Skandali po sfidon qëndrueshmërinë e kurorës dhe autoritetin simbolik të Mbretit Charles III
Arrestimi i Andrew Mountbatten-Windsor, shënon një pikë kthese historike për monarkinë britanike, duke paraqitur një sfidë që nuk ishte parë që prej shekullit XVII-të. Ky zhvillim i paprecedentë në kohët moderne, nuk po teston vetëm integritetin e një individi, por vetë qëndrueshmërinë e institucionit mbretëror nën drejtimin e Charles III.
Historia dëshmon se sa herë që kurora është përballur me procese ligjore, pasojat kanë qenë drastike. Rasti më ekstrem mbetet ai i vitit 1649, kur Charles I u gjykua dhe u ekzekutua për tradhti, akt që çoi në shpalljen e Anglisë si republikë.
Ky precedent nënvizon rrezikun që bartin proceset penale, pasi ato thyejnë besimin se monarkia është një institucion “mbi ligjin”. Për shekuj me radhë, monarkia britanike ka mbijetuar përmes kultivimit të një imazhi të virtytit moral dhe distancës nga jeta e përditshme.
Por dekadat e fundit kanë shënuar një gërryerje të këtij “misteri” mbretëror. Përfshirja e Andrew në skandale tregtare dhe akuza për shitje aksesi, e kanë dëmtuar rëndë këtë mburojë mbrojtëse.
Në epokën e medias dixhitale, heshtja zyrtare nuk ofron më mbrojtje, duke e bërë institucionin të duket më i ekspozuar dhe më i brishtë se gjatë mbretërimit të Elizabeth II. Mbreti Charles III ndodhet tani përpara një krize të dyfishtë, kushtetuese dhe të imazhit.
Si monark kushtetues, ai nuk mund të ndërhyjë në hetimet e policisë apo vendimet e prokurorisë pa provokuar një krizë shtetërore. Megjithëse ai ka ndërmarrë hapa për të distancuar familjen nga vëllai i tij, duke i hequr titujt mbretërorë dhe privilegjet zyrtare, kritikët sugjerojnë se dëmi në besueshmërinë e kurorës është tashmë i konsiderueshëm.
Autoriteti i mbretit sot, mbështetet më pak në pushtetin ekzekutiv dhe më shumë në besueshmërinë morale në sytë e publikut. Në fund të fundit, fati i monarkisë britanike nuk do të vendoset vetëm në sallat e gjyqeve, por në “gjykatën” e opinionit publik. Nëse institucioni humbet dinjitetin dhe ndjenjën e stabilitetit që duhet të përfaqësojë, ai rrezikon të shihet si i panevojshëm për shoqërinë moderne britanike. /tesheshi.com/
