0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Niqahu, dispozitat dhe rëndësia e tij.

Më të lexuarat

Para se të fillojmë dhe të shtjellojmë mënyrën, dispozitat dhe rëndësinë e aktit të martesës (niqahut) dua të ndalem pak mbi një shqetësim të shumë vajzave të fejuara. Ndodh shpesh herë që vajza të fejuara, pak para se të lidhin kurorë, zbulojnë të meta dhe vese shumë të rënda tek i fejuari. Këtu mund të hyjë konsumimi i drogave, alkolit dhe çdo vesi tjetër që e sheh të rrezikshëm.
Vallë si duhet të reagojë një vajzë e gjendur në një pozicion të tillë? A duhet t’u tregojë familjarëve të saj, apo t’a mbajë të fshehtë?
Nëse këtë të metë e ka pasur në të kaluarën, por tashmë është shkëputur dhe është penduar prej saj, unë të këshilloj o motër që t’a mbash këtë fakt të fshehtë dhe të mos ua tregosh familjarëve të tu.
Nëse kjo e metë mund të përmirësohet dhe rregullohet, unë të këshilloj t’a vonosh aktin e martesës me qëllim që të shohësh nëse ka filluar të përmirësohet ose jo. Për t’a konkretizuar me shembull, këtu mund të hyjë dhe falja e namazit. Ti o motër mund të jesh fejuar me këtë djalë, duke e ditur se ai është i përkushtuar dhe falet. Pasi u fejove ke zbuluar se ai nuk falet ose herë falet dhe herë jo. Në një rast të tillë, mos u trego prindërve dhe jepi kohë që të përmirësohet, duke lëvizur çdo gur dhe përdorur çdo mjet që ai të filloj të falet siç duhet.
Por nëse e meta ose vesi vazhdon të jetë akoma prezent tek i fejuari, psh ai vazhdon të konsumojë drogë, unë të këshilloj t’ju tregosh prindërve të tu. Do të vuash aq sa nuk e imagjinon o motër nëse martohesh me një të droguar. Të shumta janë ato vajza që pranuan të martohen me të rinj të tillë, edhe pse e dinin që konsumojnë drogë. Ata nuk u treguan familjarëve nga frika se do e prishin fejesën dhe u martuan. Pas martese ata kanë shijuar të gjithë llojet e vuajtjeve psikologjike dhe fizike, janë fyer, sharë, ofenduar, rrahur, plagosur me mjete të forta etj…
Si ai që drogohet si ai që konsumon alkol, janë njëlloj prandaj ruhu dhe mos u marto me njerëz të tillë.

