💎💎💎
✍ Shejkhul Islam Muhamed bin Abdul Vehabi – (Allahu e mëshiroftë) – në “Librin e Teuhidit”, te çështjet e kapitullit të parë që ndërlidhen me sinqeritetin (ikhlasin) ka thënë:
“Shumë njerëz duket sikur ftojnë tek Allahu i Madhëruar, por në realitet ata ftojnë drejt vetvetes; nuk ftojnë drejt Allahut të Madhëruar.”
Sinqeriteti është tepër i rrallë, ndërsa ndjekja e epshit (tekave) është e përhapur në masë. Tekat dhe epshet nuk i vijnë njeriut në formën e diçkaje të dëmshme, por i vijnë në formën e adhurimit ndaj Allahut të Madhëruar dhe si iniciativë për të kryer vepra të mira.
Por, a do të thotë kjo që njeriu të qëndrojë duarkryq, të mos e adhurojë Allahun, të mos ftojë në rrugën e Tij dhe të mos bëjë vepra të mira? Jo! Ai duhet të punojë dhe të ftojë te Allahu, por duhet të jetë shumë i vëmendshëm me veten e tij, t’i hulumtojë tekat e saj dhe t’i frenojë ato me iman (besim), në mënyrë që qëllimi të jetë vetëm Allahu.
Transmetohet se njëri prej të parëve tanë të mirë (Selefët) mori vesh se një prej personaliteteve të larta kishte shishe me verë në një varkë në det. Ai shkoi për ta ndaluar këtë të keqe, hyri brenda dhe i gjeti vërtet ato shishe. I theu të gjitha, përveç njërës që e la pa thyer. Më pas u largua. Ata e kërkuan, e gjetën dhe e sollën përpara atij personi të pushtetshëm. Ai e pyeti: “Ne duam të dimë, pse e le vetëm njërën? Pse nuk i theve të gjitha?” Ai u përgjigj: “Unë u ngrita për hir të Allahut, por kur arrita te e fundit, ndjeva në veten time se ia dola ta poshtëroja njërin prej të mëdhenjve. Thyerja e kësaj të fundit do të ishte triumf për vetveten time dhe jo për Allahun e Madhëruar, prandaj e lashë.”
Pse veproi kështu? Sepse ai i njihte synimet e vetes, pasi e vëzhgonte atë vazhdimisht dhe e merrte në pyetje me imtësi.
Kur thua për dikë: “Ai nuk di asgjë në këtë dije”, a ke për qëllim këshillën për hir të Allahut, apo ke për qëllim epshin tënd dhe kënaqjen e vetes?
Shpeshherë ndodh që ky i dyti të jetë qëllimi. Nuk është e lehtë – përveç atij që Allahu e mbron – që qëllimi të jetë i pastër vetëm për Allahun e Madhëruar.
Për këtë arsye, shumë prej Selefëve, siç ishte Shu’beh bin El-Haxhaxhi – i cili njihej për rreptësinë e tij në shqyrtimin e transmetuesve dhe pyetjen që u bënte atyre duke u thënë: “A ke dëgjuar apo jo nga transmetuesi para teje?”, duke folur kështu për integritetin e burrave – u këshillua nga disa prej bashkëkohësve të tij të cilët kishin frikë për të. Ata e paralajmëruan: “Ki kujdes, sepse kemi frikë se mos në këtë veprim ka ndonjë pjesë të epshit të vetes.”
Por Shu’beh, të cilin e llogarisim se ka pasur për qëllim vetëm Allahun dhe mbrojtjen e Sunetit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), u përgjigjeh: “Unë këtë po e bëj vetëm për të mbrojtur Sunetin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).”
✍ Shejh Ibrahim el Ferraxh
