpjekjeve për një armëpushim.
“Netanyahu sapo ka vrarë çdo shpresë për këta pengje… Ai duhet të nxirret para drejtësisë… Ai po shkel çdo ligj, ai ka shkelur çdo ligj ndërkombëtar“, tha Al Thani.
Kryeministri i Katarit shtoi se vendi i tij po rivlerëson rolin e tij në çdo bisedime të ardhshme për armëpushim në Gaza në dritën e sulmit ndaj kryeqytetit të tij. /tesheshi.com/