Çfarë do të thotë të nënshkruash aktin e martesës?
Në përgjithësi, dita kur çifti vendosin kurorë dhe nënshkruhet akti i martesës, shihet si një ditë e lumtur, të gjithë janë të gëzuar, shpërndahen ëmbëlsira etj… pasi në të vërtetë është ditë gëzimi.
Dita kur dy të fejuar vendosin të lidhin jetën me njëri-tjetrin, duke e kryer aktin e martesës është një ditë e rëndësishme.
Duke e pranuar të fejuarën si bashkëshorten tënde, ti o vëlla i jepet besën jo vetëm familjes dhe prindërve të saj, por edhe Zotit të madhëruar. Ajo vajzë bëhet bashkëshortja jote, sipas fjalëve të Zotit dhe traditës profetike. Kështu, kur ti pohon se e pranon atë si bashkëshorte, i jep besën Zotit se do e trajtosh mirë.
Në vende si Egjypti, Siria, Libani etj… është bërë zakon që pasi të nënshkruhet akti i martesës, babai i vajzës i thotë dhëndërit:”O filan! Po t’a lë amanet vajzën time!”
Kur të thuash që e pranoj filanen si bashkëshorten time, në bazë të Librit të Zotit dhe traditës së Profetit, kije parasysh këtë dhe mos e harro sa të kthesh shpinën.
Fjalët “në bazë të librit të Zotit” do të thonë që do e trajtosh bashkëshorten tënde, sipas porosive të Zotit në Kuran.
Një nga këto porosi në Kuran, është:”Jetoni e silluni mirë me to!” (Nisa 19)
Nëse dëshiron që akti i martesës të jetë sipas librit të Zotit, atëherë duhet të sillesh mirë me bashkëshorten tënde, t’a respektosh dhe nderosh.
Vallë sa të shumta janë ato martesa ku burrat i kanë keqtrajtuar gratë? A mendojnë këta burra se do të dalin një ditë para Zotit dhe të japin llogari? Vallë çfarë do të thotë ajo dorë që i ka dhënë dorën babait të vajzës duke i thënë:”E pranoj vajzën tënde për bashkëshorte, sipas librit të Zotit dhe traditës profetike?”
Thotë Zoti në Kuran: ”Jetoni e silluni mirë me to!” (Nisa 19)
Dhe kjo nuk do të thotë vetëm që të mos e lëndosh dhe sillesh keq me bashkëshorten, por edhe t’a durosh atë në rast se të lëndon. Të durosh gabimet e saj, nervozizmin etj…
Shembulli dhe modeli yt më i mirë në këtë rast është i dërguari i Zotit a.s. Ndodhte që ndonjë nga gratë e tij e braktiste shtratin ku flinte me Profetin a.s, megjithatë ai duronte. Ato i kërkoni të holla për të shpenzuar, shumë e cila ishte mbi mundësitë e Profetit a.s, megjithatë ai duronte. Kishte prej tyre që xhelozoheshin dhe Profeti a.s përsëri i duronte. Madje, jo vetëm që i duronte, por shpesh herë u fliste dhe me fjalë përkëdhelëse me qëllim që t’a qetësojë dhe t’i bëjë qejfin.
Kurse përsa i përket traditës profetike, thotë Profeti a.s:”Më i miri prej jush, është ai që sillet më mirë me familjen e tij.”
“Gratë, nuk i nderon veçse një fisnik dhe nuk i dhunon veçse një i lig.”
Ky është koncepti që islami ka për gruan dhe bashkëshorten. Atëherë, si mund të thuhet që islami e ka dhunuar, diskriminuar dhe poshtëruar femrën? Vallë ku mund t’a gjejmë tjetër një ligj dhe kushtetutë që e nderon dhe respekton femrën, siç bën islami?
Thotë Zoti në Kuran mbi dhuratën e martesës, e cila nuk duhet të kërkohët sërish nga bashkëshorti në rast divorci:”A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?! Si do t’ia merrnit atë dhuratë, kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?” (Nisa 20-21)
“ju i jeni dhënë njëri-tjetrit” shprehet me foljen “efda” gjë e cila i çon ndërmend bashkëshortit ditët më të bukura që ka kaluar me këtë grua.
Gjithashtu, ajeti i mësipërm e quan aktin e martesës si besë të fortë.
Fjalët “besë e fortë” janë përmendur vetëm tre herë në Kuranin famëlartë. Herën e parë është përmendur për profetët. Thotë Zoti në Kuran:” Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë të rëndë.” (Ahzab 7)
Herën e dytë përmendet për hebrenjtë, ku thotë Zoti i madhëruar:”dhe morëm nga ata një besë të fortë. (Ne i mallkuam ata) për shkak të shkeljes së besëlidhjes nga
ana e tyre..” (Nisa 154-155)
Kurse për herë të tretë, besa e fortë përmendet në kontekstin e lidhjes bashkëshortore, përmendet për të martuarit.
Vallë cilit model do t’i përmbahesh o vëlla? A do i përmbahesh modelit të profetëve të cilët e mbajtën këtë besë të rëndë, apo do i përmbahesh modelit të hebrenjve të cilët e shkelën besën? Ai njeri që e shkel këtë besë, padyshim që do jetojë në vuajtje dhe mundim. E si mund të jetojë i lumtur, një njeri që ka fituar zemërimin e Zotit?
Të njëjtat fjalë vlejnë dhe për ty o motër. Në atë çast që do të pyetesh nëse e pranon filanin për bashkëshort, do të përgjigjesh “Po” dije se kjo besë e rëndë vlen dhe për ty.
Një ditë, Aisheja vajti tek i dërguari i Zotit dhe i tha:”O i dërguari i Zotit! Burrat marrin pjesë në xhihad dhe për këtë shpërblehen. Kurse ne gratë jemi privuar nga një shpërblim i tillë.
Profeti a.s ia ktheu:”Dije o Aishe se respekti dhe sjelljet e mira të gruas kundrejt burrit, janë të barasvlershme me xhihadin.”
Duke qenë se në shumë martesa dhe lidhje gruaja nuk e gjen burrin të cilin ëndërronte, me durimin, respektin dhe sjelljet e mira, ajo fiton shpërblimin e xhihadit. Nëse dëshmori vritet një herë, një bashkëshorte e tillë e fiton shpërblimin e dëshmorit çdo ditë./Amer Halid

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit