8.2 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

A e keni pyetur luftëtarin/en e lirisë?!

Më të lexuarat

Kosova si duket i ka harruar disa që e kanë bërë atë të duket Kosovë! Krenaria që e ndien secili banorë i këtij shteti për 7 vjetorin e shpalljes se pavarësisë është e madhe. Kushtimisht në këtë ditë secili përmend meritat e atyre që kontribuuan për shtetësinë e këtij vendi. Ndoshta kujtimi i asaj se ku ishim më parë dhe ku jemi tani, na bënë t’i harrojmë disa që me të vërtetë kanë kontribuar me gjithçka kishin për këtë vend, dhe e kalojmë këtë ditë në mënyrë normale! 

Situata në vendin tonë pas përfundimit të luftës ishte e atillë, që disa që ishin nga kontribuuesit e mëdhenj në luftën e fundit të vriten, e vrasjet e tyre ende të mos zbardhen edhe në këto ditë kur shteti ynë i mbushë 7 vite. Kur një gjë e tillë është bërë në liri dhe në kohë feste të pas çlirimit, sa mund të themi që edhe gjatë luftës mund të kishte vrasje të tilla?! Nëse do bëhej një hetim i disa rasteve, dhe të mos ndikohej gjyqësori nga politika, a mund të dilnin fakte të reja, që disa nga figurat kyçe në luftën e fundit të jenë ekzekutuar nga vetë dora e disa patriotëve të pas luftës?! Sa nga ata që llogariten të jenë të zhdukur, dhe ende nuk dihet asgjë për ta, mund të jenë lënë në kurth nga disa që sot kanë pozita të larta në institucionet e vendit dhe urojnë të tjerë për 7 vjetorin e pavarësisë?!

Nëse shteti është i qytetarëve, çfarë po bën për ta? Në çdo të dytën familje në Kosovë mund të gjesh persona që kanë rënë për këtë vend, ose janë të zhdukur, ose kanë marrë pjesë në ndonjë prej luftërave për çlirimin e Kosovës. Në shumicë, secili qytetar i këtij vendi ka dhënë kontribut për çdo pëllëmbë toke. Simbolikisht, po të pyetet secila nga to, do thonë që janë të kënaqur me shtetin e tyre. Jo nga ajo që është bërë deri më tani, por nga krahasimi me gjendjen e mëparshme. Në përgjithësi, me 17 shkurt të gjithë do ndihen të gëzuar dhe të kënaqur. Në këtë ditë do ndihen tonet nacionaliste dhe nderimi i dëshmorëve të rënë nga secili udhëheqës shtetëror dhe partiak. Ndoshta disa do i marrin të gjitha meritat për këtë ditë shkaku i pozitës që kanë. Jo pse atë pozitë e kanë merituar, por pse dinin t’i përdornin të tjerët për arritjen e qëllimeve të tyre.

 Në përgjithësi, edhe zemra e nënës së thyer për humbjen e djalit, zemra e gruas për humbjen e burrit, zemra e fëmijës jetim, do ndiejë një pikë gëzimi për këtë ditë. 

Por si ndihen këto familje jashtë kësaj dite? Ose më mirë të themi “Si ndihet luftëtari/ja e lirisë?” Ata që sot janë gjallë dhe e presin këtë ditë, por kanë përjetuar shumicën e betejave të luftës së fundit, dhe sot janë lënë anash nga vetë shteti i tyre! 

“Një herë, në një kohë, në një vend, kam përjetuar shumë, dhe kam dhënë gjithçka për vendin tim!”

Kujt nga ju këtë ditë do i shkojë mendja për disa që sot enden rrugëve për të siguruar një kafshatë goje për fëmijët e tyre! Ndoshta do thoni të tillë ka shumë, dhe ajo çka i është caktuar nga Allahu i Madhërishëm secilit nga ne, duhet të pajtohemi, edhe nëse jemi në rrugë. Mund të takosh një të tillë në rrugë me një kamionetë, ose mjetë më të rëndë transporti, që gjatë tërë ditës pret për ndonjë që do i kërkojë transport. Të ka shkuar ndonjëherë mendja ta pyesësh për të kaluarën! Mos të habitë përgjigjja e tij, ai ka qenë ushtarë i UCK-së! Madje ka qenë i pranishëm në betejat më të mëdha të zhvilluara kundër pushtuesit serb! Mund t’i shihen qartë rrudhat e ballit dhe mundimi, por edhe dëshpërimi i thellë për gjendjen e tij dhe të shumë bashkëluftëtarëve tjerë që kanë mbet rrugëve. Ai nuk kërkon ndonjë pozitë, për këtë nuk ka luftuar. I duhet së paku një trajtim më i mirë, një jetë më e dinjitetshme, ose të paktën një respekt dhe një ndalje në rrugë për t’i zgjatur dorën nga disa bashkëluftëtar që janë në pozita të larta shtetërore. 

