12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

A i ka humb shenjtëria xhamisë dhe predikuesve?

Më të lexuarat

Xhamia si institucion për faljen e namazit dhe kryerjen e lutjeve për besimtarët myslimanë ka kohë që ka ndryshuar trajektore.

Ajo nuk luan rolin dhe funksionin që realisht duhet të ketë.

Në vijim, do të prezantoj disa pika që mendoj që janë kritika, sigurisht dashamirëse dhe pres që institucionet përgjegjëse të reflektojnë, që të marrin masa konkrete, urgjente, duke dashur që edhe xhamisë edhe predikuesit t’iu kthehet funksioni realisht që i takon:

* Predikuesit sot flasin me një qasje jo adekuate fetare të problematikave që ka populli duke shpjeguar një moral abstrakt, gjersa populli ka nevojë urgjente për një qytetari dhe edukatë elementare. Predikuesit duhet të flasin për auditorin e tyre (xhematin) në terma më konkret dhe shumë të thjeshtë, duke filluar nga qytetaria dhe sjellja në komunikacion, pastërtia nëpër lagjet ku frekuentojnë, të kenë kulturën e respektit me komunitetet tjera, etj e jo t’i mbushin kokat e besimtarëve me transmetime të panevojshme duke i treguar detaje e detaje se nga vijnë referencat, që janë nivele akademikësh, e si pasojë e gjithë kësaj rezulton me hutimin e besimtarëve;

* Këshillet e xhamive nuk duhet kërkuar para nga njerëzit që vijnë për lutje, mirëpo të gjenden metoda tjera financuese e jo drejtpërdrejt të kërkohen të holla nga xhemati, sepse kjo zbeh figurën e predikuesit pse jo edhe të xhamisë;

* Predikimi dhe interpretimi duhet të jetë në frymën e një islami mesatar, tradicional që përkon me frymën tonë kombëtare, kulturore dhe sociale.

Shumë me të drejtë një hoxhë me një debat televiziv pati propozuar të themelohet një institut islam mbarë shqiptar dhe predikuesit që vijnë nga studimet që kanë kryer në vende të tjera, nga një komision special i dijetarëve, profesionistëve të fushave të ndryshme, me përvojë ndër shqiptarë të trajnohen se në çfarë qasje duhet ligjëruar dhe interpretuar islamin në trevat tona, pra që të mos e predikojmë kultura por fenë islame;

* Të pastrohen rrugët e hyrje-daljes nga varfanjakët e shtirur dhe ‘hallexhinjtë’. Të krijohet një ambient i qetë dhe relaksues, që të mos bezdisen besimtarët gjatë vajtje-ardhjes së tyre drejt atij vendi të shenjtë sepse me pamjet që shohim në hyrje të xhamive, sidomos të premteve, nuk e nderon dhe nuk i jep pasqyrë dhe imazh të mirë atij vendi të begatë;

* Kamerat e ‘sigurisë’ brenda objektit të xhamisë janë të panevojshme sepse thyejnë privatësinë, dinjitetin dhe devotshmërinë e adhuruesve të Zotit;

* Xhamia nuk duhet të keqpërdoret si psh. të mbahen aty mevlude, qelime, etj… (këto formate dhe tradita nuk përkojnë me islamin burimor) sepse realisht del nga koncepti që është ndërtuar;

* Sot predikuesi shihet si shpërlarës truri dhe jo rastësisht shihet si i tillë, pra s’ka dinjitetin që kishte dikur, sepse të shohësh se me çfarë tema merren predikuesit e sotëm, të mjafton t’i gjykosh të tillë;

* Funksioni i xhamisë, realisht duhet të ketë paqë dhe qetësi për besimtarin kur shkon të lutet, thjesht aty të gjen prehjen e vërtetë, përuljen dhe lidhjen reale me Zotin. Kjo duhet të jetë qëllimi fillestar dhe përfundimtar mbi të gjitha, gjë që nuk ndodh një gjë e tillë;

* Predikuesit duhet të flasin më shumë për tema si dashuria, respekti i ndërsjellë mes njerëzve pavarësisht dallimeve në mendime e bindje, të kërkojnë nga njerëzit që të jenë të dëgjueshëm dhe respektues karshi ligjeve të shtetit përkatës, të jenë të dobishëm dhe të stimulojnë që të jenë qytetarë aktiv për një shoqëri të shëndoshë;

* Kohët e fundit, vërejmë se predikimit fetar iu ka shtuar edhe predikimi apo ligjërimi politik dhe hoxha thërret besimtarët të luten për X politikan apo edhe të votohet Y politikan, gjë që është e papranueshme në çfarëdo rrethane që të ndodh;

* Sot, xhamia nuk të kujton Zotin, ka devijuar nga misioni i saj, pra i ka humb shenjtëria që duhet të ketë dhe kur besimtari sot hyn brenda saj menjëherë ‘mahnitet’ (kupto habitet, nuk e ka mendjen tek lutja) nga luksi dhe teprimet që i kanë bërë, zbukurime që janë të tepërta dhe që devijojnë mendjet e besimtarëve nga një luks bajat e pashije.

 

Shkruan Fitim Nuhiu

  • Artikulli përmban qëndrime personale të autorit dhe jo-domosdoshmërisht ato reflektojnë edhe qëndrimet e redaksisë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit