Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk janë duke bërë presion ndaj Serbisë për shuarjen e institucioneve të saja në veriun e Kosovës, vlerëson Rexhep Selimi, zv/kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së. Ai thekson se presioni i Brukselit në fakt është duke iu drejtuar Kosovës, për të bërë kompromise të dëmshme.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë për Telegrafin se veprimet e tilla të zyrtarëve evropianë janë mundësuar për shkak se Qeveria e Kosovës nuk ka dashur që problemet e Kosovës t’i zgjidhë në Kosovë, por ka pranuar që t’i zhvendosë në Bruksel.
“Deri tash, Thaçi dhe Dacic bëjnë deklarata patriotike për konsum të brendshëm, por që nuk janë në pajtim me tematikat që po negociohen ndërmjet tyre në Bruksel”, ka thënë Selimi.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic në deklaratat që ka bërë sot ka vënë në pikëpyetje mundësinë e shkrirjes së strukturave paralele në veri të Kosovës, që është kërkesa kryesore e autoriteteve qeveritare të Kosovës.
Në anën tjetër, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulricke Lunacek ka deklaruar se faktori ndërkombëtar po bën presion që Serbia të shuajë strukturat e saj të sigurisë dhe drejtësisë në veri të Kosovës. Ajo ka theksuar se Beogradi duhet ta thotë qartë se veriu është pjesë e Kosovës. /Telegrafi/