A është pyetur luftëtari/ja i/e lirisë që sot shitet si punëtor/e krahu që t’i sigurojë fëmijëve të tij/saj ushqim në mbrëmje, si ndihet në ditën e pavarësisë. A janë pyetur ata që mbajnë fëmijët jetim të vëllait të rënë gjatë luftës, e që gjatë gjithë ditës luftojnë për 1 Euro! A është pyetur se si ndihet ajo familje që nuk i njihet statusi i dëshmorit pjesëtarit të saj të rënë në luftën për çlirimin e Kosovës?! A është pyetur se si ndihet luftëtari/ja i/e lirisë , kur shikon dokumentare në televizion për luftën ku ai/ajo ishte pjesëmarrës/e, dhe ku ai/ajo nuk paraqitet në të dhe nuk i përmendet emri, por as nuk është pyetur nga regjisori i dokumentarit për rrjedhën e asaj lufte, dhe në të cilin flasin figura që nuk kanë ndjerë erë baroti?! A janë pyetur ndonjëherë se si ndihen kur e shohin që luftën sot po e shkruajnë tradhtarët dhe ata që nuk kanë marrë pjesë në asnjë prej betejave të UCK-së, komandantët dhe luftëtarët e pas luftës. Të ka shkuar ndonjëherë në mendje se, pse në Kosovë po nderohen aq shumë vetëm disa nga komandantët e rënë gjatë luftës, dhe po harrohen të tjerët që kanë dhënë kontribut më të madh se ta?! Ndoshta e keni harruar Fondin “Vendlindja thërret”, 3 përqindëshin, thasët me të holla që hynin në Kosovë gjatë luftës. Ku shkuan vallë ato?! Mos është e mundur që këto dokumentare dhe këngë patriotike të jenë financuar nga to?! Mos ndoshta gjithë ato restorante e hotele, pika karburanti, e firma të mëdha të pas luftës, të jenë ndërtuar nga to?! A thua vallë, këta që sot e quajnë vetën komandant lufte dhe kontribuuesit më të mëdhenj, mos të kenë qenë të tillë në të vërtetë?! 

 Të gjithë jemi të shqetësuar për eksodin e fundit që po kalon Kosova. Gjatë gjithë kësaj kohe kur popullata masovikisht ikën nga Kosova, kemi parë dhe dëgjuar shumë raste kur ish-luftëtar kishin vendosur shtëpitë dhe pasuritë e tyre në shitje, shkaku i gjendjes së rëndë ekonomike, me të vetmin qëllim, rrugën Prishtinë-Beograd-Suboticë-Budapest, e pastaj në ndonjë vend të Evropës Perëndimore. Një rrugë të tillë kurrë nuk e kanë menduar, të ndalen nga ushtria dhe policia kundër të cilës dikur kishin luftuar, të kalonin në duart e armikut tonë, te plaçkiten dhe maltretohen bashkë me familjet e tyre.

Sa ka bërë vendi ynë për nënat që i kanë bijtë dhe bijat e zhdukura, për familjet e të zhdukurve në përgjithësi. Mendoni se si ndihet një nënë, një familje, kur emri e pjesëtarit të saj të zhdukur keqpërdoret në fushata zgjedhore, dhe këta individ që e përdorin emrin e atij personi të zhdukur nuk kanë vizituar asnjëherë këtë familje! 

A mos vallë vendi ynë i ka harruar gjithë ato nëna, nuse e vajza të dhunuara gjatë luftës?! Pse lihen ende plagët e tyre të hapura?

A thua vallë, burgjet e Kosovës të jenë të mbushura me luftëtar të lirisë, të cilët mbahen padrejtësisht me vite të tëra që nga pas lufta. Disa nga ta nuk kanë gëzuar asnjë ditë lirie, edhe pse për të kishin dhënë shumë. Ata luftuan të jenë të lirë, që të largohet pushtuesi serb, i cili burgoste padrejtësisht prindërit e tyre dhe të shokëve të tyre, dhe nuk donin që gjeneratat e ardhshme të gëzonin fatin e njëjtë. Mirëpo sot ata mbahen njëjtë në ato burgje ku janë maltretuar keq gjeneratat e mëparshme. Për dallim, këta mbahen në burgje nga shokët e tyre të luftës, ose më mirë të themi nga komandantët e pas luftës! Disa nga sot ekstradohen ne vendet fqinje, si Maqedonia, duke u lënë ne duart e armikut, të përbuzur duke përjetuar maltretime nga më të ndryshmet.

Kosova me qëllimin e saj të jashtëzakonshëm në rritjen e numrit të njohjeve, ka harruar se kush ishte dhe nga kush ka ardhë këtu. Vendi ynë i mbuluar tërësisht nga hajnia (më butë “korrupsioni”), i kontrolluar nga disa individ, me ekonomi të rënduar dhe jo në ngritje të duhur, me një papunësi në rritje, me një kaos ndërtimesh pa leje, me shumë ligje, por pa funksionim të tyre, me probleme të mëdha, por që nga media dhe institucionet tona mbulohen me probleme më banale, të martën me 17 shkurt 2015 mbushë 7 vite ekzistence si shtet. Në këto 7 vite është harruar fëmija, ose i moshuari, apo nxënësi dhe studenti, apo edhe familja në tërësi, që banon në veri të vendit. Mitrovica ka qenë e pranishme në media gjatë tërë kohës, por secili nga ne, dhe secili nga pushtetarët nuk ka menduar për gjendjen e tyre, edhe pse ne të tjerët deri në vitin 1999 ishim në një gjendje të tillë. 

Që nga pas lufta, janë deklaruar shumë veteran të UCK-së, që nëse në të vërtetë do ishin pjesëtar të saj, nuk do kishte edhe aq nevojë të madhe për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ose të paktën do mënjanoheshin disa nga masakrat serbe mbi popullatën civile.

Në dokumentare ngritën në hyjni disa nga komandantët e rënë, madje në ceremonitë përkujtimore vetëm për ta flitet. Në to të rastisë të shohësh aktorë profesionist që tregojnë për trimëri në shumë beteja të luftës, por të cilët nuk ishin pjesëmarrës në to. Të bazohesh në to, ne jemi ndërtuar në mite! 

Nëse publikisht të tillët marrin meritat e kësaj dite, ne jemi me gjithë zemër me ata që në të vërtetë kanë kontribuar për këtë ditë, dhe të cilët nuk janë të paraqitur në ndonjë dokumentar, në ndonjë këngë patriotike, në ndonjë përvjetor përkujtimor, dhe që janë lënë rrugëve, por të cilët janë në zemrat dhe në lutjet e secilit prej neve. Ne me gjithë zemër dhe me lutje jemi pranë secilit nga ju që jeni jashtë Kosovës në këtë ditë, dhe keni dalë jashtë saj shkaku i dëshpërimit me këtë gjendje, dhe urojmë që sa më parë vendi ynë të shkojë në rrugën për të cilën ju jeni munduar. Ne e ndiejmë dhimbjen e secilës nënë, nuse, vajzë, të dhunuar gjatë luftës së fundit. Sinqerisht, ne jemi më pranë se kurrë ndaj atyre luftëtarëve të lirisë që mbahen padrejtësisht në burgjet e Kosovës sonë të dashur, dhe jashtë saj. Ne me të vërtetë jemi të bindur se ju që jeni lënë anash, keni kontribuar me tërë qenien tuaj, dhe nuk keni luftuar për asnjë pozitë, por ende shpresoni për ditë më të mira. Ne ndajmë çdo dhimbje me ju, me familjet e të zhdukurve, të invalidëve të luftës, dhe me secilin që në një formë ose në tjetrën është prekur nga lufta. Ne presim që sa më parë ju ta gëzoni me gjithë zemër këtë ditë. Ne do jemi zëri i juaj kurdoherë, do e njohim kontributin tuaj, dhe do e transmetojnë gjeneratë pas gjenerate.

“Kur beteja të fitohet, lëre historinë të tregojë për secilin prej nesh.” John Killens

 

Liridon Shala

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit