11.2 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

A lejohet martesa me ata që jemi të të njëjtit mbiemër apo fis?

Më të lexuarat

Pyetja:

A lejohet martesa me ata që jemi të të njëjtit fis, psh., martesa mes atyre që janë me mbiemër (fis) Krasniqi?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.

Martesa dhe divorci janë fusha të cilat bëjnë pjesë në legjislacionin hyjnor, gjegjësisht Allahu i lartësuar ka caktuar dispozita sheriatike në lidhje me to, për çka besimtari duhet që këto dy fusha me rëndësi t’i zhvillojë konform këtyre dispozitave. Edhe përkundër kësaj, Allahu i Lartësuar në rrafshin e sjelljeve dhe lidhjeve ndërmjet njerëzve, nuk ka ndërhyrë shumë me dispozita; madje Ai ka caktuar dispozita bazë dhe në vija të trasha, për t’ua lënë mundësinë njerëzve ta zhvillojnë jetën e tyre sipas mënyrës që iu duket më e mirë dhe më e përshtatshme, duke mos i tejkaluar këto dispozita. Gjendje e njëjtë eshtë edhe me martesën, ku Allahu i Lartësuar pa ndërhyrë shumë në mënyrën e rregullimit të saj, caktoi disa dispozita bazë dhe disa ndalesa, të cilat nuk duhet të shkilen e të tejkalohen, ndërsa brenda tyre njerëzit janë të lirë të zgjedhin format dhe mënyrat e kryerjes së martesës. Allahu caktoi që, një martesë për të qenë valide, duhet të plotësohen kushtet e martesës, që janë: Pëlqimi i djalit dhe vajzës, dy dëshmitarë dhe miratimi i kujdestarit të vajzës. Gjithashtu përmendi edhe personat me të cilët ndalohet martesa; qoftë për shkak të afërsisë, qoftë për shkak të miqësisë, apo për shkak të dallimeve në besim. Përderisa për shumë gjëra të tjera heshti, duke mos ndërhyrë në to, që njerëzit të bëjnë përzgjedhjen e formës me të cilën duan ta organizojnë martesën. Ndërsa kur jemi te martesa mbrenda fisit të njëjtë, kjo problematikë ka ekzistuar tek ne deri para disa kohe, mirëpo ka kohë që kjo çështje më nuk paraqet problem tek popullata. Kjo, për faktin se themelimi i fiseve filloi nga një familje, kështu që kaloi një kohë dhe fiset e konsideronin veten si një familje të vetme, dhe mbi këtë bazë e zhvillonin jetën, njëherit nuk i bënin martesat mbrenda fisit sepse konsideroheshin martesa mbrenda familjes. Ndërsa sot, me zbehjen e rolit të fiseve, madje edhe me tretjen e tij, si dhe me rritjen e madhe të fiseve, ajo problematikë që dikur ekzistonte, tanimë nuk ekziston dhe nuk paraqet problem martesa ndërmjet dy të rinjëve nga i njëjti fis. Aq më tepër kur bëhet fjalë për fise të mëdha sikurse që janë fiset: Krasniq, Gash, Berishë, e të ngjashëm, që secili prej tyre përbën një pjesë të madhe të popullit tonë. Si rrjedhojë, përderisa martesa brenda fisit të njëjtë nuk paraqet problem te populli, atëherë s’ka kurrëfarë problemi sheriatik – fetar të realizohet një martesë e tillë.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit