Në të vërtetë, nuk duhet pritur nga asnjë politikan që të kthehet kundër parimeve të vetat.
Edhe nga Mamdani nuk pritet që të shërbejë popujt myslimanë në botë.
Në fund të fundit, ai është amerikan dhe i shërben vendit të tij.
Ajo që na intereson në këto zgjedhje është fakti se Mamdani është personi i parë që fiton pa marrë asnjë mbështetje nga AIPAC-u. Vetëm ky fakt mjafton që fitorja e tij t’i shqetësojë lobet sioniste.
AIPAC-u dhe lobet pro-Izraelit kanë funksionuar prej dekadash mbi një rregull të vetëm:
“Asnjë kandidat në Amerikë nuk mund të fitojë pa mbështetjen tonë financiare – ose të paktën pa heshtjen tonë.”
Por Mamdani vërtetoi të kundërtën.
Ai fitoi përmes mobilizimit popullor, komunikimit të drejtpërdrejtë me zgjedhësit, sidomos me të rinjtë, komunitetet emigrante dhe votuesit progresistë që janë lodhur nga sundimi i parasë mbi politikën.
Fitorja e tij mund të hapë derën për një brez të ri politikanësh amerikanë, të pavarur nga ndikimi i lobit izraelit, dhe mund ta detyrojë AIPAC-un të rishikojë llogaritjet dhe ndikimin e tij në politikën amerikane.
Ajo që e bën këtë edhe më domethënëse është fakti se Mamdani është politikani i parë amerikan që e ka ngritur hapur çështjen e Palestinës si slogan zgjedhor – në një kohë kur politika amerikane shmangte edhe përmendjen e fjalës “Palestinë”, nga frika e reagimit të lobit sionist.
Ndoshta kjo do të shndërrohet në një simbol politik që thyen barrierën psikologjike brenda skenës amerikane, duke treguar se fitorja është e mundur pa u përkulur para lobëve dhe pa hequr dorë nga qëndrimet morale ndaj drejtësisë, sidomos në lidhje me Gazën dhe Palestinën.
Kjo është ajo që e bën fitoren e tij më të bezdisshme për AIPAC-un dhe lobet sioniste sesa çdo fjalim apo protestë.
Sepse fitorja e Mamdanit vërteton se koha e frikës nga ndikimi i lobit sionist ka filluar të zbehet .
Dr Mehmet Canbekli
