ANKARA (AA) – Tetë familje siriane të cilat kanë ikur nga sulmet e regjimit sirian Bashar al-Assad dhe janë strehuar në Algjeri, duke dashur të kalojnë në Marok kanë mbetur të bllokuar në një shkretëtirë në kufi. Familjet të cilat po luftojnë me të nxehtin e madh, kafshët helmuese dhe urinë presin shpëtim për 25 ditë me radhë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Familjet kur kanë mbërritur në kufirin e Marokut nuk u pranuan në këtë shtet nga autoritetet kufitare. Ndërkaq, edhe autoritetet algjeriane nuk lejojnë kthimin e tyre në Siri.
Familjet të cilat gjatë ditës i ekspozohen të nxehtit të madh, kurse në mbrëmje të ftohtit të madh, po luftojnë edhe me kafshë helmuese si akrepa dhe gjarpërinj.
Njëra nga viktimat e kësaj gjendjeje, 12 vjeçarja Hala Raed, e cila për AA ka dërguar pamje dhe incizim të zërit ka thënë se “Ne jemi lodhur shumë këtu. Kërkojmë një shtet që mund të na ndihmojë neve. Në shkretëtirë i ekspozohemi të nxehtit, stuhisë, gjarpërinjve dhe akrepave”.
Duke shprehur se as nuk mund të flenë nga frika, Raed tha se “Fëmijët, të mëdhenjtë, gjithkush po sëmuret. Pyesni kë të doni, të gjithë do të thonë se janë të sëmurë. Ne përpiqemi të mbrohemi nga të ftohtit duke i djegur gjembaçët”.
“U bëjmë thirrje të gjitha shteteve evropiane dhe Kombeve të Bashkuara (OKB). Ku janë të drejtat e fëmijëve dhe të njerëzve për të cilat ju flisni?”, tha ajo.
Në pamjet që arritën në AA shihet se familjet banojnë në tenda të cilat i kanë përgatitur duke i qepur leckat dhe çarçafët. Po ashtu shihet se sirianët e kanë të vështirë edhe t’i hapin sytë për shkak të frymës dhe rërës dhe që janë në gjendje të lodhur dhe të pafuqishme.
Na shpëtoni neve nga kjo shkretëtirë vdekjeprurëse
“Ne u bëjmë thirrje nga shkretëtira Marok-Algjeri. U bëjmë thirrje gjitha shteteve të botës, gjithë liderëve, ku në mesin e tyre është edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Na shpëtoni neve nga kjo shkretëtirë vdekjeprurëse”, tha një baba sirian me emrin Shahir.
Duke vënë në dukje se fëmijët, gratë dhe pleqtë janë shumë të lodhur nga kjo gjendje, Şahir ka thënë: “Fëmijët po përjetojnë ditë të vështira. Nuk kanë ushqim dhe pije”.
Edhe një djalosh emri i të cilit nuk kuptohet nga incizimi i zërit ka thënë se “Dielli na ka djegur. A do të kishit pranuar po të kishin mbetur fëmijët tuaj kështu në diell? Ju lutem na shpëtoni neve nga ky vend dhe nga ky diell, ose do të vdesim”.
Edhe një nënë tha se në këtë vend ka gjarpërinj dhe akrepa të shumtë dhe se presim ndihmë për të shpëtuar.